Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Shkeli rregullat e tregut, BE fiton gjyqin e gjobës rekord ndaj Google

Shkeli rregullat e tregut, BE fiton gjyqin e gjobës rekord ndaj Google

Google ka humbur betejën ligjore me Komisionin Europian dhe tashmë duhet të paguajë 2.42 miliardë eurosh gjobë të vendosur nga KE në lidhje me monopolin në shërbimin e blerjeve.

Vendimi u dha nga Gjykata e Përgjithshme Europiane (EGC), gjykata më e ulët e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila vendosi të lërë në fuqi gjobën.

Komisioni argumentoi se Google kishte përdorur padrejtësisht motorin e kërkimit për të ridrejtuar trafikun në Google Shopping, një shërbim që lejon përdoruesit të krahasojnë produktet dhe çmimet nga shitësit me pakicë në internet.

Brukseli thotë se kur kompania filloi shërbimin në vitin 2004 (nën emrin Froogle), ai nuk ishte i suksesshëm dhe nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.

Por që nga viti 2008, ekzekutivi pretendon se Google filloi të favorizojë sistematikisht shërbimin e tij të blerjeve në rezultatet e motorit të tij të kërkimit popullor, dominimi i tregut të të cilit tejkalon 90 për qind në shumicën e vendeve të BE-së. Google Shopping tani shfaqet në mënyrë rutinore në krye të rezultateve të kërkimit, vuri në dukje Brukseli.

Kjo praktikë ndrydhi shërbimet e tjera të blerjeve, të cilat u zbritën në rezultatet e kërkimit dhe e bënë praktikisht të pamundura për t’u gjetur nga klientët. Si rezultat, njerëzit ishin të ekspozuar ekskluzivisht ndaj Google Shopping, duke e kthyer platformën në opsionin de facto të paracaktuar për blerësit në internet.

“Dëshmitë tregojnë se edhe shërbimi rival më i renditur shfaqet mesatarisht vetëm në faqen katër të rezultateve të kërkimit të Google dhe të tjerët shfaqen edhe më poshtë”, tha Komisioni në vitin 2017, kur shpalli gjobën e madhe.

Brukseli vlerëson se 95 për qind e klikimeve shkojnë në dhjetë rezultatet më të larta në faqen e parë, me ato në faqen e dytë që marrin vetëm 1% të vëmendjes. KE thotë se kjo praktikë shkel rregullat e konkurrencës së BE-së dhe shtrembëron tregun e brendshëm.

"Ajo që Google ka bërë është e paligjshme sipas rregullave antitrust të BE-së. Ajo u mohoi kompanive të tjera mundësinë për të konkurruar në bazë të meritave dhe më e rëndësishmja, u mohoi konsumatorëve europianë një zgjedhje të vërtetë të shërbimeve dhe përfitimet e plota të inovacionit", tha Margrethe. Vestager, Komisionerja Europian për Konkurrencën.

Gjoba prej 2.42 miliardë euro u llogarit sipas të ardhurave të marra nga Google nga viti 2008 deri në 2017 në 13 vende të tregut të vetëm që Komisioni i konsideroi të prekura nga praktika e padrejtë: Gjermania, Mbretëria e Bashkuar (ende anëtare e BE-së kur filloi hetimi ), Franca, Italia, Holanda, Spanja, Republika Çeke, Austria, Belgjika, Danimarka, Norvegjia (jo anëtare e BE-së, por pjesë e tregut të vetëm), Polonia dhe Suedia.

Google iu kundërpërgjigj akuzave, duke thënë se mendimi i Komisionit Evropian ishte "i gabuar për ligjin, faktet dhe ekonominë" dhe shërbimi i tij në fakt kishin rritur mundësitë për zgjedhje për konsumatorët.

"Reklamat e blerjeve kanë ndihmuar gjithmonë njerëzit të gjejnë produktet që kërkojnë shpejt dhe me lehtësi dhe kanë ndihmuar tregtarët të arrijnë klientët e mundshëm", tha kompania në shkurt 2020, kur seancat për apelimin u zhvilluan përpara Gjykatës së Përgjithshme.

Përveç gjobës aktuale, gjiganti amerikan i teknologjisë po lufton në dy gjyqe të tjera antitrust: ku në njërin është gjoba rekord prej 4.34 miliardë eurosh për vendosjen e penalizimeve dhe kufizimeve të paligjshme në pajisjet Android dhe një gjobë prej 1.49 miliardë eurosh për praktikat e supozuara abuzive në reklamat në internet.

Në total, kompania po përballet me më shumë se 8.2 miliardë euro gjoba antitrust të BE-së.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore