Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër rënie

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër rënie

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër rënie të lehtë për muajin prill.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill ky tregues zbriti në 7.88%, nga 7.96% që kishte qenë në fund të muajit mars.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues ka rënë me 0.4 pikë përqindje. Ky raport ka vazhduar të bjerë edhe pas përfundimit të afatit të masave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, që iu lejonin bankave të mos klasifikonin si të këqija kreditë e ristrukturuara gjatë periudhës.

Masat patën sidomos ndikim në portofolin e kredive për biznesin, ku në disa sektorë efektet e krizës ishin më të forta dhe më të gjata në kohë. Këto masa ishin në fuqi deri në fund të marsit dhe gjithsesi do të duhet ende pak kohë që të kuptohet nëse kreditë e ristrukturara do të kenë një performancë të mirë.

Heqja e shumicës së kufizimeve dhe pritshmëritë e larta nga sezoni turistik kanë krijuar një pritshmëri optimiste mes bankierëve se cilësia e portofolit të kredisë nuk do të ketë pasoja shqetësuese edhe gjatë muajve në vazhdim. Edhe duke pasur parasysh vlerën totale të portofolit të ristrukturuar, në projeksionet e tyre bankat nuk presin një rritje të raportit të kredive me problem me më shumë se 2%.

Vazhdimësia e rritjes pozitive të kreditimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me problem, pavarësisht krizës. Sidoqoftë, kriza nuk ka kaluar krejt pa pasoja dhe sipas Bankës së Shqipërisë në kushte normale ulja e raportit të kredive me probleme do të kishte qenë më e madhe.

Efekti i krizës u përcoll më shpejt sidomos te huamarrësit më të vegjël, që patën më pak mundësi të përballonin përkeqësimin e situatës së tyre financiare nga humbja e punës apo mbyllja e aktivitetit tregtar. Mungesa e mjeteve për ta amortizuar krizën e ndikoi në mënyrë më të shpejtë aftësinë e tyre paguese.

Të dhënat e bankës qendrore tregojnë se në fund të muajit prill raporti i kredive me probleme për individët ishte në nivelin 5.47%, ndërkohë që në mars të vitit të kaluar, në kohën e shpërthimit të pandemisë, kishte qenë 5.21%. Ky tregues shënoi rritjen më të ndjeshme në muajt shtator dhe tetor të vitit të kaluar, periudhë që përkon me përfundimin e moratoriumit pothuajse gjashtëmujor të pagesave të kësteve që u vendos nga Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e bankave tregtare.

Në muajt e fundit të vitit 2020, ky raport ra pranë niveleve aktuale dhe që atëherë nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha, me përjashtim të një rritjeje të lehtë dhe të përkohshme në muajin shkurt.

Ndërkohë, bizneset e patën pak më të lehtë menaxhimin e goditjes fillestare të krizës, falë rezervave të krijuara dhe mbështetjes së vazhdueshme të sektorit bankar me hua për të vijuar aktivitetin. Në këtë segment gjithashtu ndikuan shumë edhe masat që lehtësuan ristrukturimin e kredive.

Raporti i kredive me probleme për bizneset ka vazhduar rënien dhe në fund të muajit prill ky raport zbriti në 9.42%, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë. Raporti i kredive me probleme të bizneseve nuk ka shënuar ndonjë moment rritjeje të mirëfilltë pas shpërthimit të pandemisë, megjithatë pasojat tek ky kontigjent i huamarrësve do të duken ndoshta duke filluar nga mesi i këtij viti. Ecuria e segmentit të biznesit ngelet përcaktuese në cilësinë e portofolit të kredisë bankare, sepse ky segment përbën më shumë se 60% të totalit të huasë për ekonominë./Monitor/

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër rënie

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore