Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Poloni-BE, luftë e hapur / Varshava: Brukseli po na shantazhon

Poloni-BE, luftë e hapur / Varshava: Brukseli po na shantazhon

Polonia akuzon Bashkimin Europian se po e shantazhon në një debat të nxehtë që ndodhi mes kryeministrit Mateusz Morawiecki dhe Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.

Përplasja pason vendimin e gjykatës kushtetuese polake që rrëzoi disa pjesë të ligjeve europiane, duke deklaruar se ato nuk mund të prevalonin mbi ligjet vendase.

“Vendimi i gjykatës kushtetuese polake vë në pikëpyetje themelimin e BE dhe është një sfidë e drejtpërdrejt ndaj unitetit të sistemit ligjor europian. është hera e parë që një gjykatë e një vendi anëtar vendos se traktatet e BE nuk përputhen me kushtetutën e një vendi anëtar”, tha Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.

Presidentja von der Leyen tha se Komisioni do të veprojë për të mbrojtur vlerat e BE-së, duke nënkuptuar aktivizimin e një mekanizmi që mund t’i heqë Polonisë të drejtën e votës në BE, e deri te marrja e paralajmërimit për përjashtim.

Si kundërpërgjigje, kryeministri polak e cilësoi deklaratën si “gjuhë kërcënuese” dhe akuzoi BE se po tejkalon kompetencat e veta. 

“Epërsia e ligjit europian nuk shtrihet në sistemet kushtetuese. Kushtetuta polake është ligji më i lartë në Poloni dhe qëndron mbi të gjitha ligjet e tjera”, u përgjigj kryeministri polak, duke cituar se në të shkuarën vendime të tilla kanë dhënë edhe gjykatat kushtetuese të Gjermanisë, Francës, Danimarkës, Spanjës, Italisë dhe Rumanisë.

Polakët mbështesin masivisht qëndrimin në BE, sipas sondazheve, por qeveria e djathtë në pushtet është përplasur vazhdimisht me BE prej 2016 në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBT dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Përplasja e fundit lidhet me vendimin e gjykatës kushtetuese polake, që në thelb rrëzon një prej parimeve kryesore të BE-së, që është ai i prevalimit të ligjit të unionit mbi ligjet vendase të shteteve anëtare.

Çështja u shtrua për gjykim në kushtetuese nga kryeministri polak dhe kjo ishte hera e parë që udhëheqësi i një vendi anëtar vë në pikëpyetje traktatet mbi të cilat funksionon BE në gjykatën kushtetuese vendase.

Komisioni Europian paralajmëroi se ka tre rrugë për t’iu përgjigjur sfidës polake. Së pari, apelimi në gjykatat e BE të vendimit të gjykatës kushtetuese polake, së dyti pezullimi i të gjitha fondeve të BE për Poloninë dhe së treti pezullimi i së drejtës së votës dhe të drejtave të tjera që gëzojnë vendet anëtare, ku nuk përjashtohet as lëvizja e lirë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore