Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

SHBA ndryshe nga BE: Kosova vendos në territorin e saj nëse mbahen apo jo zgjedhje nga Serbia

SHBA ndryshe nga BE: Kosova vendos në territorin e saj nëse mbahen apo

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, tha se Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë që qytetarët e të dyja vendeve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa nënvizoi se është e drejtë sovrane e Kosovës të përcaktojë kushtet në të cilat shtete tjera sovrane mund të organizojnë zgjedhje në territorin e saj.

Ambasadori Carpenter i bëri këto komente duke folur rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar, por i cili nuk u lejua të mbahej në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin referendumin në Serbi në të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë.

Para referendumit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, tha ai.

“Le të jemi të qartë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran që të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvilloheshin zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Ne kishim shpresuar se qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të grumbulluar fletëvotimet e votuesve që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bëjë këtë”, tha ambasadori Carpenter.

Ambasadori amerikan tha se do të diskutohet me qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e Serbisë për t'u siguruar që “qytetarët, të cilët banojnë në Kosovë dhe Serbi, të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”.

Ai tha se është për keqardhje që Kosova nuk është anëtare e OSBE-së “dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, tha ai, duke nënvizuar thirrjet që qeveritë e të dyja vendeve “të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit qëndrueshmërinë rajonale”, tha ambasadori amerikan.

Autoritetet në Kosovë nuk lejuan mbajtjen e referendumit të Serbisë me gjithë thirrjet e diplomatëve perëndimorë, duke theksuar se ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Autoritetet thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

Në fillim të muajit prill Serbia pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre brenda territorit të Kosovës.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane./ Zëri i Amerikës

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore