Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Fiks Fare/ Rrëfimi i përdoruesit të hashashit: Më kapën me 1.5 gramë, duan të më dënojnë me 10 vite burg!

Fiks Fare/ Rrëfimi i përdoruesit të hashashit: Më kapën

Një 40 vjeçar, përdorues prej shumë vitesh i hashashit, rrëfeu për Fiks Fare vuajtjet me drejtësinë, ku vetëm për 1.5 gramë kanabis, rrezikon një dënim prej 10 vitesh burg.

Ai tha se ka jetuar për vite me radhë në Itali dhe prej 7 vitesh në Shqipëri, ku punon në një Call Center në Fier. Pohon se prej 20 vitesh është konsumues i lëndës narkotike kanabis, por “jam i keqi i vetes, jo i të tjerëve”.

“E kam konsumuar rregullisht në Itali, por kurrë s’e kam shpërndarë! Nëse kam shitur qoftë edhe 1 herë të vetme, të më dënojnë” thotë ai. Në qershor të vitit 2022 e kanë kapur në Fier me 1.5 gramë hashash, pasi sapo kishte blerë “1 boçe”, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Fierit e akuzojnë për “mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike”, akuzë e cila parashikon një dënim nga 5 deri në 10 vite burg.

Vitet dhe muajt e fundit, në Shqipëri janë organizuar disa operacione antidrogë. Janë sekuestruar qindra kilogramë kokainë, janë kapur një mori dozash heroinë. Madje, janë gjetur dhe asgjësuar hashash në qindra parcela, të shpërndara në të gjithë vendin. Personat që e konsumojnë, punëtorët, apo edhe gratë që punonin për të mirëmbajtur punishtet, janë arrestuar dhe proceduar.

Ndërkohë, pronarët e ngarkesave me kokainë, ata që sjellin heroinë, apo edhe pronarët e parcelave të hashashit nuk janë arrestuar apo proceduar. Policia dhe prokuroria është mjaftuar me arrestime të “peshqve të vegjël”, duke mbushur burgjet me këta persona.

“10 vite burg për 1.5 gramë kanabis”

40 vjeçari nga Fieri tha për Fiks Fare se ka qenë konsumues prej gati 20 vitesh i hashashit. “Kam qenë në Itali që 17 vjeç, ndërsa edhe atje e kam pirë. Prej 7 vitesh qëndroj në Fier ku dhe punoj në Call Center. Kurrë nuk e kam shpërndarë, qoftë 1 herë të vetme. Vetëm sa e kemi pirë me shokët, bashkë. Nëse kisha 1 dozë, ua jepja atyre, ata mua. Në qershor 2022, në Fier, shkoj te zona e QTU-së. Blej 1 dozë, kisha 5 mijë lekëshin e fundit. Eci pak dhe më turren 15 policë. Më bie të fikët dhe e marr veten. Më bëjnë presion ku e ke fshehur, e shet, kujt ia shet. U thashë se e konsumoj vetë, biles ia tregova vetën ku e kisha në xhep. Më kontrolluan shtëpinë, e kthyen përmbys. Nuk më gjetën asnjë gjë. Më thanë ‘kësaj herë shpëtove, s’po të bëjmë gjë’. Më lanë të lirë” thotë 40 vjeçari.

Më tej pohon se në fillim të muajit nëntor 2022, i ka shkuar polici i zonës dhe i dërgon disa letra. “Kishin bërë hetime dhe doza që kisha unë, vetëm një boçe hashash, peshonte 1.5 gramë. Më kanë ngritur akuzën e ‘mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike’, 283/1, akuzë e cila parashikon një dënim nga 5 deri në 10 vite burg. Kurrë s’e kam shitur. Asnjë gramë në jetën time. Në telefon kam folur me shokët apo më kanë shkruar e gjeta këtu e atje. Nëse e kam shitur ndonjëherë të më çojnë në burg” përfundon ai.

Përdoruesit dhe prashitësit në burg, të lirë organizatorët

Në dokumentet e prokurorisë rezulton se janë bërë hetime dhe se lënda e gjetur është vetëm 1.5 gramë. Ndërkohë, të pandehurit i janë bërë analizat nga ku ka rezultuar se ai është përdorues i lëndëve narkotike. Por, për dozën 1.5 gramë thonë se “është e madhe” dhe se trupi i tij s’e përballon dot! Për këtë arsye, prokuroria e Fierit i ka ngritur akuzën e shpërndarjes! Fiks Fare telefonon oficerin e Policisë Gjyqësore që është marrë me këtë rast. Fillimisht thotë se nuk e mban mend rastin, por kur i përmendet emri, shton se “po”.

Por, nuk pranon të japë informacione për çështjen, pasi duhet t’i drejtohemi prokurorisë dhe e mbyll telefonin. Gazetarët e Fiks Fare shkojmë në Prokurorinë e Fierit për të takuar prokurorin Andi Pogaçe, i cili është prokurori i çështjes. Bëjnë një kërkesë për informacion, ku e pyesin nëse sasia 1.5 gramë quhet përdorim apo mbajtje. Por, deri në transmetimin e kësaj kronike, prokuroria dhe prokurori Pogaçe nuk kthejnë përgjigje. Në Kodin Penal nuk përcaktohen gramët dhe kjo i lihet në “dorë të lirë” prokurorit apo gjyqtarit.

Në nenin 283, fraksion 1, krahas dënimit nga 5 deri në 10 vite burg, nuk përcaktohet me sa gramë quhet përdorim, mbajtje apo shitje. Ky nen i jep dorë të lirë prokurorit apo gjyqtarit. Me këtë kategori të pandehurish, drejtësia është treguar e pamëshirshme, duke i hetuar, gjykuar dhe dënuar. Janë mbushur burgjet plot, ndërkohë që organizatorët apo ata që mbjellin, trafikojnë apo shesin me shumicë, janë gjithmonë të lirë./ Top Channel

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore