Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Gjuha turke në shkollat shqiptare si lënde me zgjedhje, hyn në fuqi marrëveshja

Gjuha turke në shkollat shqiptare si lënde me zgjedhje, hyn në

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit ka hyrë në fuqi pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare.

Në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë të datës 2 mars është publikuar vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë i datës 24 shkurt 2021 për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht për AA se marrëveshja në fjalë ka hyrë në fuqi pasi nuk ka nevojë për ratifikim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Qëllimi i marrëveshjes është të rrisë bashkëpunimin, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Fusha e bashkëpunimit sipas marrëveshjes përfshin nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit, shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim dhe kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit.

Gjithashtu përfshin edhe shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet, inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet dhe promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve.

Gjithashtu palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Sipas marrëveshjes, pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke. Gjithashtu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ndërkohë, Turqia do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

Gjithashtu dy vendet do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje dhe do të japin reciprokisht bursa.

Marrëveshja e cila do të mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare, është nënshkruar në Ankara, më 6 janar 2021, nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk./AA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore