Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Interesi Publik

Amnisti fiskale e penale/ Kush përfiton nga ligji për deklarimin e pasurisë, si të formalizoni pronat që keni jashtë shtetit

Amnisti fiskale e penale/ Kush përfiton nga ligji për deklarimin e

Qeveria ka propozuar amnisti fiskale dhe penale për të gjitha ata që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive. Nisma është propozuar fillimisht nga kryeministri Edi Rama dhe tashmë ka marrë formë zyrtare.

Qëllimi i këtij ligji është garantimi i procedurave transparente për të mundësuar ligjësimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara tërësisht apo pjesërisht, rivlerësimin e pasqyrave financiare si dhe mbledhjen e tatimeve përkatëse si dhe parashikimi i mekanizmave nxitës për subjektet e këtij ligji, me qëllim sigurimin e tyre se nga procesi i ligjësimit të të ardhurave me të cilat janë krijuar pasuri, autoritetet publike do aplikojnë një tatim favorizues të posaçëm me normë të veçantë, garantimin e ruajtjen së sekretit dhe të informacioneve që lidhen me këto pasuri, si dhe mosfillimin e procedurave administrative dhe procedimeve penale ndaj këtyre subjekteve nga ana e institucioneve përkatëse, në lidhje me këto pasuri.

Deklarimi vullnetar do të bëhet për pasuritë e paluajtshme brenda apo jashtë territorit, për pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë, shumat në të holla, monedhë shqiptare apo monedhë e huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj ose instrumente të tjerë të tregjeve financiare.

Sipas ligjit, qeveria garanton ruajtne e sekretetit dhe konfidencialitet për çdo veprim që mund të ketë pasur rezultat apo jo, për çdo fakt, për çdo informacion të ofruar nga subjekti i deklarimit apo përfaqësuesi i tij i posacëm me prokurë, për çdo të dhënë për pasuritë e deklaruara.

Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë pavarësisht nëse janë residentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Zyrtarët e lartë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, deputetët nuk janë subjekt i këtij ligji, ashtu si edhe të dënuarit dhe ata që kanë problem me drejtësinë.

LEXO LIGJIN TË PLOTË

Neni 4

Zbatimi i dispozitave të tjera ligjore

1. Dispozitat e legjislacionit në fushën tatimore, të cilat parashikojnë kompetencat e organeve të administratës publike përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të sektorit, duke përfshirë edhe përgjegjësinë për fillimin e procedurave administrative, gjatë kohës së zbatimit të këtij ligji, aplikohen në përputhje me këtë ligj.  

2. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për pasuritë që përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar dhe mbi pasuritë objekt i zbatimit të aktit normativ nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr. 18/2020.

3. Dispozitat e ligjit nr 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, kanë përparësi ndaj dispozitave të këtij ligji.

4. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen nëse deklarimi vullnetar i pasurive kryhet nga subjekti, pasi ky i fundit ka marrë dijeni në rrugë zyrtare për kryerjen e inspektimeve, verifikimeve apo fillimin e një kontrolli administrativ ose procedimi penal për shkelje të dispozitave ligjore mbi taksat dhe tatimet, që përfshihen në fushën e zbatimit të këtij ligji.

Neni 5

Subjektet dhe subjektet përfituese

1. Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë pavarësisht nëse janë residentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

2. Subjekte përfitues të këtij ligj janë subjektet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, që kanë kryer procesin e deklarimit vullnetar dhe janë pajisur me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit të pasurive sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 6

Subjektet e përjashtuara 

Janë subjekte të përjashtuara nga zbatimi i këtij ligji:

a)      subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si vijon:  (a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat; (b) gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit; (c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore; (ç) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;(d) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; (dh) prokurorët, gjyqtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë; (e) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore; (ë) Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme; (f) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave; (g) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë; (gj) zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta; (h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj; (i) drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku; (j) administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë; (k) Ane?tari i institucionit te? rivlere?simit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posac?e?m i Apelimit dhe komisionere?t publike?), Sekretari i Pe?rgjithshe?m, ke?shilltare?t ekonomike? dhe ligjore?, si dhe personat e lidhur me to sipas ligjit nr. 84/2016, “Pe?r rivlere?simin kalimtar te? gjyqtare?ve dhe prokurore?ve ne? Republike?n e Shqipe?rise?.”.

b)      subjektet të cilët kanë qënë mbajtës të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

c)      subjektet e ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, të ndryshuar;

ç) subjektet sipas përcaktimit të nenit 16, të aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr.18/2020.

d)     personat e shpallur dhe personat, pe?r te? cile?t ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit nr. 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.

Neni 8

Procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe pasqyrave financiare

1.  Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elementë të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të pa regjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2.  Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë njësisë speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar (formulari i deklarimit vullnetar). Formulari i deklarimit vullnetar paraqitet vetëm një herë nga subjektet e këtij ligji për llojin e pasurisë. Formati i formularit të deklarimit vullnetar dhe mënyra e procedimit për deklarimin vullnetar përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

3.  Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji.

4.  Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat e regjistrimit sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës.

Neni 9

Deklarimi vullnetar i shumave në të holla

1. Deklarimi i shumave në të holla kryhet si më poshtë:

a) subjekti ose përfaqësuesi i tij plotëson formularin e deklarimit vullnetar për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim;

b) formulari i deklarimit vullnetar verifikohet për mënyrën e plotësimit të tij dhe subjekti pajiset me kopje të aplikimit;

c) subjekti apo përfaqësuesi i tij kryejnë depozitimin e shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare.

Neni 10

Deklarimi vullnetar i pasurive të tjera

1. Pasuritë e tjera, të ndryshme nga shumat në të holla, deklarohen pranë njësisë speciale, nëpërmjet paraqitjes së formularit të deklarimit vullnetar.  

2. Nëse pasuritë e deklaruara janë pasuri të paluajtshme apo pasuritë të luajtshme të regjistrueshme, me përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar të pasurive sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti përfitues ka prioritet në kryerjen e regjistrimit të pasurisë, pas plotësimit të kushteve të parashikuara nga legjislacioni i fushës. Vërtetimi i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar nuk përbën regjistrim të këtyre pasurive.

Neni 11

Deklarimi vullnetar i elementëve të veçantë të pasqyrave financiare

1. Subjektet e këtij ligji mund të rideklarojnë elementë të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë, sipas përcaktimeve në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat, me synimin për të siguruar një paraqitje reale, të vërtetë dhe e drejtë të cdo elementi të aktiveve dhe detyrimeve të këtyre pasqyrave.

2. Për cdo diferencë që lind nga gjendja reale me gjendjen aktuale kontabël, diferencë e cila jep efekt neto në rritje në të ardhura apo kapital, subjektit i lind detyrimi për pagesë të tatimit, sipas vlerës dhe modaliteteve kohore të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji.

3. Çdo diferencë e kontabilizuar për këtë qëllim do të klasifikohet si e ardhur e patatueshme apo shpenzim i pazbritshëm për qëllime të deklaratës së tatim fitimit apo tatimit të thjeshtuar të fitimit.

4. Shumat e detyrimeve ndaj ortakëve të shoqërisë të rivlerësuara sipas dispozitave të këtij neni, mund të përdoren lirisht prej tyre për qëllime të biznesit apo personale.

Neni 12

Tatimi i posaçëm

1. Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posaçëm prej:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

2. Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë special, tatimi i posaçëm paguhet si vijon:

a) 5 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

b) 7 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;

c) 10 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

3. Bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare transferojnë të ardhurat nga pagesat e tatimit të posaçëm në kuadër të këtij ligji, në llogarinë e posaçme të thesarit të ministrisë përgjegjëse për financat.

4. Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar, konsiderohen të paguara rregullisht dhe autoritetet kompetente tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara.

Neni 13

Riatdhesimi i pasurive

1. Pasuritë, përfshirë shumat në të holla, që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, mund të riatdhesohen me pagimin e tatimit të posaçëm, sipas parashikimit të nenit 12 të këtij ligji. Pasuritë e riatdhesuara në këtë mënyrë mund të përdoren dhe administrohen lirisht sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës.

2. Për riatdhesimin e pasurive sipas pikës 1, subjektet e këtij ligji personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji dhe e paraqisin këtë deklarim në autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore, sipas legjislacionit në fuqi. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

3. Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të riatdhesimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.

Neni 14

Ndërprerja e procedurës së deklarimit vullnetar

1. Procedura e deklarimit vullnetar konsiderohet e ndërprerë:

a)      me vetëdeklarim të subjektit, në çdo kohë, pas fillimit të procedurës së deklarimit vullnetar pa pasur nevojë që të shprehë shkaqet e ndërprerjes;

b)      me vdekjen apo likuidimin e subjektit deklarues, sipas rastit;

c)      me përfundimin e afatit të zbatimit të ligjit dhe mosplotësimin e kushteve të parashikuara në nenin 15, pika 1 të këtij ligji.

2. Me ndërprerjen e procedurës së deklarimit vullnetar konsiderohet se procedura e deklarimit në kuptim të këtij ligji nuk ka filluar dhe subjekti nuk konsiderohet subjekt përfitues në kuptim të këtij ligji.  

Neni 15

Përfundimi i procedurës së deklarimit vullnetar

1. Procedura e deklarimit vullnetar përfundon me plotësimin njëkohësisht të këtyre kushteve:

a)      me depozitimin në llogarinë përkatëse bankare, të shumave sipas nenit 9 të këtij ligji në rast se pasuria konsiston në shuma në të holla;

b)       me pagimin e vlerës së tatimit të posaçëm, sipas nenit 12 të këtij ligji.

2. Me përfundimin e procedurës së deklarimit vullnetar, brenda 20 ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit sipas pikës 1, njësia speciale lëshon vërtetimin përkatës të përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar të pasurive, formati i të cilit miratohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

3. Personi në emër të të cilit është lëshuar vërtetimi për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar konsiderohet subjekt përfitues për pasurinë përkatësisht sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar në vërtetimin përkatës për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar.

4. Pasuria për të cilën është lëshuar vërtetimi në përfundim të procesit të deklarimit vullnetar konsiderohet pasuri e deklaruar në kuptim të këtij ligji.

Neni 16

 Efektet e përfundimit të procedurës së deklarimit vullnetar

1. Individët, personat fizikë dhe personat juridikë, subjekte përfitues sipas parashikimeve të këtij ligji, me pajisjen me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, gëzojnë këto të drejta:

a)      të ardhurat pas kryerjes së pagesës së detyrimeve, sipas parashikimeve në këtë ligji, konsiderohen si të ardhura, për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar;

b)      përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji;

c)      të drejtën e ruajtjes së sekretit, sipas përkufizimit të këtij ligji, për sa i përket ligjësimit të pasurive të deklaruara dhe deklarimit të elementëve të pasqyrave financiare, sipas parashikimeve të këtij ligji;

d)     garanci për subjektet, që kanë deklaruar shuma në të holla, për mosdiskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore;

e)      përjashtim nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative në kuadër të ndëshkimit administrativ në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas parashikimeve të këtij ligji, nëse nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj;

f)       përjashtim nga ndjekja penale dhe procedimi penal në kuadër të ligjit penal të zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë për vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligji;

g)      mosvënia e masës së sekuestros apo konfiskimit ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht, për shkaqe që burojnë nga zbatimi i këtij ligji.

2. Çdo paqartësi në zbatimin e këtij ligji interpretohet në favor të subjekteve përfitues.

3. Tatimet e paguara për efekt të deklarimit të pasurive nuk konsiderohen shpenzim i zbritshëm për efekte fiskale.

4. Në rastet e deklarimit të elementëve të pasqyrave financiare të drejtat e subjekteve përfituese, për aq sa janë të zbatueshme, shtrihen edhe te profesionistët e sektorit që kanë certifikuar veprimet e rideklaruara sipas këtij ligji.

5. Parashikimet e këtij neni nuk zbatohen ndaj subjekteve të parashikuara nga neni 6 i këtij ligji.


Neni 17

Falja e gjobave/kamatvonesave/penaliteteve për veprimet me pasuritë e deklaruara

1.Të gjithë subjektet përfituese sipas përcaktimeve të këtij ligji, u falen të gjitha gjobat/kamatëvonesat/penalitetet të parashikuara në legjislacionin në fuqi për regjistrimin e pasurisë që konsiderohet e deklaruar në kuptim të këtij ligji nëse brenda afatit të zbatimit të këtij ligji kryejnë rregjistrimin e pasurisë në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

2. Parashikimet e këtij neni nuk zbatohen ndaj subjekteve të parashikuara nga neni 6 i këtij ligji.

SEKSIONI II

MBI AMNISTINE PENALE

Neni 18

Kushtet për dhënien e amnistisë nga ndjekja penale

1. Subjektet përfitues, ndaj të cilëve është lëshuar vërtetimi përkatës i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, përjashtohen nga ndjekja penale për veprat penale që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me krijimin dhe disponimin e pasurisë së deklaruar sipas kushteve të përcaktuar në këtë ligj, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.  

2. Nuk përfitojnë nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni, subjektet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji

KREU IV

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 19

Koha e zbatimit

Ky ligj zbatohet deri në 12 muaj nga fillimi i efekteve të zbatimit të këtij ligji, për subjektet deklaruese. Për organet e administratës publike të përfshira në procesin e deklarimit vullnetar të pasurive, ky afat shtrihet deri në përfundimin e shqyrtimit të deklarimeve të kryera brenda afatit të mësipërm, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 20

Aktet nënligjore

Ngarkohet ministri përgjegjës për financat për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të nenit 7, pika 4, nenit 8, pika 2, nenit 11, pika 1, nenit 13, pika 2 dhe nenit 15, pika 2, të këtij ligji brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 21

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet e zbatimit fillojnë 30 ditë nga hyrja në fuqi e tij.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore