Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Përfaqësuesja e OBSH-së zbulon skenari më të keq për Shqipërinë, çfarë pritet të ndodhë në dimër

Përfaqësuesja e OBSH-së zbulon skenari më të keq

Shifrat e larta të infektimeve dhe vdekjet çdo ditë që po regjistron COVID në Shqipëri, mund të frenohen edhe pa shkuar në izolimin total 2 mujor që vendi ynë kaloi në kulmin e pandemisë. Por për të shmangur rimbylljen, duhen masa strikte. Përfaqësuesja e OBSH në Shqipëri, Bettina Menne, në një intervistë për “Report Tv”, thotë se vëmendja duhet treguar në radhë të parë tek institucionet shëndetësore.

“Deri tani jemi ende nën numrin 100 të shtruar në spital dhe kjo është një situatë që ka qenë pak a shumë konstante, megjithatë ka shumë mënyra që mund ta kontrollojmë këtë situatë  pa qenë e nevojshme që të kalojmë në mbyllje totale sërish, por vetëm me masa të caktuara.

Është shume e rëndësishme që të merren të gjitha masat parandaluese dhe sidomos në ambiente të tilla siç janë institucionet shëndetësore, spitalet, qendrat shëndetësore e kështu me radhë. Gjithashtu theksojmë rëndësinë e të gjitha masave mbrojtëse në kompani të ndryshme industriale, në restorante, në bare dhe të gjitha ato ambiente ku kemi një numër të madh njerëzish, të cilët mblidhen aty”.

Por çfarë nënkupton OBSH kur thotë se e keqja nuk ka ardhur akoma? Ardhja e dimrit parashikon skenarin më të keq: Prekjen e moshave të reja.

“Mbas stinës së verës do të kemi shumë shpejt dimrin dhe siç e dimë gripi është një nga sëmundjet që shfaqet më tepër në dimër sepse njerëzit rrinë më tepër në dhoma të mbyllura për një kohë më të gjatë dhe sigurisht që do të rezultojë në një numër më të lartë të sëmurësh dhe në mosha të reja, kryesisht nga 18-50 vjeç.  Ky është skenari le të themi, situata më e keqe që ne kemi parashikuar dhe të shpresojmë, shpresojmë shumë që një vaksinë të arrijë të bëhet e mundur ndoshta për një periudhë maksimale një vjeçare".

Teksa në Shqipëri autoritetet nuk kanë ende një vendim për maskat me detyrim, përfaqësuesja e OBSH në vendin tonë, ka një sugjerim; “Të gjithë personat që janë mbi 60 vjec duhet të mbajnë patjetër maskë, çdo person që ka një sëmundje duhet të mbajë maskë. Nëse shkoni në spital dhe shikoni se një mjek apo infermier nuk ka maskë, ju lutem ngriheni zërin dhe bëjani të ditur këtë domosdoshmëri atyre”.

Çështjes të shumëdebatueshme në Shqipëri për shtimin e testimeve, doktoresha i përgjigjet: “Nëse rrisim testimet nuk do të thotë se patjetër do të kemi më pak njerëz të infektuar. Mesazhi është i qartë, izolohuni, karantinohuni dhe pastaj mund të testoheni. Vetëm nëse keni simptoma gjatë izolimit, gjatë kësaj periudhe karantine do të testoheni. Pra nuk është vetëm që në fazë të parë testim testim testim”.

Por përse Shqipëria u fut në “listën e zezë” të BE-së duke na mbyllur kufijtë?

“Ne gjithmonë jemi të kujdesshëm që të parashtrojmë se cilat janë vendet që kanë një rritje të rasteve apo ulje të rasteve dhe ajo që kemi pasur në një tabelë të fundit ishte paraqitje e 11 shteteve në mënyrë të cilësuar të cilat kishin një rritje të menjëhershme të konsideruar të rasteve, është marrë për bazë një mesatare progresive, 16 persona të infekuar për 100 mijë banorë dhe Shqipëria kishte 30 persona të infektuar për 100 mijë banorë, ndërkohë që mesatarja evropiane luhatej diku tek 15-16-17 persona të infektuar për 100 mijë banorë”.

Për doktoreshën Menne përgjegjësia e luhatjeve në shifrat e infektimeve është edhe e vetë qytetarëve. “Është shumë e rëndësishme që të forcohen të gjitha masat paraprake dhe mbi të gjitha të ruhet distancimi fizik. Ju të rinjtë keni një rol kryesor në të gjithë këtë proces, për tu mbrojtur, për tu ruajtur dhe për të mos u infektuar, sepse jeni ju të rinjtë që me anë të propagandës, në mediat sociale, në komunikimet tuaja ti transmetoni të tjerëve të gjitha këto mesazhe, duke mbrojtur veten tuaj ju mbroni nënë tuaj, babanë tuaj, gjyshin, gjyshen, të gjithë njerëzit që keni pranë. Ky është mesazhi im kryesor për të gjithë ju për të gjithë njerëzit e këtij vendi të mrekullueshëm”.

Në intervistën e saj për Report Tv, Përfaqësuesja e OBSH Bettina Menne tregon se aktualisht ka 18 vaksina kandidate, njëra është në fazën 3, pra në fazën e fundit.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore