Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Terr informacioni tek Spitali Infektiv, 70-vjeçari me Covid lidhet me familjen pas 24 orësh

Terr informacioni tek Spitali Infektiv, 70-vjeçari me Covid lidhet me

Në këto ditë të ngarkuara me stres dhe panik si pasojë e frikës së infektimit nga koronavirus, historitë më të trishta janë ato që ndodhin brenda mureve të spitaleve covid që trajtojnë pacientët e infektuar në gjendje të rëndë.

Një prej tyre është dhe i moshuari Bashkim Sulollari, 70-vjeç, i cili mëngjesin e djeshëm u drejtua për një injeksion qetësues në qendrën shëndetësore të lagjes, pa ditur se për pak orë do të përfundonte në spital.

I moshuari ishte prej disa ditësh në gjendje jo të mirë dhe djali e kishte bindur të bënte një gjilpërë qetësuese por insistimi i mjekes së familjes bëri që të konfirmohej dyshimi i saj se I moshuari ishte I prekur nga koronavirusi.

Djali i tij kontaktoi mjekun që e mori në ngarkim babanë e moshuar, duke i kërkuar me shumë lutje ta informonte për gjendjen e tij shëndetësore gjatë ditës.

Pas marrjes së premtimit, e gjithë familja priste më kot një telefonatë, një mesazh nga spitali për situatën. Deri në mbrëmje vonë askush nuk dinte gjë se si po shkonte trajtimi mjekësor.

I gjendur përballë kësaj situate, djali kërkoi ndihmën e instancave të tjera të ndërhynin për të mësuar se si ishte i ati. Shumë telefonata në një hark kohor të shkurtër u bënë mbrëmjen e djeshme, duke nisur që nga infermierja e turnit, kryeinfermierja e pavionit por më kot, askush se dinte ku kishte përfunduar i moshuari i gjorë. Vetëm në mesnatë u mësua për gjendjen e tij, nga një info e marrë prej mjekut që siç duket kishte harruar mes morisë së punëve të informonte familjarët për situatën.

Por kjo nuk është e vetmja histori ku indiferenca dhe mënyra jo njerëzore e trajtimit të pacientit ka çuar deri në irritimin  e familjarëve që presin jashtë dyerve të spitalit me shpresë se dikush do të dalë t’i informojë.

Të kontaktuar nga “Shqip”, disa të afërm të pacientëve thonë se spitalet po u duken si burgje dhe të afërmit e tyre të burgosur ku mungon informacioni. Nuk mjafton stresi në të cilën përfshihet e gjithë familja pas mësimit të lajmit se i afërmi i tyre është prekur nga sëmundja e rëndë, nuk mjafton kriza financiare në të cilën futet e gjithë familja si pasojë e kostos së lartë të shpenzimeve për mjekim, analiza e shtrim.

Sakaq duhet të përballesh dhe me neglizhencën dhe indiferencën, duke pritur me ankth me sytë nga televizionet e portalet që në të shumtën e rasteve njoftojnë të parët për jetët e humbura, para se njoftimi të mbërrijë zyrtarisht tek familjarët e viktimave. Një kohë e stresuar ku humanizmi duket se po humb pak nga pak. Deri kur kështu?

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore