Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

Përvjetori i masakrës së Reçakut/ Si u zhdukën nga serbët trupat e shqiptarëve, mes tyre dhe një femër

Përvjetori i masakrës së Reçakut/ Si u zhdukën nga

Përpara përvjetorit të vrasjeve të 45 shqiptarëve të Kosovës në Reçak në vitin 1999 – një masakër që ndihmoi në motivimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë – djali i një gruaje të vrarë atë ditë shpjegon se si trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Ishte një mëngjes i ftohtë më 15 janar 1999 dhe Sahide Metushi ishte në kuzhinën e saj duke përgatitur mëngjesin për familjen e saj kur forcat serbe hynë në fshatin Reçak në Kosovën perëndimore.

Pasi dëgjuan të shtënat e para, ajo dhe burri i saj Hakiu u thanë anëtarëve më të vegjël të familjes që të largoheshin për të qenë të sigurt përtej përroit ose në pyllin aty afër. Sahideja dhe Hakiu qëndruan në shtëpi derisa zhurma e krismave u afrua.

“Kur u larguan nga shtëpia, ata panë që fqinjit tonë Danushit i kishin prerë kokën”, tha djali i tyre Hasan Metushi për BIRN në një intervistë në shtëpinë e tij në Reçak.

“Mamaja ime vazhdoi të ecte nëpër rrugën kryesore të fshatit, duke shpresuar se do të largohej sepse ishte një grua e moshuar, ndërsa babai dhe një xhaxhai im u kapën nga forcat serbe, të cilët i morën dhe i çuan në kodër me duart prapa kokës”, tha ai.

Përvjetori i masakrës së Reçakut/ Si u zhdukën nga

Nëna e tij Sahideja, e cila në atë kohë ishte 61 vjeçe, u përpoq të shkonte në shtëpinë e kushërinjve të burrit të saj, por ajo u qëllua ndërsa po ecte rrugës. E plagosur, ajo qëndroi në rrugë për gati një orë.

“Disa njerëz që ishin fshehur në bodrumin e një shtëpie e panë atë ulur në anë të rrugës pasi u qëllua. Nuk dihet se ku u qëllua, ata thjesht panë që ajo ishte e gjakosur”, tha Hasan Metushi.

Një grua u përpoq ta fuste Sahiden brenda shtëpisë së saj, por kur doli në rrugë, pa forcat serbe që po afroheshin.

Më vonë atë ditë, burri i Sahides, Hakiu, atëherë 62 vjeç, së bashku me vëllezërit e tij më të vegjël Sabriun dhe Arifin dhe 41 fshatarë të tjerë, u gjetën të masakruar, trupat e tyre të shpërndanë në një kodër dhe të grumbulluar së bashku në një grykë mbi Reçak.

Pasi ra nata, Hasan Metushi, i cili në atë kohë ishte një anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, u ngjit në majë të kodrës me një grup të të afërmish të tjerë.

“Pashë trupat e babait tim, xhaxhallarëve dhe të tjerëve”, kujton ai. “Ata ishin afër njëri-tjetrit dhe ishin ekzekutuar nga një distancë e afërt. Disave u ishin nxjerrë sytë ose u ishin copëtuar kokat. Për një çast m’u duk si ëndërr. Mbaj mend që nuk rrija dot në këmbë…”

Poshtë në fshat, njerëzit që ishin fshehur në bodrumet e tyre kishin parë policinë serbe të qëllonte nënën e tij Sahiden: “Kur forcat serbe panë që ajo ishte gjallë, ata e qëlluan me armë”, tha ai. “Pastaj ata e vendosën trupin e saj në një qese të zezë dhe e futën në një makinë.”

“Shpresoj që fëmijët të mbijetojnë”

Njëzet e dy vjet më vonë, në shtëpinë e familjes Metushi në Reçak, kujtimet e asaj dite mbeten të freskëta. Hasan Metushi, i cili tani është një punonjës shëndetësor në qytetin e vogël aty afër të Shtimes, kujton se si, një javë para masakrës, nëna e tij kishte qarë ndërsa shprehte frikën e saj në lidhje me konfliktin që vazhdonte.

“Mbaj mend që ajo tha: ‘Është luftë dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, shpresoj që fëmijët të mbijetojnë’”, kujton ai.

Përvjetori i masakrës së Reçakut/ Si u zhdukën nga

Hasan Metushi në shtëpinë e tij në Reçak. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Vdekjet në Reçak dolën në lajmet kryesore ndërkombëtare kur diplomati amerikan William Walker, i cili ishte kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili ishte caktuar të monitoronte një armëpushim në luftën midis Ushtrisë Jugosllave, policisë serbe dhe rebelëve shqiptarë etnikë të UÇK-së, vizitoi fshatin një ditë më pas.

Walker i përshkroi vrasjet “si një masakër dhe krim kundër njerëzimit”, ndërsa korrespondentja e BBC Jacky Rowland, e cila gjithashtu vizitoi vendin e ngjarjes, përshkroi se si ajo pa “një sasi të madhe trupash të shtrembëruar”. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe presidenti amerikan Bill Clinton e dënuan ashpër këtë masakër.

Vdekjet e 45 fshatarëve shqiptarë etnikë erdhën pas vrasjeve të katër policëve serbë nga UÇK-ja. Qeveria e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç pretendoi se viktimat e sulmit në Reçak ishin ushtarë të UÇK-së të vrarë në luftime, ose civilë të zënë në mes të shkëmbimit të zjarrit.

Por më 17 janar 1999, Washington Post publikoi fragmente nga bisedat telefonike midis gjeneralit të Ministrisë së Brendshme Serbe Sreten Lukiç dhe zv/kryeministrit jugosllav Nikola Sainoviç, i cili i urdhëroi qartazi forcat e sigurisë qeveritare “të godisnin rëndë” në Reçak. Të dy zyrtarët diskutuan gjithashtu mënyra se si vrasjet mund të mbuloheshin për të shmangur dënimin ndërkombëtar.

Një patolog që hetoi incidentin për autoritetet jugosllave këmbënguli se nuk kishte asnjë masakër dhe pretendoi se “asnjë trup nuk kishte shenja ekzekutimi”. Por kreu i një ekipi finlandez që hetoi në emër të BE-së tha se ata që vdiqën ishin viktima të paarmatosur të një krimi kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut shkaktoi një ndryshim në politikën perëndimore ndaj Kosovës dhe u bë një pikë kthese në konfliktin midis trupave të Millosheviçit dhe forcave të policisë dhe guerileve të UÇK-së që po luftonin për pavarësi. Ajo u bë një faktor i rëndësishëm në vendimin e NATO-s për të filluar sulme ajrore në Jugosllavi dy muaj më vonë për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte trupat e tij nga Kosova.

Masakra ka vazhduar të shkaktojë akuza midis Kosovës dhe Serbisë që nga ajo kohë. Në 2019, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e akuzoi diplomatin amerikan Walker për trillim të masakrës.

Vuçiç pretendoi se “e gjitha ishte sajuar nga ai mashtrues, batakçiu dhe gënjeshtari Walker”. Komentet e tij erdhën pasi një gjykatë e Prishtinës dënoi deputetin serb të Kosovës Ivan Todosijeviç për nxitje të intolerancës etnike, racore ose fetare për pretendimin se masakra ishte inskenuar.

Në vitin 2017, zyrtarët e Kosovës e nderuan Walker-in duke ngritur një statujë të diplomatit amerikan në Reçak . Askush nuk është burgosur për përfshirjen e tyre në masakër. Në vitin 2001, Zoran Stojanoviç, një oficer policie serb në Shtime, u dënua me 15 vjet burg nga gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Por në vitet në vijim ai u lirua nga akuzat në apel për shkak të mungesës së provave dhe u la i lirë.

“Trupin e saj e kishin marrë”

Ndërkohë, trupi i Sahide Metushit, gruaja e vetme midis 45 viktimave të masakrës, nuk është gjetur kurrë.  Familja Metushi u nda për t’u fshehur gjatë sulmit në janar 1999 dhe vetëm në ditën e tretë pas masakrës ata kuptuan që Sahideja ishte zhdukur.

“Ne filluam të kërkojmë në puset e fshatit. Dhjetëra puse u kontrolluan brenda natës. Më vonë kuptuam që trupin e saj e kishin marrë”, tha djali i saj, Hasan Metushi.

Në një kompleks përkujtimor në fshat, ku janë varrosur viktimat e sulmit, varri i Sahide Metushit ndodhet bosh. Familja e saj e ka lënë atë hapur për vite me radhë, me shpresën se një ditë do të mund të varrosin eshtrat e saj.

Tani ajo shpresë ka avulluar, tha Hasan Metushi: “Kemi vendosur ta mbyllim varrin. Në të njëjtën kohë, e kemi mbyllur kapitullin e shpresës për të gjetur eshtrat e saj dhe të shpresës për drejtësi.”/ Burimi BIRN

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore