Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

“Stuhia” perfekte – Ekonomia po lundron mes dallgëve, energjia po e shtyn në ciklon

“Stuhia” perfekte – Ekonomia po lundron mes dallgëve,

Nga bërxollat e viçit në Tokio deri te pulat në Londër, konsumatorët kanë filluar të ndiejnë rritjen e kostos së produkteve bazë në të gjithë ekonominë globale.

Rikthimi në normalitet, pas kufizimeve të koronavirusit ka nxjerrë në pah mangësitë e zinxhirit të furnizimit, me firmat që përpiqen të gjejnë punëtorë, anije që nuk lundrojnë për mungesë stafi dhe madje edhe karburanti, me fabrika që po vuajnë mungesën e energjisë. Të gjitha këto po minojnë rimëkëmbjen globale.

Prodhuesi më i madh i pulave në Britani tha se ky produkt relativisht i lirë i vendit po përfundonte dhe inflacioni i rritjes së çmimeve të pulës mund të arrijë dyshifror.

"Ditët kur mund të ushqeni një familje prej katër vetash me një pulë prej 3 paundësh (4 dollarë) po përfundojnë", tha Ranjit Singh Boparan, pronar i grupit “2 Sisters”.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden të mërkurën i kërkoi sektorit privat të ndihmojë në lehtësimin e bllokimeve që po kërcënojnë të prishin sezonin e festave në SHBA.

Biden tha se porti i Los Anxhelosit do të bashkohej me Portin e Long Beach në punë gjatë gjithë kohës për të shkarkuar rreth 500,000 kontejnerë, ndërsa Ëalmart, Target dhe kompani të tjera të shitjes me pakicë njoftuan reduktimin e operacioneve të tyre gjatë natës.

Edhe në Japoni, ku rritja e dobët ka bërë që çmimet e shumë gjërave - si dhe pagat - të mos jenë rritur shumë në dekada, konsumatorët dhe bizneset po përballen me një tronditje çmimi për produkte bazë si kafja dhe mishi i viçit.

Inflacioni bazë i konsumatorit në Japoni ndaloi rënien në gusht, duke tërhequr një periudhë 12-mujore deflacioniste. Ekonomistët dhe politikëbërësit presin që rritjet e fundit të çmimeve të reflektohen në të dhënat gjatë muajve të ardhshëm.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde përsëriti se rritja ekonomike në Europë është e përkohshme dhe tha se nuk ka sinjale se ajo mund të ndikojë në rritjen e pagave. "Ndikimi i këtyre faktorëve duhet të zbehet gjatë vitit të ardhshëm, duke zbutur inflacionin vjetor", tha Lagarde.

Inflacioni i Eurozonës pritet të arrijë 4 për qind para fundit të vitit, dyfishi i objektivit të Bankës Qendrore Europiane dhe një numër në rritje i ekonomistëve e parashikojnë mbi shifrën 2 për qind edhe për vitin e ardhshëm.

Por, ekspertët paralajmërojnë se më e keqja nuk ka ardhur akoma. Dimri përpara dhe rritja e konsumit të energjisë do të fluturojë edhe më tepër çmimet dhe as energjia e prodhuar nga qymyri nuk do ta shmangë këtë fenomen. Shkak janë Kina dhe India, dy prodhueset më të mëdha të këtij produkti, që kanë njoftuar se do të ndalojnë përkohësisht eksportet për të plotësuar nevojat e tregut vendas.

Kriza e energjisë në Kinë, e shkaktuar nga mungesat e qymyrit, çmimet e larta të karburantit dhe rritja e kërkesës industriale pas pandemisë ka ndaluar prodhimin, përfshirë këtu fabrikat që furnizojnë marka të mëdha si Apple.

Për momentin nuk ka asnjë shenjë kostoja e energjisë do të ulet në të ardhmen, teksa aktualisht nafta bruto Brent tregtohet mbi 84 dollarë për fuçi. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se kriza mund të rrisë kërkesën për naftë me gjysmë milioni fuçi në ditë dhe kjo do të çonte në një rritje të mëtejshme të çmimit të naftës.

"Çmimet më të larta të energjisë po shtojnë gjithashtu presionet inflacioniste që, së bashku me ndërprerjet e energjisë, mund të çojnë në një ulje të aktivitetit industrial dhe një ngadalësim të rimëkëmbjes ekonomike", tha Agjencia.

Institutet kryesore ekonomike ulën parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të 2021 në Gjermani, ekonomia më e madhe e Europës, në 2.4% nga 3.7% . Rishikimi negativ u bë pikërisht për shkak të krizës së energjisë.

Burimet qeveritare dhe industriale gjermane i thanë Reuters të enjten se qeveria planifikon të lehtësojë presionin ndaj konsumatorëve nga rritja e faturave të energjisë duke ulur me 43 për qind parashikimet për mbështetjen e energjisë së rinovueshme për vitin e ardhshëm.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore