Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Dita botërore e shkrimit e leximit, Pino jep alarmin: Analfabetizmi funksional, shqetësues

Dita botërore e shkrimit e leximit, Pino jep alarmin: Analfabetizmi

Analfabetizmi funksional është dukuria që po vërejnë sot ekspertët tek nxënësit që përfundojnë arsimin parauniversitar. 

Nëse dikur të quheshe analfabet nënkuptonte padijen në shkrim e këndim, sot mund të gjesh dhjetëra të rinj që nuk formojnë dot fjalitë e duhura për të thënë thelbin e pjesës.

Në një prononcim për gazetën “Shqip”, ekspertja Linda Pino e Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve, thotë se mungesa e një formimi cilësor arsimor sipas ekspertëve të fushës lidhet me kurrikulat të cilat kanë ende nevojë për tu rishikuar.

“Sot ne kemi nxënës që edhe pse dinë të lexojnë, nuk arrijnë dot të përkufizojnë me 2-3 fjali thelbin e pjesës që kanë lexuar, kjo mbase për shkak se kurrikula me bazë kompetencën e MASR nuk ka funksionuar si duhet, ose dhe nuk është zbatuar ashtu si duhet nga mësuesit”, thotë zonja Pino.

Edhe fenomeni i braktisjes së shkollës mbetet shqetësuese në realitetin shqiptar. Të dhënat e ministrisë së Arsimit raportojnë çdo vit mbi 1 mijë fëmijë që braktisin shkollën kryesisht pas mbylljes së ciklit të detyrueshëm 9-vjeçar.

Por të dhënat e UNESCO-s për Arsimin deri në 2018 janë mbi 4000 fëmijë dhe adoleshentë që braktisin shkollën. Kliko ketu http://uis.unesco.org/country/AL

“Nëse ne do t’i referohemi rezultateve të nxënësve në arritjet e tyre në PISA 2018, ato nuk prodhuan asnjë risi nga PISA 2015. Lehtësisht u rritën pikët në matematike, por arsimi përsëri mbeti në klasë. Për aftësinë e leximit, e cila mat të kuptuarit e tekstit, përdorimin e informacionit, vlerësimin dhe reflektimin, nxënësit kanë aftësi të dobëta në pjesën e gjetjes dhe vlerësimit të informacionit”, thotë për “Shqip” përfaqësuesja e Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve.

Në dy vitet e fundit, arsimi u godit rëndë nga tërmeti dhe pandemia e krijuar nga COVID 19, duke nxjerrë në pah problematikat e arsimit e cila ka ende nevojë për adaptimin  e mësimdhënies në kushte emergjente.

“Mungesa dhe e parashikimit në strategjinë e arsimit parauniversitar e një qasjeje të tillë, përballi jo vetëm nxënësit, por të gjithë sistemin me një boshllëk, ku mësuesit u detyruan të përshtaten në atë se çfarë mund të realizonin për të shpëtuar një vit shkollor”, thotë Pino.

Sipas të dhënave të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve, në Shqipëri janë mbi 100 mijë fëmijë të cilët jetojnë në kushte varfërie, ku 50 mijë fëmijë të moshës së arsimit të detyrueshëm kanë nevojë të punojnë në punë familjare për të siguruar mbijetesën e tyre.

Statistikat e këtij koalicioni raportojnë për  rreth 20% të fëmijëve në Shqipëri që jetojnë në varfëri dhe përballen me vështirësi në sigurimin e nevojave bazë të jetesës.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore