Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Si mund të qëndrojnë të sigurt punonjësit në vendet e punës gjatë pandemisë

Si mund të qëndrojnë të sigurt punonjësit në

•Teksa bizneset rihapen, si do të duken vendet e punës pas COVID-19?
•Stresi i pandemisë do të rëndojë gjendjen emocionale të shumë punonjësve.
•Punëdhënësit duhet të jenë të ndjeshëm ndaj faktit se shumë punëtorë nuk kanë mundësinë e zgjedhjes për t’u kthyer ose jo kur të hapen vendet e punës.
•Shumë menaxherë mund të tregohen më mirëkuptues ndaj punëtorëve që kanë kërkuar prej kohësh fleksibilitet më të madh.

Pas gati katër muajsh mbylljeje të detyruar për shkak të koronavirusit, shumë punonjësve në SHBA po u kërkohet të kthehen në zyra dhe dyqane, shkruan Forumi Ekonomik Global. Por lloji i vendit të punës ku do të kthehen, nuk është shumë i qartë.

Në fund të fundit, rastet e COVID-19 janë aktive dhe madje janë rritur në të gjithë vendin, dhe duke qenë se ende nuk dihen shumë gjëra mbi faktin se si virusi përhapet dhe sillet, shumë punëtorë pyesin veten nëse vendi i punës që do të gjejnë do të duket dhe do të funksionojë ndonjëherë si ai që kishin para mesit të marsit.
“Kjo është pyetja 6 milionë dollarëshe”, thotë profesoresha e menaxhimit në Wharton, Nancy Rothbard.

“Në një periudhë të afërt, nuk do t’i rikthehemi gjendjes që ekzistonte deri më 12 mars, të paktën në muajt e ardhshëm deri në një vit, ndërsa përpiqemi të mendojmë se si të punojmë të sigurt dhe të mos rrezikojmë veten dhe kolegët tanë nga kërcënimi i virusit. Kështu që, me siguri, në afatin e afërt gjendja do të jetë krejt ndryshe, me udhëzimet për distancimin social në lidhje me grumbullimet masive dhe uljen pranë njëri-tjetrit”.

Ata që kanë mundësi, do të vazhdojnë të punojnë në distancë, shton ajo. “Por unë gjithashtu mendoj se do të vijë një moment kur njerëzit do të duan t’i rikthehen përvojës më “normale” për sa i përket ndërveprimit me kolegët dhe takimeve ballë për ballë me njerëzit”, thotë Rothbard.

Tranzicioni fizik

Tranzicioni fizik në një vend pune, pritet të shoqërohet me rreziqe të vërteta, ashtu edhe të perceptuara, si dhe tensione të reja.

“Si mund të veprojmë me njerëzit që kanë frikë të kthehen në punë”? – pyet Peter Cappelli, profesor i menaxhimit në Wharton dhe drejtor i Qendrës për Burime Njerëzore. “Punëdhënësit në SHBA mund t’i detyrojnë ata të kthehen në punë – nëse punëtorët nuk mund të marrin më leje pune, ose nëse nuk kanë asnjë argument që janë veçanërisht të rrezikuar, siç është një punonjës që vuan nga një sëmundje e frymëmarrjes. Për më tepër, nëse nuk ka asnjë mundësi që punonjësi të kryejë punën dhe të ndihet i sigurt, punëdhënësi mund ta pezullojë pa pagesë ose ta pushojë përfundimisht nga puna”.

Një vend pune i tensionuar

Punëtorët mund t’i gjejnë zyrat shumë të ndryshuara pasi të kthehen nga mungesa e tyre disa-mujore. Por, edhe ne kemi ndryshuar nga kriza, sipas profesoreshës së marketingut në Wharton, Cait Lamberton. Krijimtaria dhe zgjuarsia më e madhe mund të jenë rezultat i një faze që i ka detyruar shumë veta të mendojnë ndryshe për mënyrën sesi punojnë. Punëdhënësit gjithashtu kanë vërejtur një produktivitet më të madh në disa raste. A do të zgjasë kjo pasi të kthehemi në vendin e punës?

“Ne po flasim për këtë si një proces shumë i arsyeshëm dhe sigurisht që është i tillë. Strukturat e vjetra prishen, ato lejojnë më shumë kreativitet, bëhen më elastike – ndodhin shumë gjëra të mira”, vuri në dukje Lamberton në një intervistë të shpejtë për Fast Forward të Wharton.

“Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh se nuk mund ta presim një gjë të tillë, në mënyrë të barabartë në të gjithë popullsinë”, shtoi Lamberton. “Për njerëzit që kanë humbur miqtë ose anëtarët e familjes, ose janë vetë të sëmurë, emocioni është një forcë tepër e fuqishme në formimin e njohurive. Dhe gjëra të tilla si trishtimi dhe pikëllimi kërkojnë një kohë shumë të gjatë për t’u tretur. Ato janë emocione që do të zvogëlojnë tendencën e veprimit, dhe teksa vazhdon ashpërsia e kësaj, pasi të gjithë ne pësojmë më shumë humbje personale, duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me pritshmëritë tona…”

Disa, natyrisht, nuk e kanë luksin e zgjedhjes në lidhje me kthimin e tyre në punë.
“Shumica e njerëzve në moshë pune kanë nevojë për të ardhura, ose nga puna, ose nga sigurimi në rast papunësie. Aftësia për të jetuar nga ndonjë burim tjetër të ardhurash ose kursime, nuk është një normë”, thotë profesori i studimeve juridike dhe etikës së biznesit në Wharton, Robert Hughes.

“Kërkesat e pranueshmërisë për sigurimin e papunësisë ndryshojnë nga shteti në shtet, por sigurimi i papunësisë zakonisht mbulon vetëm njerëzit që janë të papunë kur nuk është në dorën e tyre. Nuk ka të ngjarë që njerëzit të përfitojnë sigurim papunësie nëse ish-vendi i tyre i punës rihapet dhe ata zgjedhin të mos kthehen në punë, sepse kanë frikë nga infektimi me koronavirus. Kështu, kur shtetet dhe qytetet vendosin të heqin kufizimet mbi hapjen e bizneseve, ata jo thjesht po i lejojnë njerëzit të kthehen në punë. Por edhe po i detyrojnë njerëzit të kthehen në punë”.

Punëdhënësit duhet të jenë mirëkuptues ndaj faktit se shumë punonjës nuk kanë zgjidhje nëse do të kthehen në punë kur të hapen vendet e punës, thotë Hughes. “Në shumë raste, ofrimi i pagës së rrezikut, është një mënyrë e drejtë për t’i kompensuar punëtorët për rrezikun që po ndërmarrin duke qenë në vendin e punës. Por pagesa e rrezikut nuk mund të justifikojë dështimin e një punëdhënësi për të marrë masa sigurie”.

Një nga masat më të rëndësishme të sigurisë që duhet të ndërmarrin punëdhënësit është leja e punës me pagesë në rast sëmundjeje dhe një masë e tillë është domosdoshmëri etike, thotë ai. “Nëse ky veprim nuk ndërmerret, punëtorët, klientët, familjet e tyre dhe komuniteti i gjerë mund të vihen në rrezik. Nëse një drejtues ekzekutiv ose një pronar i një biznesi fitimprurës zgjedh të mos ofrojë leje me pagesë në rast sëmundjesh gjatë kësaj pandemie, megjithëse është në gjendje ta bëjë këtë, ai nuk mund të pretendojë se po fiton para të ndershme. Kemi të bëjmë me jetë që janë në rrezik”, thotë Hughes.

 

 

Rreziqet e pranisë fizike

Një problem tjetër është se ndërsa shumë vende pune kanë ofruar leje me pagesë, ajo nuk është në të vërtetë në kulturën e firmës. Prania e zgjatur mund të ketë qenë thjesht një nuancë në vendin e punës më parë, “por tani ekziston shumë më tepër frikë për këtë, dhe vendosja e politikave që kërkojnë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë, është më e rëndësishme”, thotë profesori i menaxhimit në Wharton, Stephanie Creary.

Për më tepër, menaxherët duhet të përcjellin mesazhin se akti i pranisë në punë nuk tregon se sa i përkushtuar është një punëtor në punë, “përndryshe thjesht do të ketë njerëz që paraqiten në punë kur në të vërtetë duhet të qëndrojnë në shtëpi. Duhet të ketë një ndryshim kulturor, kur është në rregull të vini në punë dhe kur nuk është mirë të vini në punë”.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë publikuar një sërë udhëzimesh që nxisin një vend pune krejtësisht të ndryshëm nga ai që praktikohej deri nga mesi i marsit. Ai përfshin eliminimin e udhëtimeve të përbashkëta me makinë dhe transportin publik, rekomandimin që maskat e fytyrës të mbahen në çdo kohë, tavolinat të vendosen të paktën gjashtë metra larg, të kontrollohet temperatura dhe simptomat, si dhe të eliminohen zonat e përbashkëta.

Megjithatë, edhe ekspertët nuk bien dakord mbi faktin se kur mund të konsiderohen të sigurta vendet e punës për punëtorët. “New York Times” anketoi kohët e fundit 511 specialistë të epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive në lidhje me planet për rikthimin e aktiviteteve normale, si fluturimet ose prerja e flokëve, dhe kur është fjala për të punuar në një zyrë të përbashkët, vetëm 27% thanë se presin rikthimin në zyrë këtë verë. Përqindja më e madhe – 54% – tha se kjo mund të ndodhë 3 deri në 12 muaj më vonë.

“Sado që e urrej punën nga shtëpia, mendoj se të punosh në një hapësirë të përbashkët e të mbyllur, është gjëja më e rrezikshme që mund të bëjmë”, tha për “Times”, Sally Picciotto nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley. Ajo ishte ndër 18% që parashikonte se duhet të presim një vit ose më shumë para se të kthehemi në zyrë.

Disa kompani si Twitter, thonë se punëtorët e tyre mund të jenë në gjendje të punojnë nga shtëpia “përgjithmonë”. Facebook thotë se gjysma e punonjësve të tij përfundimisht mund të punojë plotësisht nga shtëpia.
Numri i njerëzve që kanë punuar nga shtëpia midis mesit të marsit dhe prillit u dyfishua në 62%, sipas një sondazhi të Gallup më 2 prill, ku u anketuan 2,276 amerikanë mbi moshën 18 vjeç. Tre në pesë prej tyre që kanë punuar nga shtëpia do të dëshironin të vazhdonin kështu, edhe pasi të ketë mbaruar kriza e shëndetit publik.

 

 

Një provë e madhe, shpresa në horizont

Nuk është ende e qartë si do të praktikohet teoria e ndryshimit të zyrës fizike. Por duket se kriza e COVID-19 mund të ndihmojë në rënien e konceptit të zyrës së hapur të promovuar kaq gjatë në kulturën e korporatave.
“Duket e bukur si pamje, por nga pikëpamja e punës është shpërqendruese dhe privatësia është vërtet e vështirë”, thotë Rothbard.

“Koncepti i zyrave të hapura mund ta vështirësojë thellimin në punë, dhe mendoj se duke pasur parasysh çështjet shëndetësore që po shohim tani, mund të jetë më sfiduese. Pandemia ka nxjerrë në pah fuqinë e ajrit të pastër dhe qarkullimin e ajrit. Përhapja e grimcave është e rëndësishme, kështu që të kesh një zyrë me dritare që hapen gjithashtu mund të jetë e dëshirueshme. Aftësia për të kontrolluar higjienën e hapësirës së punës do të jetë e rëndësishme për njerëzit në të ardhmen”.

Kriza e COVID-19 gjithashtu ka nxitur ndryshime të caktuara në jetën profesionale që ka të ngjarë të vazhdojnë. Shumë menaxherë mund të bëhen më mirëkuptues ndaj punëtorëve që kanë kërkuar prej kohësh fleksibilitet më të madh. Në fund të fundit, për disa menaxherë, kjo periudhë mund të ketë qenë hera e parë që kanë përjetuar përplasjen e jetës profesionale dhe asaj shtëpiake – një vogëlush dhe një takim profesional në Zoom që kërkojnë vëmendje njëkohësisht.

“Mendoj se është e qartë që disa nga strategjitë që po i përdorim tani, në fakt po nxjerrin në pah çështje të tilla si barazia gjinore dhe fleksibiliteti në vendin e punës që shumë veta e kanë mbrojtur për një kohë të gjatë”, thotë Creary. “Dhe mbase punëtorët nuk kanë marrë mbështetje për to në të kaluarën, ose po penalizoheshin, kështu që kjo është si një provë e madhe. Mendoj se nuk ka të bëjë vetëm me kohën e tanishme, gjatë COVID-19 – por është një çështje mbi mënyrën e re të punës.

Sado sfiduese që ka qenë situata për të gjithë ne të cilët nuk kemi pasur akses ndaj burimeve normale gjatë punës, besoj se kjo kohë ka qenë e dobishme në nxitjen e diskutimeve për qasjen dhe barazinë. Tani jemi më mirëkuptues ndaj orarit më fleksibël të punës dhe njerëzve që nuk mund të përgjigjen në telefon sepse janë të zënë me përgjegjësi të tjera si kujdesi për të tjerët dhe mund të imagjinojmë një të ardhme, ku disa nga këto politika institucionalizohen ashtu siç duhet”.

Ndoshta, gjithashtu, punëtorët do të kthehen në zyrë, ose dyqan me një aftësi të re për ta thjeshtuar punën në përbërësit e saj më thelbësorë. Për menaxherët në veçanti, ky moment është një mundësi për të qenë të qartë me punëtorët se cilat janë pritshmëritë, thotë Rothbard.

“Cilat janë kërkesat e punës? Çfarë duhet të bëjmë? Cila është detyra kryesore dhe cilat janë elementet periferike të detyrës? Menaxherët duhet të jenë të qartë për metrikat dhe pritshmëritë. Kjo do t’u japë qartësi njerëzve, veçanërisht kur kthehen në punë, mbi faktin se cili duhet të jetë saktësisht fokusi i tyre. Dhe kjo qartësi do të ndihmojë në zvogëlimin e pasigurive që po ndiejmë të gjithë”./ Monitor 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore