Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Gjukanoviç, 24 orë përpara zgjedhjeve: Serbët dhe rusët nuk e kanë dashur Malin e Zi, na kanë sulmuar dhe me bomba!

Gjukanoviç, 24 orë përpara zgjedhjeve: Serbët dhe

Më shumë se 24 orë përpara zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, ka sulmuar Serbinë dhe kishën ortodokse serbe, të cilat sipas tij kanë dashur gjithmonë të mbajnë nën sundim malazezët.

Duke shfrytëzuar heshtjen zgjedhore, njeriu i fortë i Podgoricës, nuk foli fare për politikë, por nëpërmjet historisë dha një mesazh të pastër e që në fakt është thelbi i zgjedhjeve malazeze.

Në një fjalim të mbajtur nga ish-Pallati Mbretëror në Cetinje, kryeqytetin e vjetër të vendit, Gjukanoviç, me një koreografi nacionaliste ka përkujtuar 110 vjetorin e themelimit të Mbretërisë malazeze, e cila u krijua  në vitin 1910.

Në fjalimin e tij, Gjukanoviç deklaroi se mbretëria malazeze nuk qëndroi shumë dhe u pengua gjithmonë gjatë pikërisht prej orekseve që vinin nga qendrat e pushtetit në Beograd që na kanë shikuar gjithmonë si “ortakë nën hyqëm” që duhen qeverisur.

Në këtë kontekst presidenti malazez, mori në një farë mënyrë rolin e Knjaz Nikollës, themeluesit të shtetit malazez, i cili sipas Gjukanoviçit, u trajtua keq nga dinastia serbe e Karagjorgjeviçëve.

E në këtë kontekst, presidenti malazez, ka përmendur edhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe, e cila sipas tij, synon të mbizotëroje dhe qeverisë atë malazeze.

Duke dhënë një historik të themelimit të institucioneve fetare të vendit pas pavarësisë, Gjukanoviç kujtoi krijimin e Bashkësisë Islame, Ipeshkvnisë Katolike dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Malazeze.

"Pse, vetëm në Serbi, shpallja e mbretërisë u paraqit si një përfaqësim i panevojshëm i kotësisë qeveritare, dhe madje edhe u përqesh. Aspiratat e Serbisë, atëherë një shtet i Ballkanit politikisht dhe ushtarakisht i fuqishëm, nuk përputheshin me Vullnetin e Principatës së Malit të Zi”, tha Gjukanoviç.

"Kishte dy qasje në atë kohë kur u themelua mbretëria: Njëra ishte që Mali i Zi duhet të ketë subjektivitet shtetëror, se interesat e Malit të Zi janë mbi të gjitha interesat e tjerë. Ithtarët e konceptit të dytë ishin të mendimit se kuptimi dhe qëllimi i shtetit malazez është që t'u shërbejë interesave të të gjithë serbëve dhe se Mali i Zi duhet t'i dorëzojë udhëheqjen një shteti tjetër," tha ai.

Dhe duke sjellë rastin e përplasjes ndërmjet Karagjorgjeviçëve dhe dinastisë së Njegoshëve të Malit të Zi, Gjukanoviç deklaroi se “dinastia serbe i shikonte sovranët tanë si tradhtarë e separatistë”.

Dhe ka vijuar më tej: “Beogradi mbështeti kundërshtarët e sundimtarit malazez në të gjitha mënyrat. Që nga përkrahja për të ashtuquajturat ‘forca patriotike’ në Mal të Zi, fushatat në shtypin e Beogradit kundër Princit Nikolla, dhe më pas duke organizuar veprime terroriste për përmbysjen e tij të dhunshme”.

Ai shtoi se ngjarja e njohur në historiografi si "Çështja e bombave" ndodhi gjatë zgjedhjeve të tetorit në 1907, kur, siç deklaroi ai, emigracioni malazez nga Beogradi organizoi sjelljen e bombave në Cetinje, me qëllim për të vrarë princin dhe familjen e tij.

“Menjëherë pas kësaj përpjekjeje të pasuksesshme, u krijua një organizatë e fshehtë terroriste me më shumë se një mijë anëtarë në Podgoricë, e cila filloi të punojë për të ngritur një kryengritje në Malin e Zi. Në gusht 1909, komplotistët u kapën dhe u sollën para një gjykate ushtarake. Por ajo që ata nuk arritën të bënin as në 1907 as në 1909, e përfunduan në 1918.

Ku u bë shumë qartë se kush nuk donte krijimin e Malit të Zi”. E këtu, Gjukanoviç aludoi direkt për Rusinë, e cila pas Luftës së i Botërore krijoi Mbretërinë serbe, me në krye karagjorgjeviçët.

Ai shtoi se përballja e këtyre dy këndvështrimeve shënoi shekullin e 20-të malazez, duke pretenduar se ajo përpjekje nuk është ndalur as sot.

Katër vjet më parë, një organizatë e fshehtë, si dhe tre diplomatë rusë janë dënuar nga një gjykatë e Malit të Zi për tentativë vrasje të kryeministrit të atëhershëm Gjukanoviç dhe përmbysje me dhunë të rendit kushtetues.

Ndërkaq opozita laramene që këtë herë është bashkuar më shumë shpreson që të marrë sa më shumë vota duke u paraqitur në lista të ndryshme, vetëm që partia në pushtet e Gjukanoviç të mos marrë shumicën në zgjedhje.

GazetaShqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore