Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Të prekurit nga COVID-19, sa të besueshme janë statistikat zyrtare?

Të prekurit nga COVID-19, sa të besueshme janë statistikat

Pasditen e kësaj të hëne, datë 29 qershor, një lajm qarkulloi në rrjetet sociale për vdekjen si pasojë e koronavirusit, të një figure jo pak të njohur në fushën e mjekësisë, profesor dr Arjan Pushi.

Me profesion hematolog, mjeku prej një viti e gjysmë ishte tërhequr nga shërbimi i hematologjisë në QSUT për t’ju përkushtuar edukimit të brezit të ri të mjekëve, si lektor në fakultetin e Mjekësisë.

Por njoftimi që bëri një nga miqtë e tij në profilin e tij në facebook, u përhap shumë shpejt duke zënë vendet e para në lajmet e asaj dite, pasi bëhej fjalë për viktimën e parë nga Covid në radhët e mjekëve shqiptarë.

Nuk vonoi, por brenda pak minutash ministria e Shëndetësisë kundërshtoi zërat duke reaguar për lajmin sipas saj fals, por me një të vërtetë brenda tij, që doktor Pushi po luftonte me vdekjen dhe beteja ishte shumë e vështirë. Një ditë më pas, me datë 30 qershor ministria e shëndetësisë përmes një deklarate për mediat konfirmoi vdekjen e doktor Arjan Pushit si pasojë e infektimit nga koronavirus.

Por pse nuk u deklarua vdekja e tij një ditë më parë, sikurse vetë miqtë më të afërt të mjekut e dinin lajmin për humbjen e jetës së tij?

Në rajon dhe më gjerë, gjithnjë e më shumë po shtohen dyshimet se vende të ndryshme në rajon dhe më gjerë nuk raportojnë saktësisht jetët e humbura si pasojë e koronavirus.

Një rast i tillë është Serbia ku BIRN përmes një investigimi të tij, publikuar në datën 29 qershor,  ka zbuluar se të dhënat nga sistemi informues shtetëror për COVID-19 në këtë vend, tregojnë se kanë ndërruar jetë dy herë më shumë pacientë të infektuar sesa kanë raportuar autoritetet dhe qindra njerëz më shumë kanë rezultuar pozitiv për koronavirusin sesa raportohet zyrtarisht.

BIRN kreu një analizë të hollësishme të të dhënave nga sistemi informues, duke u përqendruar te pacientët që vdiqën dhe që rezultati i testit të tyre për COVID-19 ishte pozitiv.

Mospërputhja më e madhe në numrin e vdekjeve është vërejtur në Qendrën Klinike në Nish, qytet në jug të Serbisë, ku sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht, 77 pacientë vdiqën nga virusi.

Megjithatë, të dhënat ku BIRN kishte qasje tregojnë se ndërruan jetë 243 persona, rezultati i testit për COVID-19 të të cilëve ishte pozitivë – pra, 166 më shumë sesa ishin regjistruar zyrtarisht si vdekje nga COVID-19.

Në Qendrën Klinike “Dragisa Misoviç” në Beograd, numri i personave që ndërruan jetë duke qenë pozitiv për COVID-19 ishte 94, ndërsa shteti njoftoi vetëm 39 vdekje.

Po në Shqipëri a po fshihen statistikat reale të infektuarve me Covid-19?

Në raportimin më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se brenda 24 orëve janë testuar 368 persona prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë 82, ku Tirana vijon të jetë epiqendra e infeksionit me 30 raste të reja brenda një dite.

Por dyshimet janë se numri i personave të infektuar me Covid është më i lartë se sa raportohet. Me heqjen e karantinës, vendi ynë nisi t’i rikthehej normalitetit, duke u hapur pak nga pak të gjitha bizneset e mbyllura për një periudhë gati 2 mujore.

Baret e lokalet rinisën aktivitetin e megjithë protokollet e miratuara prej strukturave të shëndetësisë, masat që pronarët e këtyre bizneseve kanë marrë lënë për të dëshiruar.

Në adresë të gazetës "Shqip" kanë mbërritur dhjetëra denoncime nga qytetarët të cilët ankohen se kudo në kafe e lokale sheh grumbuj të rinjsh pa asnjë masë mbrojtëse, madje ka bare që lejojnë frekuentimin dhe të ambienteve të brendshme në kundërshtim me rregulloren e ministrisë.

Nga të dhënat zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se virusi po prek dhe moshat e reja ku ditët e fundit ka pasur të dhëna dhe për të rinj të infektuar me Covid.

Një pjesë e tyre janë asimptomatikë, ccka e shton rrezikun e përhapjes së virusit. Megjithëse rregullorja përcakton qartë periudhën e karantinës prej 14 ditësh pasi konstatohet se je infektuar me Covid 19, rreziku  qëndron në faktin se asimptomatikët nuk e respektojnë këtë pikë të rëndësishme të rregullores.

Por përveç kësaj, edhe kontaktet e tyre duhet të futen nw karantinë,  gjë e cila shihet me rezervë dhe nga vetë profesionistët e shëndetit publik.

Një burim konfidencial i tha gazetës "Shqip: se  një rast i tillë u konstatua tek fondacioni "Ivanaj' ku recepsionistja e tij ishte simptomatike, por vijonte të vinte në punë.

Në bisedat e përditshme, dëgjojmë raste të ndryshme me infektime prej Covid, ku burimi ka qenë djali apo vajza dhe ata që janë dëmtuar më së shumti janë prindërit e moshuar.

Nga ana tjetër, strukturat shëndetësore në shërbimin parësor, mjekët e familjes kanë për detyrë të raportojnë rastet me Covid dhe nga informacionet kryesisht në Tiranë përditë ka raste të reja që raportojnë qendrat shëndetësore.

Por, nëse të gjithë dëgjojmë histori Covidi dhe numërojmë pak a shumë mbi dhjetëra raste në zonat tona të banimit, numri i të prekurve nga COVID-19 do të duhet të ishte më shumë se 30 siç u raportua për 24 orët e fundit. Kush po gënjen dhe përse u shërben kjo?

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore