Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Studimi jep lajmin e mirë: Vaksina mbron ndaj varianteve të reja të koronavirusit

Studimi jep lajmin e mirë: Vaksina mbron ndaj varianteve të reja

Një hulumtim i ri sugjeron se vaksina kundër koronavirusit nga kompania Pfizer mund të mbrojë nga një mutacion i gjetur në dy variante shumë ngjitëse të COVID-19 që kanë shpërthyer në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut. Variantet po shkaktojnë shqetësim global ndërsa janë identifikuar edhe në vende të tjera.

Frika e përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit të gjetura në Angli dhe Afrikën e Jugut, po nxit përsëri mbyllje dhe masa të reja për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Por varianti i koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar nuk është i njëjtë me atë në Afrikën e Jugut, megjithëse ndajnë një mutacion të përbashkët të cilin shkencëtarët e kanë quajtur N501Y.

Mutacioni është modifikimi i proteinës që mbulon shtresën e jashtme të virusit. Ky ndryshim besohet të jetë arsyeja që ai është bërë më ngjitës. Shumica e vaksinave kundër koronavirusit përgatisin sistemin imunitar të njeriut që të diktojë proteinën në fjalë dhe ta luftojë atë.

Pfizer së bashku me hulumtues mjekësorë nga Universiteti i Teksasit në Galveston zhvilluan prova laboratorike për të parë nëse mutacioni ndikon tek efektet e vaksinës.

Në një studim ata përdorën mostra gjaku nga 20 njerëz që morën vaksinën. Antitrupat nga të vaksinuarit e luftuan me sukses virusin gjatë testeve laboratorike.

Lawrence Young, profesor i Onkologjisë Molekulare në Shkollën Mjekësore të Universitetit Warwick, beson se rezultatet paraprake janë premtuese, ndërsa thekson se janë paraprake dhe nuk janë shqyrtuar nga të tjerët.

“Ata kanë krijuar në laborator një variant të koronavirusit që përmban një mutacion të vetëm në proteinën që rrethon virusin, e që imiton një nga mutacionet e variantit anglez. Pra në thelb, nuk mbart të gjitha ndryshimet e ndodhura në variantin britanik të virusit, dhe sigurisht që nuk mbart të gjitha ndryshimet e variantit afrikano-jugor të virusit.”

Ndërsa përhapen nga një njeri tek tjetri, viruset vazhdimisht pësojnë ndryshime të vogla. Shkencëtarët kanë përdorur këto modifikime të vogla për të gjurmuar përhapjen e koronavirusit në botë që kur u zbulua për herë të parë në Kinë rreth një vit më parë.

Shkencëtarët britanikë kanë thënë se varianti i gjetur në Angli ende duket se ishte i ndjeshëm ndaj vaksinave. Shkencëtarët thonë se është e mundur që një virus të shndërrohet deri në atë pikë që vaksina nuk ka efekt, por ata thonë se kjo do të ishte në raste shumë ekstreme dhe të pazakonta.

Megjithatë, mutacionet e koronavirusit në Afrikën e Jugut janë më shqetësuese. Mutacioni shtesë i quajtur E484K është shqetësues thotë profesori Lawrence Young.

“Varianti afrikan është më shqetësues sepse ka më shumë ndryshime në gjenin që kodifikon proteinën që mundëson përhapjen e virusit, tek e cila është fokusuar ndërtimi i vaksinës për të aktivizuar sistemin imunitar për luftimin e virusit. Shqetësimi është se disa ndryshime të tjera do të ulnin efikasitetin e vaksinës ndaj variantit jug-afrikan.”

Studimi nga firma farmaceutike Pfizer gjeti se vaksina duket se funksionon kundër 15 mutacioneve të mundshme të virusit, por varianti jug-afrikan E484K nuk ishte në mesin e atyre që u testuan./ VOA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore