Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Xi kundër mentalitetit të Luftës së Ftohtë, kërkon bashkëpunim

Xi kundër mentalitetit të Luftës së Ftohtë, kërkon

Presidenti kinez Xi Jinping tha të hënën se vendi i tij do të ofrojë 1 miliard doza shtesë të vaksinës COVID-19 për vendet e tjera, duke bërë thirrje për bashkëpunim global për të trajtuar pandeminë dhe sfidat e tjera, ndërsa u bëri thirrje fuqive botërore që të hedhin poshtë "mentalitetin e Luftës së Ftohtë" - një kritikë drejtuar Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësi Xi vuri në pah përpjekjet e Kinës për të shpërndarë vaksinat, luftuar ndryshimet klimatike dhe për të mbështetur zhvillimin, gjatë fjalimit hapës të një takimi virtual të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Takimi, që zakonisht mbahet në Davos të Zvicrës, po zhvillohet në rrugë virtuale si rezultat i pandemisë.

Përpjekjet për të luftuar pandeminë, që ka marrë mbi 5.5 milionë jetë dhe ka dëmtuar ekonominë botërore, si dhe ndryshimet klimatike, ishin temat kryesore të diskutimeve të ditës së hënë.

Gjatë një seance të panelit mbi çështjet e pandemisë, shefi i firmës Moderna tha se kompania e tij po punonte për të krijuar një dozë të vetme vaksine përforcuese ndaj koronavirusit dhe gripit së bashku. Eksperti amerikan i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci tha se ishte shumë shqetësues ngurrimi i njerëzve për të zbatuar masat bazë si mbajtja e maskave dhe vaksinimi.

Presidenti Xi, i cili nuk ka dalë nga Kina që nga shfaqja e koronavirusit në fillim të vitit 2020, tha se vendi i tij ka eksportuar më shumë se 2 miliardë doza të vaksinave të tij COVID-19 në mbi 120 vende dhe institucione ndërkombëtare. Zoti Xi njoftoi planet për të siguruar një miliard doza shtesë, përfshirë një donacion prej 600 milionë dozash për Afrikën dhe 150 milionë doza shtesë për Azinë Juglindore.

Pr krahasim, menaxherët e programit të OKB-së, COVAX, për dërgimin e vaksinave në vendet në zhvillim njoftuan gjatë fundjavës se deri tani janë dërguar 1 miliard doza vaksinash. Presidenti Xi përsëriti problemet e mëparshme të trajtuara në rrafshin ndërkombëtar, duke përfshirë reagimet ndaj akuzave të partnerëve botërorë, me premtimet për hapje më të gjerë të ekonomisë së saj, të mbizotëruar nga qeveria, për konkurrencën private dhe të huaj.

Komentet e presidentit kinez vijnë pasi tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë thelluar në çështje si Tajvani, prona intelektuale, tregtia, të drejtat e njeriut dhe Deti i Kinës Jugore./VOA

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore