Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Turizmi, vendet që po goditen më shumë nga ndikimi i Covid-19

Turizmi, vendet që po goditen më shumë nga ndikimi i Covid-19

Ndërsa destinacionet popullore po rihapen ngadalë dhe turizmi ka filluar ta marrë veten në disa rajone, ndikimi i pandemisë në këtë industri ka qenë shkatërrues. Shumë shtete që mbështeten fort në të paratë nga turizmi humbën brenda natës një prej burimeve kryesore të të ardhurave të tyre gjatë muajit mars, por “paslëkundjet”, vazhdojnë dhe sezoni i verës i ekspozon maksimalisht ndaj këtij problemi.

Cilat janë ato që do të goditen më rëndë? Sipas faqes online Statista, Meksika është më e rrezikuara nga ekonomitë e mëdha në botë pasi 15.5% e PBB-së së saj mbështetet në industrinë e udhëtimit dhe turizmit.

Portali në internet, i cili siguron të dhëna për ekonominë globale dixhitale, ka hartuar një listë të atyre që mund të preken më keq bazuar në shifrat e vitit 2019 nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC).

Meksika gjendet në krye të listës së Statista, e ndjekur nga afër nga Spanja dhe Italia.Tashmë në mesin e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve të koronavirusit, destinacionet europiane gjithashtu rrezikojnë dëme të mëdha nga goditja e turizmit për shkak të varësisë së tyre nga të ardhurat prej vizitorëve të huaj, të cilat kontribuan në masën 14.3% në PBB-në e Spanjës vitin e kaluar dhe 13% në atë të Italisë sipas WTTC.

Pasi vendosi njërën prej karantinave më të rrepta në Europë, Spanja tani po përpiqet me çdo kusht të rigjallërojë industrinë e saj të vështirë të turizmit, duke rihapur kufijtë muajin e kaluar për të gjitha vendet e BE-së dhe vendet e aprovuara të palëve të treta.

Ndërkohë, Italia bëri të njëjtën gjë me udhëtarët nga vendet e BE-së së bashku me ata nga Mbretëria e Bashkuar dhe Andorra, Monaco, San Marino e Vatikani, në një lëvizje të cilën qeveria atje e përshkroi si një "rrezik të llogaritur".

Sidoqoftë, rastet e koronavirusit janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në Spanjë që nga heqja e kufizimeve, dhe Italia ka përjetuar gjithashtu një shtim të vogël të rasteve që nga lehtësimi i kufizimeve, duke treguar kështu se procesi i rimëkëmbjes ka të ngjarë të jetë i ngadaltë dhe i zgjatur.

Ndikimi në SHBA, ekonomia më e madhe në botë, ka qenë më pak i fortë pasi turizmi zë vetëm 8.6% të PBB-së së saj. Franca në listë renditet poshtë SHBA-së me turizmin që përbën 8.5% të PBB-së. edhe më pak ndikim ka për Korenë e Jugut, ku turizmi nuk shënon më shumë se 4.2% të PBB-së.

“Që industria e turizmit do të rimëkëmbet, kjo është e sigurtë”, thotë Lori Pennington-Gray, profesoreshë në Universitetin e Floridas. “Por kjo thjesht nuk ka për të ndodhur brenda ditës”, shton ajo.  

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore