Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Tërmeti dhe Covid/ Psikiatrja Rreli jep alarmin: Çrregullimet e ankthit po prekin 20-vjeçarët

Tërmeti dhe Covid/ Psikiatrja Rreli jep alarmin: Çrregullimet e

Ankth, pagjumësi, luhatje humori dhe çrregullime në mënyrën e të menduarit, janë disa nga problemet që hasin 20-vjeçarët e sotëm.

Psikiatrja Arjana Rreli në një intervistë për Gazeta “Shqip” thotë se ndryshe nga vitet e shkuara, grupmosha më e prekur nga çrregullimet e ankthit janë ato të reja nga 20 deri 30 vjeç.

Rreli shprehet se periudha pas tërmetit të 26 Nëntorit dhe pandemia e koronavirusit ndikuan shumë në shtimin e çrregullimeve të ankthit, humorit dhe të menduarit. Dy periudha shumë stresante që ndryshuan jo vetëm stilin e jetës por ndikuan direkt dhe në personalitetin sidomos të moshave të reja.

Cilat janë disa nga sëmundjet mendore që raportohen më shpesh vitet e fundit tek ne, kush janë arsyet dhe cilat grupmosha ka prekur?

Çrregullimet që hasen së fundmi më shpesh janë e para çrregullimet e ankthit, humorit dhe çrregullimet e të menduarit. Këto janë më të hasurat gjatë viteve të fundit, ndërkohë që në periudhën pas tërmetit dhe pandemisë në vendin e parë kanë dalë çrregullimet e ankthit.

Janë problematika që ankohen më shumë, nga popullata dhe që kanë variantet e tyre. Crrregullimet e ankthit ndryshojnë nga moshat,  personaliteti dhe periudhat kohore që personi është i ekspozuar ndaj stresorëve.

Grupmoshat më të prekura janë ato aktive. Ka qenë më e hasur tek grupmoshat  20-50 vjeç, tani e vërejmë më shpesh tek moshat 20-30 vjeç, e cila rezulton  më e prekura nga çrregullimet e ankthit, pasi referon më së shumti këtë lloj çrregullimi.

Cilët janë arsyet që çojnë në këto çrregullime dhe sa ka ndikuar pandemia?

Arsyet lidhen me faktorët fiziologjikë, faktorët socialë dhe ato ekonomikë. Faktorët fiziologjikë kanë të bëjnë me pandeminë e Covid 19, ku përveç frikës nga infektimi, është mbivendosur dhe stresi, për mënyrën si vjen kjo pandemi dhe ca ndryshimesh ka bërë virusi.

Faktori social ka qenë shumë i rëndësishëm sepse sjelljet e diktuara për të mbrojtur veten e komunitetin ka çuar në distancim jo vetëm fizik por dhe social me impakte negative në raportet personale dhe me ambientin, në mënyrat se si duhet të përshtatemi me punët në shtëpi apo sistemin online. Apo në raportet që na kushtëzojnë me prindërit, me dashurinë që u japim sot ndryshe nga më parë.

Por dhe faktori ekonomik është  një nga shkaqet që ka shtuar problematikat në shëndetin mendor. Pandemia e koronavirusit dëmtoi rëndë ekonominë familjare duke rritur stresin ankthin dhe duke dëmtuar shëndetin mendor.

Pandemia gjithashtu solli dhe rritjen e numrit të personave që vuajnë gjendjet e ankthit dhe që sot janë të kudogjetura dhe që janë patologjia më e verbalizuar dhe kërkohet më së shumti ndihma.

Nga ana tjetër kjo ka bërë, që duke qenë të gjithë të përfshirë në këtë gjendje të ankthit si pasojë e pandemisë, pati më pak kufizime për ti treguar tjetrit problematikat tona dhe për ti kërkuar ndihmë. Kjo ka ndikuar në uljen e stigmës dhe paragjykimeve që mbartin sëmundjet e shëndetit mendor.

A ofrohet shërbimi në zonat rurale, a kanë qendrat shëndetësore në këto zona personel të specializuar me mjekë psikiatër, neurolog dhe cilido tjetër i fushës?

Në zonat rurale, nevoja për të marrë shërbimet e shëndetit mendor janë njësoj si në zonat urbane. Popullata vuan gjithashtu nga çrregullimet e shëndetit mendor por aksesi që ata kanë ndaj shërbimeve është më i vështirë jo për paragjykime por sepse këto shërbime nuk janë afër qendrave të banimit.

Gjithsesi ajo që kemi vënë re është se nuk mungon në këto zona ndërgjegjësimi për të marrë kujdesin e duhur për shëndetin mendor.

Sa i takon shërbimeve, Tirana mbetet qyteti që ka tashmë më shumë banorë dhe që ka prurje të përditshme dhe rritje të kërkesës për ndihmë. Në Tiranë janë 3 qendra komunitare të shëndetit mendor të pajisura me staf të kualifikuar që janë mjekët psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë, psikologët dhe terapistët. Është në shërbim dhe personeli infermieristik i mirë trajnuar në fushë.

Me gjithë dëshirën e mirë që profesionistët e shëndetit mendor kanë, nuk mjafton është shtuar numri i kërkesës për ndihmë kështu që është shtuar intensiteti i punës.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore