Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

Ç'po ndodh në Prishtinë? Përplasje mes Policisë dhe veteranëve të UÇK, përdoret gaz lotsjellës ndaj turmës

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë të hënën në oborrin e Kuvendit të Kosovës teksa kanë qenë duke protestuar në Prishtinë. Para dyerve të këtij institucioni ka dalë Policia e Kosovës, e cila ka përdorur spraj në drejtim të protestuesve. Gjatë protestës është parë edhe gaz lotsjellës.

Protesta e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) ishte parashikuar të mbahej para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës dhe se janë detyruar të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

“Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë”.
Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të diskutohet të hënën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ai është miratuar nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti. Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Aktualisht, kjo pagë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011. Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat./REL

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore