Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

Mediat serbe flasin për skandal/ 15 shqiptarë u diplomuan në Serbi pa qenë studentë të universitetit

Mediat serbe flasin për skandal/ 15 shqiptarë u diplomuan në

Disa shqiptarë nga Kosova kanë fituar disertacionet e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit, pa qenë kurrë pjesë e këtij institucioni shkollor, kanë shkruar mediat në Serbi. Disa prej të cilëve i ka kontaktuar KOHA kanë mohuar këtë.

Portalet serbe si “blic.rs”, “objektiv.rs” e shumë të tjera kanë shkruar se dyshohet se janë ndarë 15 diploma për shqiptarët e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme.

Më shumë se kjo, për opinionin serb “tragjike” është se si këta studentë kanë doktoruar me tema që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës dhe proceset e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

Sipas mediave, gjithë ky “proces” është bërë në bashkëpunim me rektorin e Universitetit të Kragujevcit, Nebojsha Arsenijeviq.

“Deri më tash në diplomat që janë gjetur është nënshkrimi i Arsenijeviqit”, shkruan “objektiv.rs”.

Sipas mediave serbe, deri më tash janë identifikuar 15 doktorantë shqiptarë të dalë nga Universiteti i Kragujevcit. Për një është hasur edhe fizikisht në diplomë, derisa diplomat tjera janë gjetur në folderë të ndryshëm të kompjuterëve të universitetit.

Në gjithë këtë aferë, sipas mediave serbe, është inkuadruar edhe Qendra Evropiane për Paqe dhe Zhvillim (ECPD), e themeluar nga Kombet e Bashkuara e që ka filialet e saj në disa qytete të rajonit.

Një të tillë e kishte edhe në Prishtinë. Arsenijeviq në kohën kur janë lëshuar këto diploma, ishte rektor në Universitetin e Kragujevcit dhe dekan në ECPD. Përmendet viti 2016 kur janë lëshuar më së shumti diploma.

“Studentët shqiptarë me mjeshtri e shmangim emrin e universitetit të Kragujevcit në CV-të e tyre, e përmendin vetëm Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim”, shkruan “objektiv.rs”.

Sekretari i përgjithshëm i universitetit të Kragujevcit, Marko Llukiq, thotë se janë në procedurë të hetimit 15 disertacione të doktoratës të studentëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që i kanë fituar ato pa qenë të regjistruar programet studimore. Llukiq në një deklaratë për servizin publik serb “RTS” tha se të gjitha dokumentet në lidhje me diplomat e dyshimta, i janë dorëzuar Policisë së Serbisë.

Personat nga Kosova, që kanë fituar disertacionet e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit, sipas mediave serbe, janë Raif Ramabaja, Bashkim Arifi, Enes Sadovica, Fadil Krasniqi,. Hashim Çollaku, Ilaz Duli, Ilir Rodiqi, Muhamed Disha, Nuhi Sela, Osman Ejupi, Safet Hoxha, Shukrie Rama, Vehebi Sofiu, Veli Lecaj dhe Vjollca Visoka-Hasani.

“Koha” ka kontaktuar me dy prej tyre, Ilaz Dulin e Hashim Çollakun. Ai thotë se nuk ka të bëjë asgjë me Universitetin e Kragujevcit. Sipas Dulit, ai ishte i regjistruar për doktoraturë në ECPD dhe pasi në fund i doli problem kësaj qendre studimore në lidhje me diplomat, atë e mori në degën e Shkupit.

“Unë kam qenë në ECPD, ligjëratat i kam ndjekur në Prishtinë, ndërkohë diplomën e kam marrë në degën e kësaj qendre në Shkup. Diplomën tani e kam për nostrifikim në Ministrinë e Arsimit”, ka thënë Duli. “Unë kurrë nuk kam qenë në Kragujevc”.

Njëjtë gjë ka deklaruar edhe Hashim Çollaku. “Studimet për doktoraturë i kam ndjekur në Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim në Prishtinë, ndërkohë diplomën e kam marrë në Shkup. Kjo që ka dalë është gënjeshtër e madhe e serbëve, siç dijnë vetëm ata”, ka thënë Çollaku. Ai është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën e Apelit. Për një kohë ishte edhe kryetar i Apelit. Në CV-në e tij zyrtare, shkruan se ka fituar gradën Doktor i Shkencave Juridike në ECPD.

Ky “fenomen” sipas mediave serbe, është i shtrirë në gjithë rajonin. Të tilla, sipas tyre kanë fituar edhe banorët e Bosnjës dhe gazeta “Blic.rs” ka publikuar formën e diplomës për një doktorant nga Sarajeva. Gazeta ka fshehur emrin e personit në fjalë, pasi diploma do të shfrytëzohet për hetime. Por sipas kësaj gazete, ai kurrë nuk ishte i regjistruar në asnjë program të Universitetit të Kragujevcit./KOHA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore