Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

QSUT, Kardiokirurgjia redukton operacionet, por koronaret të pamundura për shkak të COVID

QSUT, Kardiokirurgjia redukton operacionet, por koronaret të pamundura

Pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, janë kategoria e të sëmurëve kronikë që po lihen në harresë për shkak të vëmendjes që ka marrë për autoritetet shëndetësore virusi Covid-19.

Ekzaminimi i koronares, e cila konstaton rrezikshmërinë e të prekurit nga infarkti që prej periudhës së izolimit në muajin mars nuk po kryhet sipas planifikimit pasi spitalet janë kthyer në dispozicion të pacientëve me Covid-19.

Ana ka bashkëshortin e saj me insuficencë kardiake dhe në muajin prill duhet të kryente ekzaminimin e radhës të koronares. Por mjeku kardiolog që punon në shërbimin e hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi” nuk ja ka sugjeruar vizitën për shkak të rriskut të infektimit në ambientet spitalore të pacientit.

“Nuk e dimë kur do e bëjmë koronaren, përveç analizave të tjera që duhet të kryejë në spital. Në rast emergjente nuk dimë ku të drejtohemi, veçse të paguajmë në klinika private”, thotë bashkëshortja e pacientit kardiak.

Por çfarë po ndodh në shërbimin e kardiokirurgjisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë?

I pyetur nga Gazeta “Shqip”, shefi i kardiokirurgjisë në QSUT, Evdin Prifti tha se operacionet e zemrës nuk janë ndërprerë asnjëçast që nga shfaqja e virusit Covid-19 në vendin tonë.

QSUT, Kardiokirurgjia redukton operacionet, por koronaret të pamundura

“Shërbimi ynë nuk e ka ndërprerë punën për asnjë çast. Ne kemi ulur ritmin, duke reduktuar numrin e operacioneve, nga 4-5 në ditë që bënim dikur, në 2 operacione por ama jemi në punë çdo ditë dhe përballojmë të gjitha kërkesat që na vijnë nga spitali”, u shpreh doktor Edvin Prifti.

Në lidhje me masat e marra për parandalimin e Covid, shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë në QSUT tha se ka pasur edhe raste të pacientëve kardiakë të prekur me koronavirus.

“Kemi pasur raste kur pacienti kardiak në pritje të operacionit, ka pasur shenja të prekjes nga virusi covid. Pas kryerjes së tamponit, ai është shtruar në spitalin infektiv ku është trajtuar në kohë rekord nga stafi dhe ne kemi bërë riplanifikimin e operacionit sapo ai të plotësojë kohën e plotë të rikuperimit nga virusi”, tha për “Shqip”, kardiokirurgu Edvin Prifti.

Por ekzaminimi i koronares, që parandalon infarkin e miokardit mbetet një problem serioz. Pa këtë analizë, pacientët nuk i nënshtrohen dot operacionit. Të dhënat e deritanishme kanë treguar lidhjen e virusit covid me patologjitë e zemrës ku infarkti është një nga pasojat e tij, në rast sulmi ndaj organizmit.

Qendra spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë ende nuk ka dhënë një përgjigje se si po menaxhohen shërbimet e tjera në këtë situatë pandemie por e vetmja shpresë për pacientët mbeten klinikat e spitalet private që në këtë periudhë duket se po rezultojnë biznesi më fitimprurës.

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore