Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pas Austrisë, edhe Gjermania izolon të pavaksinuarit

Pas Austrisë, edhe Gjermania izolon të pavaksinuarit

“Gjermania do të prezantojë kufizime më të forta ndaj COVID-19 për qytetarët e pavaksinuar”, tha kancelarja Angela Merkel të enjten pas një mbledhjeje emergjente të Qeverisë mes një rritjeje të infeksioneve.

Në rajonet ku ka më shumë se tre pacientë me COVID-19 në spital për 100,000 banorë, vetëm të vaksinuarit dhe ata që janë shëruar nga virusi do të mund të hyjnë në vende publike, si restorante, ose sallat e koncerteve.

Shumica e rajoneve në vend janë aktualisht mbi këtë prag. Sipas rregullave të reja, personat e pavaksinuar, edhe nëse rezultojnë negativë për COVID-19 do të kenë të kufizuar aksesin e tyre në shumë vende publike.

Njoftimi vjen pasi dhoma e ulët e parlamentit gjerman, Bundestag votoi të enjten në favor të kufizimeve të reja për të frenuar një rritje të rasteve me koronavirus. Planet duhet të miratohen nga dhoma e lartë, që është Bundesrati.

Ato përfshijnë kufizime të reja në vendin e punës dhe transportin publik. Njerëzit do të duhet të dëshmojnë se janë të vaksinuar, të shëruar nga COVID-19, ose kanë rezultuar negativë për virusin në mënyrë që të kenë akses në këto vende.

Masat u propozuan nga tre partitë që priten të formojnë koalicionin e ardhshëm: Social Demokratët (SPD), liberalët dhe të gjelbërtit. Më herët, autoritetet shëndetësore lëshuan një paralajmërim të ashpër pasi 65,371 raste të reja u raportuan në një ditë të vetme, duke konfirmuar një tendencë rritëse që ekspertët kanë paralajmëruar prej javësh.

"Aktualisht po shkojmë drejt një emergjence serioze", tha Lothar Wieler, drejtor i Institutit Robert Koch, agjencia gjermane e kontrollit të sëmundjeve. "Do të kemi një Krishtlindje vërtet të tmerrshme nëse nuk marrim masa tani".

Ai bëri thirrje për një rritje të ndjeshme të normave të vaksinimit në mbi 75 për qind, nga 67.7 për qind që është aktualisht. Në disa rajone gjermane normat janë deri në 57.6 për qind.

Vala e katërt e COVID-19 po godet Gjermaninë me "fuqi të plotë", tha Angela Merkel të mërkurën, duke e përshkruar pandeminë si "dramatike" në një takim me drejtuesit e qyteteve gjermane.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn u ka bërë thirrje mjekëve që të mos jenë shumë të rreptë për të pritur të paktën gjashtë muaj përpara se t'u japin pacientëve vaksinën përforcuese. Apelet vijnë disa ditë pasi Brandenburgu, i cili përfshin Berlinin, u bë i fundit nga disa prej shteteve federale të vendit për të ndaluar njerëzit e pavaksinuar, edhe nëse ata rezultojnë negativë, nga restorantet, muzetë dhe ambientet e tjera publike.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore