Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Doktoresha Dhamo rrëfen "luftën" me Covid: Çelësi i suksesit të terapisë me pacientët e infektuar

Doktoresha Dhamo rrëfen "luftën" me Covid:

Në një kohë kur spitalet janë kthyer në “thembrën e Akilit” për shkak të numrit të lartë të pacientëve me koronavirus, shumë prej të cilëve dhe në gjendje të rëndë, edhe kujdesi parësor është përfshirë prej muajit mars nga “ethet” e virusit Covid-19.

Ndonëse barra më e madhe u përket spitaleve, prej hapjes së vendit me heqjen e karantinës, pacientë të shumtë kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes, për çdo dyshim në rast simptomash të ngjashme me virusin.

Por, duhet të jesh me fat që ta njohësh mirë mjekun tënd të familjes, e të mos kesh trokitur tek ai vetëm kur të është nevojitur raporti mjekësor.
Mirela Dhamo, mjeke familje prej 20 vitesh në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, është ndër mjeket me numrin më të madh të pacientëve në Tiranë.

Telefoni i saj nuk pushon asnjëherë. Në sy i lexohet shqetësimi sapo sheh përgjigjet e analizave që pacientët ja sjellin me mail.

“Je me Covid, por nuk duhet të shqetësohesh, shenjat sapo kanë nisur dhe mund të nisim mjekimin menjëherë. Ndërkohë po të referoj për kryerjen e tamponit nga Instituti i Shëndetit Publik, që të jemi 100 përqind të sigurt”, mbyll ajo telefonatën e saj të disatë gjatë një dite.

Prej muajit mars kur u shfaq virusi në vend, puna e doktoreshë Mirela Dhamos nuk ka reshtur, ndonëse në ambulancë vizitat janë rralluar disi. Përmes telefonatës apo lidhjes me video me pacientët, doktoresha jep recetat, sugjeron dhe këshillon pacientët e saj të prekur nga koronavirusi, të cilët në këtë periudhë po shtohen gjithnjë e më shumë.

“Vetëm në një ditë kam referuar për tampon 10 pacientë, mosha e të cilëve varion nga 25-65 vjeç. Shumica janë të traumatizuar, me kriza paniku, por gjatë bisedës përpiqem ti qetësoj dhe më e rëndësishmja të besojnë në këshillat dhe terapinë që u rekomandoj. Jam e kënaqur që një pjesë e tyre ka reaguar mjaft mirë ndaj mjekimit”, thotë mjekja e familjes Dhamo.

Doktoresha Dhamo rrëfen "luftën" me Covid:

Por a e njohim të gjithë mjekun tonë të familjes?

Doktoresha Mirela Dhamo thotë se ajo ka punuar pothuajse në 20 vitet e saj në të njëjtën zonë dhe pacientët janë kthyer në familje për të. Një pjesë të tyre i ka parë të rriten, të tjerë të moshohen dhe për një pjesë tjetër ka kujtime, pasi nuk jetojnë më.

“Detyra e një mjeku familje është marrëdhënia e besimit që duhet të krijojë me pacientin. Kjo periudhë pandemie na tregoi ne mjekëve të familjes se çfarë duhet bërë në shërbimin parësor me qëllim që të kapet në kohë sëmundja e covid për të shmangur komplikacionet, si çdo sëmundje tjetër”, thotë për gazetën “Shqip”, doktoreshë Mirela Dhamo.

Të mësuar me mjekun e familjes që vetëm plotëson recetat apo raportet mjekësore, një pjesë e pacientëve të prekur me Covid-19, nuk drejtohen menjëherë tek mjeku. Vonesa në mjekim, sipas doktoreshë Mirelës, nganjëherë ka sjellë pasoja të parikuperueshme.

Por çfarë duhet të kemi parasysh? 

“Pacientët e mi shpesh referojnë tek unë një temperaturë të moderuar apo ndonjë lodhje gjymtyrësh. Ajo çfarë rekomandoj është kryerja menjëherë e një sërë analizave, siç janë analizat e gjakut, niveli i hekurit, analizat serologjike, pra një set analizash që më tregojnë mua se në çfarë gjendje është sistemi imunitar i pacientit.

Nëse parametrat tregojnë praninë e infeksionit, rekomandoj mjekim sipas protokollit. E më pas kryhet tamponi nga ISHP. Por terapia funksionon më së miri kur pacienti ndjek rekomandimet e mjekut dhe kryen me rigorozitet mjekimin”, thotë doktoresha.

Aktualisht ka në terapi 4 pacientë, një prej tyre sapo ka dalë nga oksigjeno-terapia. Fytyra i buzëqesh teksa tregon se asnjë prej 4 pacientëve që po ndjek në terapi prej një muaji nuk rrezikoi të kalojë në intubim. Dy prej tyre, duke pasur dhe të ardhura të mira financiare, krijuan dhomë Covid në shtëpi duke u pajisur me të gjitha mjetet e duhura me qëllim që të mos i drejtoheshin spitalit.

Shqetësimi i doktoreshës sot është i shumëfishtë. Frika se një ditë mund të infektohet dhe ajo, i rri mbi kokë, por sërish vijon punën. Doktoreshë Mirela është prind, bashkëshorte, por dhe vajza e dy prindërve të moshuar për të cilët kujdeset aq shumë që të mos i rrezikojë duke mos i takuar prej kohësh.

E armatosur me maskë dhe dezinfektantë, mjekja Mirela Dhamo nuk lodhet së këshilluari të gjithë pacientët e familjarët e tyre të zbatojnë rregulloren, të mbajnë maskën, të ruajnë distancën fizike dhe të lajnë duart rregullisht.

Prej kohësh nuk e di kur mbyllet një ditë pune pasi bisedat me pacientët e sëmurë apo ata që kërkojnë sugjerime e këshilla vijon dhe pas mbylljes së orarit zyrtar.
“Mjeku i familjes është familja, unë kështu i shoh pacientët e mi”, mbyll bisedën doktoresha Mirela Dhamo. Dhe në telefon mbërrin një mesazh falenderimi. “Je mjekja më e mirë që unë njoh, faleminderit”!
©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore