Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Shpërthimi i Covid/ Imunologu Sulçebe: Rritje të qarkullimit të virusit, imuniteti rritet deri në fund të dimrit

Shpërthimi i Covid/ Imunologu Sulçebe: Rritje të qarkullimit

Imunologu Genc Sulçebe në një intervistë për gazetë “Shqip” shpjegon gjetjet e studimit të kryer në bashkëpunim me epidemiologun Alban Ylli në lidhje me imunitetin e fituar nga prekja prej covid 19. Sulçebe thotë se Shqipëria në raport me vendet e rajonit e më gjerë, është shumë larg krijimit të fitimit të imunitetit të tufës. Rezultatet e studimit treguan se në vendin tonë kemi një rritje të qarkullimit të virusit cka do të sjellë dhe për pasojë infektimin në popullatë që do të çojë në krijimin e antitrupave specifikë.

Cilët janë rezultatet e studimit që keni ndërmarrë nga ju dhe doktor Alban Ylli?

Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, në fund të majit 2020 ne studiuam praninë e antitrupave anti IgG specifike për SARS-CoV-2 në 128 dhurues gjaku të qytetit të Tiranës, të cilët konsiderohen si përfaqësues të popullatës normale të shëndoshë. Vetëm një nga dhuruesit doli pozitiv, pra përqindja e pozitivitetit doli e ulët, 0.8 për qind.

Kjo shifër e ulët dëshmon për një qarkullim të kufizuar të virusit në popullatë në periudhën kohore, mars, prill, maj. Një muaj më vonë, në javën e parë të korrikut 2020, ne studiuam pozitivitetin e antitrupave IgG specifike ndaj virusit SARS-CoV-2 në 264 individë të moshave 20 deri 70 vjeç të përzgjedhur në mënyre të rastësishme nga regjistrat e mjekëve të familjes të Qendrave Shëndetësore Nr, 3, 7, 8 dhe 9 të qytetit të Tiranës, të cilat përfaqësojnë një popullatë të përgjithshme prej rreth 202 000 banorë.

Rezultatet e përftuara tregojnë një variabilitet të lartë midis qendrave shëndetësore që u studiuan. QSH Nr. 7 pati një pozitivitet 0% në 57 individë, QSH Nr. 8, 2.8% në 71 individë,  QSH Nr. 3, 6.3% në 79 individë dhe QSH Nr. 9, pati një pozitivitet prej 17,5% në 57 individë të studiuar. Pozitiviteti i përgjithshëm në të katër qendrat shëndetësore ishte 6.4%.

Çfarë nënkupton për ju shifra 6-7 përqind e popullatës ka fituar imunitet? Sa duhet të jetë përqindja që të arrihet imuniteti i tufës?

Shifra prej shifra 6-7 për qind e popullatës pozitive për antitrupa IgG ndaj virusit tregon se këta individë kanë rënë në kontakt me këtë virus, qoftë me apo pa shenja klinike dhe për rrjedhojë kanë tashmë një imuniteti specifik për infeksionin Covid-19.

Nisur nga shifrat e reja që evidentohen cdo ditë, sipas studimit tuaj, si do ta përshkruanit situatën epidemiologjike në vendin tonë?

Aktualisht kemi një rritje të qarkullimit të virusit në komunitet që do të shprehet sigurisht dhe me një rritje progresive të pozitivitetit për antitrupa anti SARS/CoV/2 në popullatën tonë. Kjo do të shihet në një fazë të tretë të studimit që do të kryhet pas 2 muajsh.

Në dallim me vendet e rajonit, jemi më keq?

Çdo vend ka karakteristikat e veta. Në përgjithësi në Evropë përqindja e pozitivitetit të antitrupave anti Covid 19 është rreth 10 për qind. Gradualisht edhe popullata shqiptare do të shkojë në  këto shifra ndoshta dhe më tepër.

Çfarë rekomandimesh i sugjeroni autoritevete përgjegjëse për përmirësimin e situatës? 

Në kushtet e lehtësimit të "lockdoën" si dhe të lëvizjeve të konsiderueshme të popullatës në stinën e pushimeve verore, për të frenuar qarkullimin e virusit, Akademia e Shkencave e Shqipëriëe rekomandon si më poshtë:

1.Duhet të ndërpritet lehtësimi i mëtejshëm i masave që kufizojnë grumbullimet e personave. Kështu shërbimet e restoranteve dhe bareve në mjedise të mbyllura, aktivitetet shkollore në mjedise të mbyllura, aktivitete artistike dhe sportive me spektatorë në salla të mbyllura  duhet të vijojnë të ngelen të ndaluara. Duhet të dekurajohen gjithë aktivitetet e natyrave të ndryshme që krijojnë grumbullime masive të njerëzve.

2. Të merren masa të rrepta për të siguruar mbajtjen e e detyruar të maskave sidomos në mjedise të mbyllur publikë si dhe të shihet mundësia t'u sigurohen falas atyre në pamundësi për t'i blerë ato.

3. Duhet të përshkallëzohen aktivitetet inspektuese lidhur me respektimin e  protokolleve të funksionimit të shërbimeve të tregtisë, transportit dhe industrisë.

4. Të vijohet me forma të ndryshme të ndërgjegjësimit të publikut lidhur me përshtatjen e sjelljeve vetjake për të ulur riskun nga infektimi. Fokus më i madh duhet treguar ndaj grupeve të veçanta të popullatës që shprehin rezistencë ndaj informacionit.

5. Të  intensifikohet aplikimi i praktikave për mbrojtjen e grupeve me risk te lartë, sidomos të moshuarve.

6. Të inkurajohet kudo ku është e mundur puna nga shtëpia.

7. Të intensifikohen aktivitetet e testimit dhe izolimit të personave të infektuar në komunitet.

8. Të vijohet me inkurajimin e monitorimit serologjik në grupe të ndryshme të popullatës. 

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore