Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Nga pagat e mjekëve, te rritja e ndihmës ekonomike, Manastirliu në Kuvend: Buxhet historik për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

Nga pagat e mjekëve, te rritja e ndihmës ekonomike, Manastirliu

Tiranë – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Parlament ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2022, e ka cilësuar atë buxhetin e qytetarëve, një buxhet historik për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, pasi do të vijojë rritja e financimit dhe transformimi i shëndetësisë dhe zgjerimi i mburojës sociale për njerëzit më në nevojë.

“Çdo qytetar që merr shërbim në qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe spitalet e rindërtuara në një pjesë të madhe të qyteteve tona, është dëshmitar i një vale transformuese, e cila padyshim që nuk do të ndalet edhe këtë vit. Dhe ekziston një fakt që e shpërfaq fare qartë ndryshimin si dita me natën, që mbështetja për shëndetësinë ka pësuar në 8 vite. Eshtë shifra kokëfortë e rritjes së Buxhetit për Shëndetësinë, gjatë dy mandateve. 85 % rritje, duke rritur kështu financimin publik e duke ulur shpenzimet nga xhepi i qytetarëve për shërbimin shëndetësor”, tha Manastirliu.

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022, Manastirliu tha se do të jetë në fokus përballimi i pandemisë dhe efekteve post-Covid-19.

“Janë 7 miliard lekë më shumë buxhet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe përballimin e impaktit të pandemisë dhe efekteve post-covid, duke dedikuar 2,7 miliard programit të vaksinimit anti-covid të popullatës. Për mbështetjen e strategjisë së testimit, gjurmimit, survejancës, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të gjithë strukturat spitalore. Buxheti 2022 mbështet fuqizimin e programit të shërbimit kombëtar të Urgjencës Mjekësore, e cila ka treguar një efiçiencë të jashtëzakonshme për përballimin e pandemisë. Një shërbim ekselent, i cili u përgjigjet 130 mijë thirrjeve dhe misioneve në vit, do të vazhdojë të mbështetet fuqimisht prej këtij buxheti”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për programet e partneritetit publik-privat, Manastirliu tha se afro 1 milion qytetarë pëfitojnë shërbime falas nga financimi i këtyre partneriteteve për shërbime që zënë vetëm 7.5% e buxhetit në total të shëndetësisë.
“A e dini se sa përfitojnë qytetarët me të gjithë koncensionet të cilat kanë filluar tashmë punën dhe janë në faza shumë të mira të ecurisë së tyre, duke investuar në sektor, pra ato që i mbeten shtetit, 56 milionë dollarë deri tani, pasi ka edhe fazë riinvestimi? Me kontrollin mjekësor bazë janë 475 mijë qytetarë përfitues, me analizat falas që ato bëjnë çdo vit; me partneritetin e dializës me shërbimin afër vendbanimit; me instrumentat e sterilizuar që garantojnë siguri për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera për mbi 64 mijë ndërhyrje operatore në vit si dhe partneritetin për mbi 4.6 milionë analiza spitalore laboratorike falas në vit për mbi 300 mijë pacientë në spitalet tona. Këto janë fakte, nuk janë fjalë. Janë fakte të cilat tregojnë vëmendjen që kjo qeveri ka për qytetarët, për ata të cilët kanë nevojë të marrin në sistemin shëndetësor shërbime të aksesueshme dhe cilësore atje ku ata jetojnë. Buxheti i koncensioneve është vetëm 7.5 % të buxhetit në total të shëndetësisë. Çfarë do të thotë kjo? 7.5 % e buxhetit total shkon për të ofruar afro 1 milion qytetarëve shqiptarëve shërbime shëndetësore falas. Dhe besoj që qytetarët e kuptojnë, e dinë dhe e prekin me dorë të gjithë ndryshimet rrënjësore që kanë sjellë këto partneritete për shërbimet që ata marrin sot në shëndetësi”, tha Manastirliu.

Duke folur për financimin e shërbimeve në kujdesin parësor, Manastirliu tha:
“Financojmë rimbursimin e barnave për më shumë se 450 mijë qytetarë falas për të sëmurët kronikë, duke përfshirë këtu edhe paketën anticovid për trajtimin ambulator. Për herë të parë, do të financohet paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç, si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë. Do të vijojmë të mbështesim 100% falas paketat mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit”.
Sa i takon investimeve për vitin 2022, Ministrja e Shëndetësisë tha se me buxhetin 2022 do të përfundohen investimet madhore të nisura, si dhe hapen investime të reja, nga kujdesi parësor në atë terciar, duke nisur nga përfundimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe rikonstruksionin e Spitalit të Pediatrisë në QSUT, tek zgjerimi dhe modernizimi i spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Do të përfundojë gjithashtu materniteti dhe spitali i Kukësit si dhe rehabilitimi i plotë të Pediatrisë së Elbasanit. Do të përmbyllet rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike Rehabilituese të Fëmijëve në Tiranë. Me buxhetin e ri do të nisë puna për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv, do të rehabilitohet Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut si dhe do të vijojë programi i rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, me 50 qendra dhe ambulanca të tjera.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se do të vijojë mbështetja për mjekët dhe infermierët, edhe me buxhetin e 2022, duke siguruar një tjetër rritje pagash për të gjithë personelin shëndetësor.
“Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen për profesionistët e shëndetësisë, duke financuar politikën e rritjes së pagave dhe duke siguruar në buxhetin 2022 rritjen me 6% të pagës, menjëherë pas rritjes historike të pagave me 40% që iu bë mjekeve dhe infermiereve tanë nga Janari 2021”, tha Manastirliu.
Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të financohen 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale, duke zgjeruar mburojën sociale për shtresat më në nevojë. Buxheti 2022 parashikon rritjen e masës së ndihmës ekonomike për çdo familje pjesë të kësaj skeme, duke parashikuar rritjen më të madhe për familjet më në nevojë.
“Rritja e mburojës sociale do të shkojë direkt për familjet në ndihmë ekonomike. Çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10% rritje të pagesës me buxhetin 2022. Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi dhe për gratë e trafikuara dhe me urdhër mbrojtje”, tha Manastirliu.
Buxheti 2022, për dy sektorët është 91 miliard 365 milion lekë, për shëndetësinë ky buxhet do të jetë 63 miliard e 515 milion lekë dhe 27 miliard e 850 milionë lekë do të jetë buxheti për programet e mbrojtjes sociale.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore