Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Pse po ikin të rinjtë shqiptarë?! Të dhënat e Eurostat: Kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta në Evropë dhe rajon

Pse po ikin të rinjtë shqiptarë?! Të dhënat e Eurostat:

Ikja e të rinjve është kthyer në një problem vërtet shqetësues për vendin, duke ndikuar tregun e punës, konsumin dhe në afatin më të gjatë duke rrezikuar produktivitetin, mirëqenien ekonomike dhe sistemin e pensioneve.

Të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi një nga arsyet e kësaj ikjeje: të ardhurat e ulëta. Sipas shifrave të Eurostat, të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 16-24 vjeç kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta, jo vetëm në Europë, por edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit.

Eurostat ka publikuar treguesin e të ardhurave mediane të disponueshme që mat të ardhurat totale të një familjeje, pas taksave dhe zbritjeve të tjera, që janë në dispozicion për shpenzim ose kursim, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes (të konvertuar në të rritur).

Treguesi shprehet sipas standardeve të fuqisë blerëse për banor (PPS) dhe është i detajuar krahas totalit edhe sipas grupmoshave.

Për grupmoshën shqiptare 16-34 vjeç, të ardhurat mediane janë 4,226 PPS, nga 16,385, që është mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën grupmoshë, ose sa rreth 26% e mesatares europiane. Të konvertuara në monedhën kombëtare, sipas Eurostat, shifra e të ardhurave mediane vjetore për banor është 299 mijë lekë. (mediana nënkupton që gjysma e popullsisë ka të ardhura të disponueshme më të ulëta se 299 mijë lekë dhe gjysma më shumë). Ndërsa të ardhurat mesatare janë 346 mijë lekë, po sipas Eurostat.

Të rinjtë në rajon kanë më shumë të ardhura të disponueshme. Për Maqedoninë e Veriut, treguesi është 5,421 PPS, ose 28% më e lartë sesa në Shqipëri.

Në Serbi, të ardhurat e të rinjve të krahasueshme sipas fuqisë blerëse janë 6,410, ose 52% më të larta sesa të të rinjve shqiptarë.

Në Mal të Zi, treguesi është 6,050 PPS, ose 43% më i lartë sesa grupmosha 16-24 vjeç në Shqipëri.
Të dhënat e Eurostat për rajonin janë për vitin 2020, ndërsa mungojnë shifrat për Kosovën.

Sipas Eurostat, të ardhurat ekuivalente të disponueshme llogariten në tre hapa:
– mblidhen të gjitha të ardhurat monetare të marra nga çdo burim nga çdo anëtar i një familjeje; këto përfshijnë të ardhurat nga puna, investimet dhe përfitimet sociale, plus çdo të ardhur tjetër të familjes; tatimet dhe kontributet shoqërore që janë paguar, zbriten nga kjo shumë;
– për të pasqyruar ndryshimet në madhësinë dhe përbërjen e një familjeje, të ardhurat totale (neto) të familjes pjesëtohen me numrin e ‘të rriturve ekuivalent’, duke përdorur një shkallë standarde (ekuivalente): shkallën e modifikuar të OECD; kjo shkallë u jep një peshë të gjithë anëtarëve të familjes (dhe më pas i mbledh këto për të arritur në madhësinë e barabartë të familjes):
-1.0 për të rriturin e parë;
-0,5 për personin e dytë dhe secilin pasues të moshës 14 vjeç e lart;
-0.3 për çdo fëmijë të moshës nën 14 vjeç.

Së fundi, shifra që rezulton quhet e ardhura e disponueshme ekuivalente dhe i atribuohet në mënyrë të barabartë secilit anëtar të familjes.

Për Shqipërinë, treguesi është 4,385 PPS, që i referohet vitit 2020, nga rreth 18 mijë PPS që është për mesataren e Bashkimit Europian (për 2020-2021), ose sa 24.4% e mesatares europiane. /Monitor/

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore