Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Fasoneria dhe puna jashtë vendit po sjellin të ardhura rekord për ekonominë shqiptare

Fasoneria dhe puna jashtë vendit po sjellin të ardhura rekord për

Puna po bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në eksportet e ekonomisë shqiptare.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave së Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga sektori i fasonerisë, por edhe të ardhurat nga punonjësit sezonalë apo kufitarë jashtë vendit këtë vit po regjistrojnë nivelet më të larta historike.

Për 6-mujorin e parë të vitit, të ardhurat neto në zërin e shërbimeve për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneri) arritën në 340 milionë euro, 36% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe vlera më e lartë historike e regjistruar ndonjëherë.

Për gjysmën e parë të këtij viti, të ardhurat nga aktivitetet e fasonerisë kanë tejkaluar madje edhe të ardhurat nga turizmi, që në terma neto, sollën një shumë lehtësisht më të ulët, 338 milionë euro. Fasoneria këtë vit është kontribuesi i dytë më i madh neto mes zërave të llogarisë korente, pas remitancave. Historikisht, fasoneria është përqendruar sidomos tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit. Por, në vitet e fundit prodhimi me porosi është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale.

Megjithë sfidat e lidhura me konkurrencën dhe me vështirësitë në rritje për të siguruar forcë pune, duket se aktivitetet e fasonerisë po japin një kontribut në rritje në ekonominë shqiptare.

Shifra rekord shënuan edhe të ardhurat nga puna jashtë vendit, zë që përfshihet në llogarinë e të ardhurave parësore dhe që nuk përfshin dërgesat e emigrantëve rezidentë jashtë vendit. Të ardhurat nga puna për gjysmën e parë të këtij viti arritën në 203 milionë euro, 75% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për të ardhurën më të lartë historike të regjistruar nga ky zë.

Sipas Metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës. Në analizat e institucioneve, shpesh, të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkangjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale të remitancave në ekonomi. Nëse përfshijmë edhe të ardhurat nga puna, vlera totale e remitancave në ekonominë për gjysmën e parë të këtij viti do të llogaritej në 579 milionë euro./ Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore