Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në errësirë” mijëra familje në nevojë, 5 vite pritje për një akt nënligjor

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në

Një rrugëtim i rastësishëm për të parë mjerimin. Në Shqipëri, nuk është e vështirë të gjesh familje të tilla, ato janë me mijëra... Jemi ndalur në fshatin Kullë të Sukthit. Në një banesë të rrënuar, dhe pa asnjë kusht më minimal jetese, banon Bujar Tahiri me bashkëshorten dhe 8 fëmijët e tyre. Kur u ndeshëm me të, Bujari po bënte gati motorin, me të cilin përpiqet të nxjerrë bukën e gojës për fëmijët.

“Dal me hekura, kanaçe, nxjerrim 3-4 mijë lekë, as për bukë nuk dalin, as për qumësht. Që unë dua përditë për kalamajtë qumësht. Bebelina, s’më dalin as për bukë thatë, jo më për pelena. S’kam energji elektrike, s’marr asnjë ndihmë, nuk interesohet shteti. Edhe shtëpia nga tërmeti është çarë”, thotë mes trishtimit Bujari.

Në fakt, ai nuk i ka shtrirë dorën kurrë askujt edhe pse është në nevojë. Bujari punon gjithë ditën por të ardhurat nuk mund të plotësojnë kërkesat minimale jetike. Pesha e ushqyerjes dhe shkollimit të 8 fëmijëve është mjaft e madhe. Për këtë familje, energjia elektrike konsiderohet luks edhe pse përbën një prej të drejtave themelore. Familja Tahiri, prej 8 vitesh nuk ka energji elektrike. Bujari, nuk ka me se të paguajë.

“I lutem shtetit të më lidhë dritat. Të më lidhë kontratën. Avash avash do punoj, do t’i shlyej të gjitha. Nuk do lë asgjë pa shlyer”, thotë ai. Bujari nuk kërkon lëmoshë, kërkon ndihmë. Ai nuk është pjesë e listës së familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike. E duke mos qenë në skemë, ai përjashtohet nga lehtësitë për qasje në rrjetin e energjisë elektrike. “Pa drita të jetosh sot e 8 vite, se unë nuk i kam mundësitë të paguaj kontratën, sepse nuk përballohet”, mbyll rrëfimin Bujari një prej mijëra pjesëtarëve të komunitetit rom me këtë problem.

Rasti i kësaj familjeje, është një nga qindra, të konstatuara, dhe ndoshta mijëra të tjera që janë ende të paevidentuara, me akses të pamundur në rrjetin e energjisë elektrike. Në Shqipëri, prej 30 vitesh bëjmë ligje shumë të mira, por zbatueshmëria lë për të dëshiruar. Shpesh problematikat fshihen tek detajet në dukje të parëndësishme.

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në

Prej vitit 2015, Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”. Në nenin 95 ky ligj njeh konceptim e “klientit në nevojë” si dhe mbështetjen përmes subvencioneve në mënyrë që kjo shtresë e varfër të ketë akses në rrjetin e energjisë elektrike. Kjo nuk është një shpikje shqiptare, por një standard i njohur ndërkombëtar që liston aksesin për energji elektrike si një ndër të drejtat thelbësore të njeriut. Ky ligj me një standart perëndimor, në fakt sot është i pazbatueshëm në të gjithë kuptimin dhe frymën që parashikon neni 95. Arsyeja është e thjeshtë: mungon një akt nënligjor që të saktësojë, detajojë, mirëpërcaktojë dhe mundësojë zbatimin e ligjit.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në bashkëpunim me UNDP Albania, si dhe disa organizata të shoqërisë civile si: Qendra “Konsumatori Shqiptar”, Qendra T’Reja dhe 4 organizata të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, me mbështetjen e Ambasadës Norvegjeze, nëpërmjet projektit “Mbrojtja e përmirësuar ndaj diskriminimit e konsumatorëve në nevojë përmes zbatimit të përmirësuar të kuadrit ligjor dhe rregullator” po tentojnë të vënë në lëvizje institucionet për miratimin e aktit që është plot 5 vite me vonesë, qysh kur u miratua ligji.

“Ka nevojë për nxjerrjen e një akti nënligjor specifik, siç parashikon dhe ligji vetë, një akt nënligjor që do rregullojë gjithë kategorinë e ‘klientit në nevojë’. Që nga momenti instalimit të kontatorit e deri me parashikimet e ndërprerjeve të energjisë, ku parashikohet që një klienti në nevojë nuk mund ti ndërpritet energjia”, deklaroi Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Referuar të dhënave konkrete të siguruara nga studimet e organizatave të shoqërisë civile, rezulton se vetëm 40 % e familjeve në nevojë kanë përfituar realisht nga kompensimi i energjisë elektrike.

“Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” i vitit 2015 përmend në nenet 95 dhe 96 klientët në nevojë. Klientët në nevojë nuk janë vetëm ato që janë të përfshirë në skemë, konsideruar nga ligjzbatuesit se situata është në rregull. Aktualisht ka një perceptim të klientëve në nevojë që janë kryefamiljarë, dhe që kanë vetëm një pagë apo pension minimal, ose pension invaliditeti, dhe familjarët që s’punojnë, ose ata që marrin ndihmë ekonomike. Janë vetëm këto kategori. Ne kërkojmë që të shtohen kategoritë”, thotë Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”.

Për ta sqaruar më thjesht nonsensin juridik dhe social, le të marrim një shembull konkret. Në zonën e Kombinatit në Tiranë disa dhjetëra familje të varfra jetojnë në barake. Për shkak se barakja nuk klasifikohet si banesë, nuk mund të vendoset matës energjie, e për pasojë, nuk mund të lidhet një kontratë e rregullt me OSHEE. Pra, disa detaje teknike që kërkojnë të përcaktohen nga akti nënligjor i munguar. Por për këto familje, këto detaje do të thonë errësirë...!

Në muajt Nëntor-Dhjetor 2017, në skemën e ndihmës ekonomike të Ministrisë së Mirëqenies Sociale rezultonin mbi 82 mijë familje. Por, paradoksalisht, vetëm 33 mijë familje përfituan nga statusi i “klientit në nevojë” për faturat e energjisë elektrike. Pra, edhe pse familjet në skemën e ndihmës ekonomike janë përfituese të kompensimeve, realisht 60 % nuk përfitojnë. Kjo lidhet pikërisht me mungesën e aktit nënligjor për të cilin organizatat janë vënë në lëvizje.

“Skema aktuale përfshin një pjesë të familjeve që marrin ndihmë, një pjesë e ka lënë jashtë. Këta që marrin ndihmë e kanë të pamundur të paguajnë, edhe pse kanë bërë akt-marrëveshje sërish u shkëputet energjia pasi janë në pamundësi për të paguar”, tha më tej Ersida Teliti nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”.

Kjo situatë është e patolerueshme jo vetëm nga ana sociale, por edhe nga ana juridike. Jemi përballë një papërgjegjshmërie të 3 ministrive që nuk koordinohen për miratimin e një akti.

“Ligji parashikon që të jenë 3 ministri që duhet të ulen për këtë. Ministria e Energjisë, Financat dhe Mirëqenies Sociale. Do duhet të ulen në tavolinë, të bëhen përgjegjëse për nxjerrjen e një akti nga Këshilli i Ministrave. Ka pasur disa përçapje, për tentativa komunikimi mes ministrive, nga ajo e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Energjitikës, dhe gjithë këto vite, 5 vite. Akti nënligjor duhet të kishte dalë jo më vonë se 1 vit pas hyrjes në fuqi të ligjit. Bëhet fjalë për pazbatueshmëri të gjeneruar prej kohësh. Nuk ka një vullnet të qartë në lidhje me nxjerrjen e këtij akti, disiplinimin e situatës”, u shpreh më tej Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Gjatë këtyre 5 viteve, Komisioneri ka nxjerrë dhjetëra raste diskriminimi duke vënë në dijeni institucionet përkatëse. Në këto raste, qartësisht dilte në pah se familjeve në nevojë u është mohuar një e drejtë thelbësore për shkak të mos-nxjerrjes së Aktit.

Gjate artikullit mund te evidentohet edhe fakti qe Komisioneri ka nxherre vendime diskriminimi kundrejte Keshillit te Ministrave dhe oraganeve te tjera pergjgjese per mos nxjerrjen e aktit dhe per shkeljen e te drejtave qe gjeneron per grupet shoqerore te pamunduara ekonomikisht.

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në

Sot është në fuqi një Akt për “Rimbursimin e Energjisë”, me numër 8/2015. Kjo VKM nuk i jep asnjë farë zgjidhje problematikës së “klientit në nevojë” që parashikohet në ligj. Kjo shpjegon edhe faktin pse mijëra familje sot nuk përfitojnë nga statusi i “klientit në nevojë”.

“Me VKM aktuale parashikohet një subvencionim, kush janë kategoritë, janë personat me ndihmë eknomike, ata me aftësi të kufizuara, punëkërkuesit e papunë, pensionistët, janë disa kategori që përfshihen te klienti në nevojë. Me VKM që kemi, që është vetëm për rimbursim enegjie deri një farë mase, nuk merret me asgjë tjetër. Një gjë që që kemi konstatuar, familje që përfitojnë ndihmë ekonomike me ndihmë nga 5-6 mijë lekë të rinj, një familje e tillë duhet të lidhë kontratë me furnizuesin e kontrata ka vleftë 22 mijë lekë të rinj. Për një familje normale mbase nuk përbën ndonjë problem të jashtëzakonshëm, por për këto familje është problem”, vijoi zoti Gajda.

Sot, mijëra familje që kanë përfituar nga statusi i “klientit në nevojë”, dhe kanë lidhur akt-marrëveshje, në fakt janë sërish përballë pamundësive për të paguar. Janë mbi 20 mijë akt-marrëveshje të lidhura me OSHEE nga familje në nevojë. Por, më shumë se gjysma, pra mbi 10 mijë janë me probleme. Motivi është i qartë, këto familje nuk kanë mundësi shlyerjeje.

“Këto familje paguajnë 2 detyrime, paguajnë përmes një marrëveshje me operatorin detyrimet e prapambetura, dhe paguajnë detyrimet e radhës, pra kanë barrë, kosto ekonomike më të madhe. Një familje me pak të ardhura e ka të vështirë të paguajë edhe detyrimet e prapambetura edhe detyrimin e radhës. Ka pasur ankesa të shpërndara në disa kategori. Edhe nga familje në nevojë, edhe nga famije me persona me aftësi të kufizuara, familje rome dhe egjiptiane. Fenomeni ka shtrirje thuajse në gjithë territorin”, tha më tej Robert Gajda.

Për përmbushjen e nevojave jetike, vlerësohet një nivel prej 200 kë/h energji elektrike. Pak a shumë, rreth këtij niveli rezulton konsumi mujor i familjeve që kanë lidhur akt-marrëveshje me OSHEE. Sipas të dhënave të mbledhura, për një familje me ndihmë ekonomike prej 6 mijë lekësh të reja, do ti duhej të paguante 50 % të të ardhurave për energjinë. Kjo, nëse llogarisim këstet e akt-marrëveshjeve për shlyerjen e debive në 1200 lekë në muaj si dhe pagesat e muajit në vijim. 

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në

“Në zonën e Lanabregasit janë të paktën 150 familje rome me të cilat janë lidhur aktmarrëveshje. Thuajse të gjitha këto familje janë në pamundësi shlyerjeje. Për ato që nuk janë në skemën e përkrahjes sociale, kësti i akt-marrëveshjes shkon 2 mijë lekë të reja, nga 1200. Statistikat e servirura flasin për mijëra familje në vështirësi, të cilave, po u mohohet një e drejtë thelbësore si furnizimi me energji elektrike”, thotë Ferdiola Tare, drejtuese e Qendrës “T’Reja”.

Situata e pandemisë, po prodhon momente edhe më të vështira dhe me pasoja për ata fëmijë që duhet të ndjekin mësimin nga televizori.

“Kemi pasur një rast në një familje të një fëmije 4-5 vjeç me autizëm. Ai kishte nevojë për programet që e qetsonin në televizion, por me ndërprerjen e energjisë, ai fëmijë nuk kishte më akses në ato programe që e qetësonin”, thotë zoti Gajda, duke iu referuar konstatimeve konkrete nga denoncimet dhe verifikimet në terren. Ky është vetëm një rast. Në fakt, ne jemi përballë një fenomeni të gjerë që kërkon të vihen në lëvizje instancat shtetërore.

Papërgjegjshmëria e 3 ministrive “zhyt në

* Ky artikull u publikua si pjesë e projektit “Për drejtësi më të aksesueshme për gratë dhe burrat në Shqipëri"i cili zbatohet?nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe mundësohet me fonde nga Ambasada Norvegjeze

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore