Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kosova

Dështon Albin Kurti, 'Ligji për Zgjedhjet' nuk kalon në procedurë të përshpejtuar

Dështon Albin Kurti, 'Ligji për Zgjedhjet' nuk kalon në

Ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.

Për propozimin kanë votuar 65 deputetë, ndërsa kundër 39. Rrjedhimisht, nuk janë arritur 2/3 e votave të kërkuara.

Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës, mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky ligj do të shkojë në procedurë të rregullt.

“Ky projektligj do ta marrë rrugën e tij të shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Në sallë ishin 105 deputetë, kur është votuar për këtë iniciativë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë pas përfundimit të seancës se kryeministri Albin Kurti - lider i Lëvizjes Vetëvendosje - e ka kërcënuar demokracinë në Kosovë.

“U synua që të kërcënohet demokracia dhe rendi kushtetues. Nëpërmjet arrogancës së numrave u synua të shantazhohen deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Nëse ky ligj nuk tërhiqet, kryeministri Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje. Albin Kurti po ka frikë të qeverisë me vendin, edhe pse ka mjaftueshëm deputetë”, ka thënë Gashi.

Tahiri: Ishte farsë iniciativa e Qeverisë

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur farsë iniciativën e Qeverisë, duke thënë se qëllim i saj ishte shantazhimi i opozitës.

Duke folur për mundësinë që shumica parlamentare të thërrasë seancë për votimin e Vjosa Osmanit për presidente, Tahiri ka thënë se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në votim e as që do ta bëjë kuorumin.

“Sa i përket kandidatit për president, ne e kemi kandidatin tonë dhe ai është Ramush Haradinaj. Ne nuk do të bëjmë kuorum sa i takon zgjedhjes së presidentit”, deklaroi Tahiri.

Pavarësisht thirrjeve të mëhershme të opozitës që të tërhiqet nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje e ka shtyrë këtë çështje përpara.

Ndryshimet e ligjit do t'i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Ato janë kërkuar të bëhen përpara se deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për presidentin e ri të vendit.

LDK: Qeveria po e "shantazhon opozitën"

Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar gjatë ditës nga kryeministri Albin Kurti që të heqë dorë nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, pasi, siç ka thënë, me këtë veprim, Qeveria po e "shantazhon opozitën".

"Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti, ose nuk dëshiron ta zgjidhë këtë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t'u përballur me probleme të mëdha, të cilat ka premtuar se do t'i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët", ka thënë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media të mbajtur mbërmjen e së premtes.

Abdixhiku ka thënë se nëse Kurti nuk heqë dorë nga ndryshimet e këtij ligji, atëherë ai qëllimshëm dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje.

Këto deklarata të Abdixhikut vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe më pas ia ka proceduar Kuvendit.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore