Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

Njohja jo formale e Kosovës; Hoti duel online me Vuçiç në Beograd

Njohja jo formale e Kosovës; Hoti duel online me Vuçiç

Negociatori i BE-së Miroslav Lajçak ka kryer sot një lëvizje spektakolare, duke përballur  Aleksandër Vuçiçin dhe Alvdullah Hotin në forumin e Sigurisë së mbajtur në Beograd. I ashtuquajturi “Forumi i Sigurisë 2020” nuk është gjë tjetër veçse një dialog i relaksuar alla OJF i krerëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Vuçiç

Në këtë takim, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë kryeneçin por ka thënë se kërkon besim e durim nga pala tjetër. “Serbia nuk ka nevojë për njohje nga Kosova, pasi atë e njeh e gjithë bota. Ai po ashtu ka shtuar se Kosova ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për të formuar Asociacionin dhe e ka obligim atë. Për të ndërtuar besim duhet respekt i ndërsjellë. Nëse e mohoni se ekziston kushtetuta e Serbisë, rezoluta 1244, atëherë çfarë konkluzione mund të arrijmë. S’kemi nevojë për njohjen tuaj, ne na njeh e gjithë bota. Duhet mirëkuptim për arritjen e marrëveshjes", u shpreh presidenti serb.

Më tej, Vuçiç, shtoi se "thoni se nuk e themelojmë Asociacionin pa na njohur Serbia, por është nënshkruar marrëveshja në Bruksel, keni marrë obligime. Po flasim për kompromis apo më shumë presion mbi Serbinë. Nëse doni zgjidhje kompromisi dhe të suksesshme të dyja palët duhet të jenë të kënaqura. Jam i hapur për t’i diskutuar të gjitha çështjet”.

Hoti

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur Vuçiçit, se palët në Bruksel nuk janë duke negociuar për një marrëveshje tregtie për të vendosur kështu korniza se kush çfarë fiton.

Ai i është përgjigjur Vuçiçit, pasi ai ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje nëse Serbia humbet gjithçka e Kosova fiton çdo gjë. Ai ka thënë se duhet të dalin të kënaqura të dyja palët.

“Duhet të jemi të qartë se nuk jemi duke negociuar marrëveshje tregtare mes dy shteteve tona. Kur je duke negociuar një marrëveshje tregtare atëherë mund të vendosësh një kornizë se çfarë fiton e çfarë humbet njëra palë apo tjetra. Por ne po punojmë drejt një marrëveshje paqësore, normalizim të plotë mes dy shtete. Nuk duhet të vëmë korniza në diskutim se çfarë Serbia po fiton apo humb, apo çfarë Kosova po fiton apo humb. Me rëndësi të shihet realiteti. Atë se çfarë dy shtetet do të fitojnë është një ambient paqësor, duke jetuar bashkë, normalizim i marrëdhënieve, të bëhet e mundur që qytetarët të lëvizin lirshëm, bizneset tona të bëjnë tregti me kushte të barabarta”, tha Hoti.

Hoti shtoi se kanë shumë çështje për t’iu adresuar nga e kaluara, e kryesorja është ajo e personave të zhdukur. Por se prapë janë të gatshëm të ulen në tavolinë të dialogut

“Të mos diskutojmë se çfarë do të humbas Serbia apo çfarë do të fitojë. Të pranohet realiteti. Po ashtu të pranohen disa çështje nga e kaluara për të qenë në gjendje të ecim para, për të ndërtuar të ardhme paqësore përgjithmonë, jo zgjidhje të përkohshme, por të përhershme mes dy vendeve”, ka thënë Hoti.

Lajçak

Ndërkaq, i dërguari special i BE-së, Mirosllav Lajçak, deklaroi se procesi i dialogut duhet të jetë mbi politikat ditore në dy vendet, si Kosovë ashtu edhe Serbi. Ai ka thënë se ky proces është mjaft i vështirë dhe sfidues por se shpreson se në fund do t’ia dalin.

“Është evidente se jemi aktorë në një proces masiv dhe shumë të rëndësishëm, proces sfidues dhe i vështirë. Duhet të jemi të vëmendshëm për këtë. Është proces që kërkon kompromis. Nuk mund të fitojë njëra palë e të humbas tjetra. Nuk do të shkojë ashtu. Po ashtu nuk bën të instrumentalizohet për politika ditore. Mesazhi im është që dialogu të jetë sipër politikave ditore. Ka shumë çështje që duhet të adresohen, por duhet të kemi mirëkuptim nga publiku, përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar, nga BE-ja fillimisht dhe nga miqtë tanë në SHBA", theksoi Lajçak.

Më tej ai shtoi se "po ashtu përkushtim nga partnerët tanë dhe këtë e shoh te presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti. Kjo është çasja e vetme e duhur. Është proces që sjellë një paqe të qëndrueshme dhe normalizim të marrëdhënie e po ashtu prosperitet për njerëzit e të ardhme evropiane. Unë shpresoj që do t’ia dalim me sukses, pasi është në interes të gjithë qytetarëve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë”./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore