Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Investigim

Investigimi/ Plehrat bëjnë bashkë Sadri Abazin me Xhelal Mziun, zbulohen abuzimet me kontratën koncesionare

Investigimi/ Plehrat bëjnë bashkë Sadri Abazin me Xhelal Mziun,

Emisioni Top Story investigoi biznesin e plehrave në Bashkinë e Kamzës, ku zbuloi një sërë shkeljesh dhe abuzimesh. Kjo bashki i menaxhon plehrat përmes një kontrate koncesionare  me kohëzgjatje 12 vite, me vlerë 1.3 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë dollarë.

Kompania koncesionare fituese është “Alko-Impex general Construction”, me administrator Arbër Abazin, nipin e deputetit socialist Sadri Abazi. Ai ka arritur të sigurojë një kontratë të majme nga ish-kryebashkiaku demokrat Xhelal Mziu. Moralisht kjo tregon shtrembërimin politik për shkak të interesave financiare, ndërsa ligjërisht nuk përbën asnjë problem.

Referuar kontratës së siguruar nga Top Story, kompania do të duhej që brenda 6 muajsh, të realizonte një stacion transferimi dhe diferencimi për mbetjet e riciklueshme. Kanë kaluar 2 vite dhe ky detyrim nuk është përmbushur.

Në nenin 12 të kontratës, qartësisht sqarohet se kompanisë mund t'i ndërpritet koncesioni në rastin kur nuk përmbush detyrimin për të vënë në punë stacionin e transferimit.

Po shkeljet nuk mbarojnë me kaq. Kjo kompani me mbështetje nga pushtetarët, po i shkakton Bashkisë së Tiranës dhe taksapaguesve një dëm prej qindra mijëra eurosh në vit, duke ia faturuar mbetjet e Kamzës bashkisë së kryeqytetit. Por, si mund të ndodhë kjo?

Mjetet e Alko Impex, të kompanisë së Arbër Abazit, pasi ngarkohen me mbetje në Kamëz, i depozitojnë në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar si mbetje të Tiranës.

Top Story u interesua, nëse mes Sharrës dhe Bashkisë Kamëz, kishte një kontratë për depozitimin e mbetjeve. Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli deklaroi për Top Story se nuk kishin asnjë marrëveshje me landfillin e Sharrës.

Fabula është shumë e thjeshtë. Kompania e nipit të Sadri Abazit menaxhon mbetjet e Tiranës, në zonën 3, që përfshin Kombinatin dhe rrethinat e saj. Makineritë e tij të pastrimit kalojnë edhe në zonën e Kamzës për të mbledhur mbetjet, dhe i depozitojnë në Sharrë duke i deklaruar sikur janë të Kombinatit.

Top Story, ka ndjekur për disa ditë mjetet e kompanisë që ngarkohen në Kamëz, i ka filmuar deri në transportimin drejt Sharrës.

Në territorin bashkisë Kamzës, mesatarisht janë 70-80 ton në ditë, të cilat transportohen drejt Sharrës në shkelje me ligjin. Pra, çdo 24 orë Alko Impex i shkakton bashkisë së Tiranës plot 2300 euro dëm, duke i deklaruar mbetjet e Kamzës si mbetje të Tiranës.

Kompania e nipit të deputetit socialist, ka marrë plot 30 milionë euro tendera pastrimi në 4 vitet e fundit. Në pjesën e parë të dokumentarit, ne treguam se si mbetjet e Kavajës, hidheshin në një fushë në mënyrë antiligjore për të shmangur kostot e trajtimit. Tenderi i pastrimit aty është fituar pikërisht nga kompania Alko-Impex.

Ky investigim tregoi se interesat financiare për plehrat prekin edhe familjarë të politikës. Pikërisht këta njerëz si nipi i Sadri Abazit dhe të tjerë, nuk duan kontrollin mbi plehrat. Nëse landfilli i Sharrës do të ishte pa kontroll, si një kodrinë me plehra ku çdo kush do kishte akses, për kompaninë Alko Impex do të ishte shumë herë më mirë./ Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore