Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Bashkitë / Tendera të vegjël, abuzime të mëdha

Bashkitë / Tendera të vegjël, abuzime të mëdha

Nga raporti i vjetor i Komisionit të Prokurimeve Publike del se përgjatë vitit 2020 janë zhvilluar 6440 procedura tenderimi nga organet e njësisë qendrore dhe vendore me një vlerë totale rreth 240 mln euro.

Pjesa më e madhe e këtyre procedurave janë tendera që lidhen me shërbime dhe punë. Dy e treta e këtyre tenderave është realizuar nga bashkitë. Sipas Open Data Albania nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2020, numri i tenderave të realizuara nga 61 bashkitë e vendit dhe institucionet në varësi të tyre është 4,448. Kjo sasi tenderash është fituar nga 1290 operatorë ekonomikë, ose mesatarisht një kompani e caktuar ka fituar 4 tendera brenda vitit nga një bashki.

Pavarësisht se përbëjnë rreth dy të tretat e numrit total të procedurave të organizuara përgjatë vitit të kaluar, tenderat e bashkive zënë, një të pestën e shumës totale të tenderuar, ose rreth 50 mln euro nga totali i 240 mln eurove të tenderuar përgjatë vitit të kaluar.

Kjo argumentohet me faktin se tenderat e organizuara nga bashkitë kanë përgjithësisht vlera të vogla. Por, vlera e tyre nuk do të thotë se nuk i nënshtrohen të njëjtave rregulla, që kanë të bëjnë me transparencën, barazinë në garë dhe vlerësimin e ofertës më të ulët.

Megjithatë, të dhënat e 2020 tregojnë se këto rregulla shpërfillen në masë të madhe nga bashkitë. Vetëm nga 1 janari i 2020-s deri më 31 maj 2020, Open Data Albania identifikoi për vitin e kaluar 150 tendera me “Flamur të Kuq”.

Tenderat që markohen me “Flamuj të kuq” kanë si kusht që fituesi të mos jetë operatori me ofertën më të ulët dhe që më parë të jenë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë konkurrues në garë, përveç fituesit. Pra, në vetëm pesë muajt e parë të vitit të kaluar, ku nga marsi deri në qershor u pezulluan tenderat jo të domosdoshëm për shkak të pandemisë, janë 150 tendera me dyshimin se fituesi është paracaktuar.

“Nga data 1 janar e deri 31 Maj 2020 sistemi i përllogaritjes së riskut në tenderim për Bashkitë ka markuar me Flamur të Kuq, Red Flag 150 tendera të mbajtur nga bashkitë. Ky vlerësim risku vendos një shenjë në çdo tender ku shfaqet hapur rrezik dhe indicje për parregullsi të garës, mungesë gare apo konkurrence. 35 tendera janë të tillë pasi autoriteti kontraktues ka kualifikuar të gjithë operatorët me ofertë më të vogël duke ja dhënë statusin e fituesit një kompanie që nuk renditet me vlerë oferte më të mirë. Ndërsa 114 tendera të tjerë kanë marrë shenjën e riskut pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një operator duke dëshmuar mungesë besimi tek gara; kritere të mundshme klienteliste; afate të cunguara të tenderimit apo aullime të mëparshme ku janë demonstruar edhe parapëlqime klienteliste”, thotë Open Data Albania.

Megjithatë, tenderat e bashkive janë më pak të ankimuarit në Komisionin e Prokurimit Publik. Kjo ndoshta mund të interpretohet me vlerën e vogël të këtyre tenderave, që nuk i nxit operatorët ekonomikë që të ndjekin burokracitë e kundërshtimit të tyre në KPP, ku për më tepër ankimimet janë edhe me një pagesë të caktuar.

Raporti i KPP-së për vitin 2020 thotë se ankesat për procedurat e tenderimit me fond limit nga 0 deri në 1 milion lek zënë më pak se 3 për qind të totalit të ankesave. Përkatësisht, ankesat për procedurat me fond limit 800.001 lek pa përfshirë TVSH deri në 1 mln lek zënë rreth 2.02 për qind, ndërsa ankesat për tenderat me vlerë nga 0 deri në 800 mijë lek zënë vetëm 0.8 për qind të numrit total të ankesave.

Kategoria e tenderave me fond limit deri në 1 milion lek përbën numrin dërrmues të tenderave të hedhura nga 61 bashkitë e vendit dhe nga një vështrim i përgjithshëm i tyre, fituesi thuajse gjithmonë shpallet me ofertën mbi 95 për qind të fondit limit.

Shembuj

Bashkia e Sarandës hap më 31 mars një tender me objekt blerje karrigesh. Sipas njoftimit të publikuar edhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike fondi limit i vënë në dispozicion është 3 milionë lek të reja, pa TVSH, ose rreth 30 mijë euro bashkë me TVSH.

Nga dokumentacioni i tenderit sqarohet se karriket duhet të jenë metalike dhe të konceptuara për t’u vendosur në shëtitoren e qytetit. Tenderi përcakton 200 copë në total, 100 karrige teke dhe 100 të tjera dyshe. Pra, mesatarisht kostoja e një karrigeje përllogaritet te 150 euro.

Specifikimet teknike të tenderit ndahen në katër pika, që nga përmasat e këndi, e deri tek lyerja me bojë dekoratike elektrostatike dhe pjekja për herë të dytë që materiali të përballojë erozionin e detit.

Me specifikimet teknike të përcaktuara në këtë tender, Gazeta Shqip u interesua në disa pika prodhimi karrigesh dhe çmimi për realizimin e njërës prej tyre varionte nga 70 deri në 110 euro, pra nga 40 deri në 80 euro më pak se çmimi mesatar i tenderit të Bashkisë së Sarandës.

Rasti tjetër është Bashkia Mat. Më 26 mars të këtij viti, kjo bashki hap tenderin për blerje buke. Fondi limit i vendosur në dispozicion është 522 mijë lek të reja dhe fituese u shpall një operator ekonomik me ofertën 504.600 lek të reja. Në garë patën edhe ofertues të tjerë, por që u përjashtuan edhe për arsyen se aktiviteti i tyre nuk ushtrohej brenda territorit të Bashkisë Mat, që ishte kusht i vendosur në këtë tender.

Sipas marrëveshjes kuadër të publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Bashkia e Matit do të blejë një buke gruri me çmimin 87 lek pa TVSH, ose rreth 110 lek me TVSH, ndërkohë që bukët standarde në këtë qytet, ato që cilësohen si masive shiten me pakicë 80 lek bashkë me TVSH.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore