Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Shtetet e BE mund të hyjnë në borxhe pa kufi edhe për 2022

Shtetet e BE mund të hyjnë në borxhe pa kufi edhe për 2022

Për shkak të krizës së Coronas, rregullat e stabilitetit për vendet anëtare të BE u pezulluan për herë të parë në mars të vitit të kaluar. Kjo situatë nuk do të ndryshojë deri në fund të vitit 2022.

Komisioni Evropian dëshiron t'i shfuqizojë rregullat e deficitit dhe borxheve për vendet anëtare të BE edhe në vitin e ardhshëm. Kjo u njoftua nga Komisioni në Bruksel. Komisioni Evropian e shpalli vendimin përkatës të mërkurën (02.06.2021).

Rregullat e stabilitetit të BE shfuqizohen edhe për 2022

Në bazë të parashikimit të fundit të Komisionit për koniunkturën ekonomike, Komisioni vendosi të bëjë një përjashtim përkatës edhe për vitin 2022. Pritet që rregullat e deficitit dhe borxhit të rihyjnë në fuqi në vitin 2023.

Rregullat evropiane për deficitet buxhetore dhe borxhi i përgjithshëm i vendeve anëtare u pezulluan për herë të parë në mars të vitit të kaluar, për shkak të krizës së Coronas. Synimi me këtë hap ishte që qeveritë të kishin mundësi të stimulonin me programe ndihme ekonominë, pa pasur frikë për sanksione nga Brukseli.


"Ne inkurajojmë shtetet anëtare të vazhdojnë të ndjekin një politikë fiskale mbështetëse këtë vit dhe vitin e ardhshëm," tha zëvendëspresidenti i Komisionit, Valdis Dombrovskis. Qëllimi është të ruhen investimet publike, në mënyrë që të stimulohet rritja ekonomike.

Sidomos për vendet e zhytura në borxhe të thella, megjithatë, është e nevojshme"një përzierje e shëndetshme e shpenzimeve", e cila përqendrohet në investime dhe "mban nën kontroll shpenzimet e tjera".

Shkeljet zakonisht shoqërohen me sanksione nga Brukseli

Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes ka për synim të garantojë siguri financiare në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar Evropian. Sipas tij, deficitet buxhetore të vendeve anëtare normalisht nuk duhet të kalojnë tre përqind të prodhimit ekonomik. Borxhi i përgjithshëm nuk duhet të kalojë 60 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Kur shkeljet e deficitit vazhdojnë, vendet anëtare përballen me sanksione nga Brukseli. Janë të mundura gjoba deri në 0.2 përqind të prodhimit ekonomik, të cilat mund të arrijnë deri në miliarda. Edhe paratë nga fondet strukturore prej miliarda dollarësh mund të shkurtohen. Sidoqoftë, procedura është e gjatë dhe e vështirë dhe BE deri sot nuk ka vendosur asnjëherë ndonjë gjobë./ dw/aud (ard, dpa)

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore