Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

TA NGATËRROSH REFORMËN ME REVOLUCIONIN

KLEMENTIN MILE

- Replikë -

Në shkrimin e datës 13 maj 2014 në gazetën Shqip, autori i artikullit, Arlind Qori, e cilësoi reformën e arsimit të lartë si helmi, si farmaku që do ta shembë përfundimisht të drejtën për t?u arsimuar në Shqipëri.  Në fakt, reforma për autorin nuk është fare reformë ? ajo është një re(sh)formë që mëton të jetë farmacia, por në fakt është farmaku.

Por a është reforma vërtet kaq e pavlerë dhe kaq malinje sa i rezulton autorit? Si arrin ai në këtë konkluzion, duke e vëzhguar reformën nga cila perspektivë? Siç bëhet e qartë nga konceptet e përdorura prej Arlind Qorit, reforma vëzhgohet nga perspektiva superiore dhe ideale e revolucionit. Problemi themelor i reformës është se ajo nuk është revolucion. Madje, nga perspektiva e revolucionit, reforma e arsimit të lartë rezulton kundërrevolucionare dhe si e tillë duhet hedhur poshtë. Por le ta ndjekim edhe pak logjikën e autorit, për të kuptuar më mirë pozicionimin e tij. Ndërmjet dy alternativave ? reformës dhe revolucionit ? autori zgjedh revolucionin. Veçse ka një problem me këtë: reforma na paraqitet si propozim real, specifik dhe i manifestuar për gjykim para syve tanë, ndërkohë që revolucioni paraqitet si opsion ideal, i përgjithshëm dhe nuk na jep mundësinë për të marrë vendim për të. Pra, autori krahason realen me idealen, të përgjithshmen me specifiken, të vendosshmen me të pavendosshmen ? dhe konkludon se idealja (revolucioni) duhet preferuar ndaj reales (reformës), se e përgjithshmja është më pozitive se specifikja, dhe se e pavendosshmja duhet vlerësuar kundrejt së vendosshmes.

Problemi me këtë perspektivë është se edhe pse mëton të jetë revolucionare, me shumë gjasa është thjesht konservatore. Duket se rruga drejt revolucionit, për autorin kalon përmes stanjacionit. Kjo pasi nuk propozohet një reformë tjetër, e gjithashtu nuk propozohen ndryshime të pikave të caktuara të reformës, por vetë koncepti i reformës dënohet me termin pezhorativ ?re(sh)formë?, siç do të kishte bërë një konservator i bindur se gjendja e arsimit të lartë është e shkëlqyer dhe çdo ndryshim vetëm do ta përkeqësonte. Pra revolucioni nuk ndodh (ose kushedi pas sa shekujsh do të ndodhë) dhe as reforma nuk duhet bërë. Rezultati? Stanjacion.

Por unë bie dakord me autorin kur e cilëson reformën e arsimit të lartë ?re(sh)formë?. Fundja të gjitha reformat të tilla janë: (sh)formojnë formën aktuale të gjërave duke u dhënë një formë tjetër, por gjithmonë me modestinë që nuk janë zgjidhja finale, ose zgjidhja perfekte. Reformat, siç e dimë nga historia, gjithmonë pasohen nga të tjera reforma sipas sekuencës së njohur formë-reformë-formë-reformë-formë... Kështu, për të gjykuar dhe vlerësuar reformën e arsimit të lartë, duhet pasur parasysh se kjo reformë (si çdo reformë tjetër) nuk mund t?i zgjidhë të gjitha problemet, madje, edhe po t?i adresojë të gjitha problemet, patjetër nga zgjidhjet do të rezultojnë probleme të reja. Problemet nuk zgjidhen kurrë përfundimisht, por transformohen dhe zhvendosen në nivele të tjera të sistemit, ose në sisteme të tjera, thotë Niklas Luhmann.

Por le të shohim argumentet e autorit për disa çështje specifike të reformës së arsimit të lartë. Sa i përket rolit të përfaqësuesve të universiteteve publike në komision, autori shtron çështjen e koherencës së qëndrimit të tyre dhe konkludon se ata po lëpijnë atë që kanë pështyrë. Një metaforë që provokon reagime emocionale, por ama nuk ofron argumente për të preferuar pështyrjen e reformës ndaj lëpirjes së saj. Nga ana tjetër, për të shprehur indinjatën e tij, autori gjen me vend të bëjë dallimin ndërmjet diplomoreve private dhe universiteteve publike. Sipas tij, në diplomoret private përfaqësuesit  reagojnë si ai qeni i Pavllovit ndaj interesave të pronarit, ndërkohë që në universitetet publike, së paku formalisht, përfaqësimi është demokratik. Këtu kemi të njëjtën ngatërresë nivelesh, pasi konstrastohet përsëri realja me idealen dhe konkludohet duke gjykuar ashpër njërën dhe duke i bërë elozhe tjetrës. Kështu, bindja e autorit se në diplomoret private mund të gjesh vetëm bindje me çdo kusht ndaj pronarit, ndërkohë që në universitetet publike ky fenomen nuk ekziston, pasi ato janë demokratike ? nuk qëndron logjikisht dhe ka vetëm vlerën subjektive të bindjes së tij. Pastaj, nëse autori këmbëngul për t?i etiketuar si ?diplomore? universitetet private, a mund të na thotë sa ?publike? janë realisht universitetet publike? Por autorin nuk duket ta shqetësojë kjo gjë, pasi universiteti publik është një instancë ideale për të, ndërkohë që universiteti privat nuk e gëzon këtë privilegj: ai mund të gjykohet vetëm në realitetin e tij dhe jo në potencialin për t?u shprehur edhe ndryshe.

Çështja tjetër që trajtohet lidhet me premisat e reformës së arsimit të lartë dhe autori nënvizon problemin e vetëreferimit të komisionit: komisioni i beson si të vërteta premisat e reformës ngaqë i thotë vetë komisioni. Në këtë pikë bashkohem me kritikën e autorit, i cili shpreh nevojën për t?iu referuar studimeve relevante si fazë analize që do të mundësonte formulimin e premisave të përshtatshme për reformën. Por autori nuk më lejon ta vazhdoj gjatë këtë moment dakortësie, pasi po vetë deklaron se nuk ka fare nevojë për studime, pasi ai vetë e di mirë se cilat janë problemet reale të universitetit. Dhe sipas tij, këto probleme mund të përkeqësohen nga logjika e tregut, e cila do t?i shndërronte universitetet nga vatër kritike në agjenci tregtare. Pikësëpari, nuk e di nëse autori ka vënë re që vatra e kritikës ka kohë që nuk ndizet në universitetin ?publik?, në mos është ndezur ndonjëherë gjatë gjithë historisë së këtij universiteti. Së dyti, uroj të kem dakortësinë e autorit në lidhje me faktin që jetojmë në kapitalizëm; dhe një kapitalizëm pa treg jo se është i paimagjinueshëm, por thjesht do të ishte një kapitalizëm si ai që kaluam gjatë regjimit të Enverit: me mungesa të shumta dhe me barazi në varfëri. Prandaj, termi ?agjenci tregtare?, edhe pse përdoret negativisht, në fakt do të thotë se logjika e tregut do t?i vendosë edhe universitetet në garë me njëri-tjetrin, duke i nxjerrë nga letargjia që i ka kaptuar dhe duke i detyruar të prodhojnë diploma me vlerë për shoqërinë që kemi. Edhe unë bashkohem me autorin se shoqëria që kemi është me shumë defekte dhe do të dëshiroja të kishim një shoqëri tjetër. Por pikërisht për të arritur tek ajo shoqëria tjetër diplomat e universiteteve tona duhen të na aftësojnë për të filluar të hedhim hapat. Përndryshe, me konceptin ?universiteti si vatër kritike? nuk do mund të prodhojmë diploma relevante (po, edhe për tregun e punës) dhe rrjedhimisht do fabrikojmë studentë të paaftë për të ecur në rrugët që ka hapur shoqëria.

Pastaj autori ngre çështjen e rëndësishme të tarifave studentore dhe shprehet kundër rritjes së tyre. Pozicioni i autorit, sipas të cilit problemi është se si të varfrit të aftësohen për t?u futur në universitet dhe jo se si shteti t?u paguajë tarifën, është përsëri revolucionar, veçse irrelevant për të gjykuar një reformë që ndodh në kapitalizëm. Në kapitalizëm nuk arrihet kurrë barazia dhe prandaj, pavarësisht progresit të shoqërisë, gjithmonë do të ketë të pasur dhe të varfër dhe, rrjedhimisht, nevojën e ndërhyrjes së shtetit për të zbutur diferencat dhe për t?u mundësuar potencialeve njerëzore (studentët e talentuar) të shprehen pavarësisht gjendjes ekonomike të tyre.

Së fundi, në gjykimin e Arlind Qorit reforma e arsimit të lartë e konsideron studentin si konsumator të një shërbimi, ndërkohë që studenti është subjekt me të drejta dhe kontribut për emancipimin e shoqërisë. Përgatitja teknike që reforma synon t?i injektojë studentit, sipas autorit është problemi dhe jo premisa e pakundërshtueshme. Këtu përsëri do të bashkohesha me autorin, por njëkohësisht do të ndahesha prej tij. Nëse Arlind Qori është për një universitet elitar, ku vetëm më të talentuarit, më inteligjentët, pra një pakicë prej nesh do të studionin, atëherë përgatitja teknike që ofron reforma e arsimit të lartë do të ishte vërtet absurde dhe disfunksionale. Por ai nuk duket të favorizojë këtë lloj universiteti, por një universitet masiv, demokratik, një vatër rezistence. Në këtë rast të dytë është propozimi i autorit që shfaqet si absurd dhe disfunksional, pasi cilës shoqërie do t?i duheshin masa të gjera studentësh me dije universale dhe vizionare, por pa dije teknike?

Përfundimisht dua vetëm të bëj të qartë se kritika e kritikës për reformën e arsimit të lartë që synova të zhvilloj në këtë artikull, është formuluar nga një pozicion neo-funksionalist dhe larg simpative dhe pasionit për ndonjë ideologji politike.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore