Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Lirimi i Billës nga gjyqtarja Hoxha/ KLP shtyu me 1 muaj vendimin për shkarkimin e prokurorit Memia

Lirimi i Billës nga gjyqtarja Hoxha/ KLP shtyu me 1 muaj vendimin për

Hetimet për korrupsion për gjyqtaren Enkelejda Hoxhaj në lirimin e parakohshëm të persona të dënuar me burgim të përjetshëm, apo përpara përfundimit të viteve të burgimit përfshijnë edhe prokurorë të Prokurorisë së Krujës.

Dyshimet janë lindur pikërisht për prokurorin Bujar Memia, i cili sipas hetimeve dyshohet se ka heshtur për rastin e vendimit të dhënë nga Enkelejda Hoxha për lirimin e Hekuran Billës, personi që u vra gjatë një atentati rreth një vit më parë në zonën e njohur të Komunës së Parisit në Tiranë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë sipas asaj që mësuar Gazeta Shqip kishte paraqitur më herët masën disiplinore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin Bujar Memisë. Mbledhja e ballafaqimit me prokurorin Memia ishte parashikuar të realizohej në 10 shkurt në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por ajo u shty për shkak të disa propozimit të paraqitur nga Bujar Sheshi në KLP për disa arsye.

Sipas asaj që ka siguruar Gazeta “Shqip” në mbledhje nga prokurori Bujar Shehi, kryetari i komisionit të Disiplinës në mbledhjen e datës 10 shkurt u paraqit kërkesa për shtyrjen dosjes ndaj prokurorit Memia, i cili akuzohej për favorizim për lirimin e Hekuran Billës më 15 mars. Për këtë ishin paraqitur si argumente dy arsye: e para lidhej me faktin se dosja ishte tepër voluminoze, me rreth 3700 faqe, ndërsa argumenti i dytë lidhej me faktin se në KLP kishin ardhur dy anëtarët e rinj, Moisi Duda dhe Eloida Goxhi sapo kishin marrë detyrën dhe se nuk kishin pasur mundësi të njiheshin me dosjen.

Në këtë mbledhje që mungonte kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, drejtuesi i seancës Alfred Balla e cilësoi si të drejtën kërkesën për shtyrjen dhe vendimi  u miratua me tetë vota pro. Nga 15 shkurti, kërkesa për shqyrtim dhe seanca dëgjimore u shty më 15 mars.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë në qershor të vitit të kaluar paraqiti zyrtarisht kërkesën për shkarkimin e prokurorit Bujar Memia dhe kjo lidhej me favorizimin që iu bë lirimit të Hekuran Billës, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm.

ILD-ja gjithashtu kërkoi shkarkimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha, e cila vulosi lirimin e Billës. Hoxha është shkarkuar dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dhënë afat të përgatisë mbrojtjen e saj deri më 15 shkurt. Billa u ekzekutua në një atentat tek “Komuna e Parisit” në Tiranë, disa muaj pasi fitoi lirinë.

Si Hoxha dhe Memia duhej të ishin paraqitur më 15 shkurt në KLP për t’u mbrojtur, por kjo nuk realizua për shkak se ky organizëm që merret me vendimet disiplinore ndaj prokurorëve kërkoi më tepër kohë.

Më poshtë kërkesa e ILD-së për shkarkimin e Memisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur më datë 15.06.2020 verifikimin e fakteve të bëra publike nga media elektronike dhe ajo e shkruar gjatë transmetimit të lajmit për vrasjen në datën 11.06.2020 të shtetasit Hekuran Billa, mbi gjendjen gjyqësore të këtij shtetasi me burgim të përjetshëm nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, si dhe njohja e këtyre vendimeve nga ana e autoriteve gjyqësore shqiptare. Pas verifikimit të të dhënave shtesë të administruara nga Gjykata Rrethit Gjyqësor Krujë apo gjykatave të tjera lidhur me proceset gjyqësore të zhvilluara për rastet e paraqitura në media, më datë 16.07.2020, Inspektori i Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë për magjistratin Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në raport me faktet e provuara gjatë hetimit hetimi disiplinor dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të çdo prove veçmas dhe të gjitha provave së bashku, konstatohet se nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me:

– Mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit.

– Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit dhe mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin.

– Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit, mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor.

– Mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal.

Nga shqyrtimi i dosjeve e akteve gjyqësore dhe vendimeve të administruara nga ILD si dhe 9 vendimeve gjyqësore me objekt “Njohje e ditëve të paraburgimit për të dënuarit jashtë shtetit” dhe 25 vendime me objekt “Përfitim amnistie” sipas Ligjit nr.141/2016 “Për dhënie amnistie” me përfaqësues të prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë magjistratin Bujar Memia, duke marrë parasysh shkallën e pakujdesisë (fajësisë); shpeshtësinë e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes; përvojën dhe pozicionin e magjistratit në sistem; dëmtimin, mundësinë e shkaktimit të dëmtimit ose shkallën e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi; si dhe çdo situatë që është jashtë kontrollit të magjistratit dhe që mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor ose të prokurorisë, konstatohet se:

– Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin e prestigjit jo vetëm të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij, por dhe të prokurorisë, si përfaqësuese e interesit publik në gjykim, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia. Referuar “teorisë së dukjes”, drejtësia jo vetëm duhet të bëhet por edhe duhet të shihet. Në këtë kuptim, veprimet e kryera nga një prokuror si përfaqësues i organit të akuzës i vetë shtetit në përmbushje të detyrës së tij marrin rëndësi edhe në raport me çfarë shoqëria mendon.

– Zhvillimi i procedurave me objekt “Lirim me kusht” nga ana e gjykatës si dhe mungesa e ankimimeve të këtyre vendimeve është shoqëruar me një pasqyrim të gjerë mediatik, duke risjellë veprat penale të personazheve në fjalë. Mediat përmes raportimeve, analizave apo emisioneve të posacme kanë ndjekur me vëmendje ecurinë e veprimeve me lirimet e tyre. Rrjedhimisht, sjellja konkrete jo vetëm e gjykatës, por dhe pasiviteti dhe mosveprimi i prokurorit për të kontrolluar ligjshmërinë e kësaj vendimmarrje ndikoi në uljen e besimit publik tek sistemi gjyqësor, dhe nxiti hakmarrjen ndaj të dënuarit. Është fakt i njohur tashmë, ekzekutimi i të dënuarit H.B më datë 11.06.2020.

– Sjellja e papërshtatshme e magjistratit subjekt hetimi disiplinor nuk është shtrirë vetëm tek magjistrati subjekt i hetimit disiplinor por ka krijuar terren për sjellje të papërshtatshme edhe në rastet të tjera të ngjashme. Standardet e gabuara të qëndrimeve pasive të prokurorit ndaj vendimeve gjyqësore të kësaj natyre të Gjykatës së Rrethit Krujë, mund të aplikohen edhe nga magjistratë të tjerë, si dhe njëkohësisht mund të shërbejë si praktikë për edhe shumë të dënuar të tjerë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore të pretendojnë në kundërshtim me parashikimet e legjislacionit penal në fuqi për lirimin para kohe të tyre me kusht, përfitim amnistie, llogaritje kohe paraburgimi gjatë periudhës së qenies të dënuar, apo aplikimet alternative të dënimit pa marrë provat thelbësore në proces.

Për pasojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistratin Bujar Memia, të parashikuar nga neni 111 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 148/d pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç”, “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore