Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

HEC-i i Skavicës/ Yuri Kim ndjek nisjen e projektit: Do të ecim përpara pavarësisht çdo pengese

HEC-i i Skavicës/ Yuri Kim ndjek nisjen e projektit: Do të ecim

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se zhvillimi i biznesit dhe i marrëdhënieve mes dy vendeve është hapi i radhës ku puna e saj do të përqendrohet,

“Kur erdha këtu e bëmë shumë të qartë që kishim 3 prioritete: demokraci, mbrojtje dhe biznesin”, tha ambasadorja nga Kukësi, ku ndoqi nisjen e projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

“Kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme sa i përket demokracisë, dhe mbrojtjes. Shqipëria mikpriti një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake. Po ecim përpara me Reformën në Drejtësi dhe kemi parë rezultate. Dhe tani sa i përket biznesit, do të ecim përpara pavarësisht çdo pengese. Është kënaqësi e madhe që jam këtu në Kukës dhe të shoh zhvillimin e këtij projekti bashkë me një nga kompanitë më të shkëlqyera amerikane”, u shpreh ajo.

Ambasadorja Kim tha se sot shënojmë një çast me të vërtetë të veçantë për Shqipërinë, për lidhjet tona të biznesit dhe për të ardhmen e energjisë në Europë.

“Sa rrugë të gjatë kemi bërë në këtë periudhë njëvjeçare! Gati 12 muaj më parë, më 3 tetor 2020, Nënsekretari i atëhershëm për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ishte një shenjë e përkushtimit të SHBA-së  ër të thelluar marrëdhënien ekonomike midis dy vendeve tona, çka është gjithashtu një nga tri prioritetet e mia si Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Po atë ditë, Ministrja Balluku nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me Bechtel për projektin e Skavicës”, kujtoi Kim.

Një vit më pas, ambasadorja Kim vlerësoi se “sot është një ditë historike në këtë marrëdhënie me fillimin e projektit për hidrocentralin e Skavicës, midis Qeverisë së Shqipërisë dhe një prej kompanive më të mëdha amerikane të infrastrukturës, Bechtel”.

Sipas saj, “Skavica ka qenë një ëndërr në vend, për dekada të tëra, dhe sot është një nga gurët më të rëndësishëm kilometrikë që më në fund po e shohim të bëhet realitet”.

“Projekti i përfunduar do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin energjetik të Shqipërisë, një vend që tashmë mburret me një nga ndërthurjet më të gjelbra të prodhimit të energjisë elektrike në botë. Në fakt, sapo kam qenë në një konferencë ndërkombëtare të energjetikës dhe fola për rolin emocionues që Shqipëria po luan në sektorin e energjisë”, tha Kim.

Sipas saj, “ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit”.

“Është një nder të jem këtu me Bechtel për të parë nisjen e punës në Skavicë. Ju përgëzoj që të gjithëve dhe mirëpres më shumë projekte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Kim.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore