Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Rruga e ngadaltë drejt rikuperimit

Rruga e ngadaltë drejt rikuperimit

Disa ekonomi po rimëkëmben. Por gjërat mund të shkojnë për keq. Analiza tregon sesa i brishtë mund të jetë besimi i konsumatorit

Orford Ness, në bregun lindor të Britanisë, ishte një vend për kryerjen e provave ushtarake në shekullin XX. Pagodat e mëdha në bregdet, që ekzistojnë ende sot, ishin krijuar për të parandaluar që shpërthimet të shkaktonin dëme në moçalishtet përreth. Më 4 korrik, zona u bllokua për shkak të një lloji tjetër shpërthimi. “Super Saturday” shënoi hapjen e pub-eve dhe restoranteve për herë të parë që nga vendosja e karantinave.

Por në Orford, bomba e birrës nuk shpërtheu kurrë. Jolly Sailor, një pub pranë kalasë, kishte vetëm një grusht klientësh në kopsht. Në të gjithë Britaninë, e njëjta histori. Rezervimet e restoranteve mbetën 90% më të ulëta se ato të një viti më parë, shkruan The Economist.

Fati i Jolly Sailor reflekton vështirësitë me të cilat përballen vendet e pasura kur heqin masat izoluese. Shumica e parashikuesve vlerësojnë se prodhimi në ekonomitë e përparuara, pas rënies në gjysmën e parë të vitit 2020, ka të ngjarë të rimëkëmbet në nivelin para krizës, pas vitit 2021.

Por jo të gjitha rimëkëmbjet do të jenë të barabarta. Disa vende të pasura, si Gjermania dhe Koreja e Jugut, kanë më tepër shanse t’i rikthehen një “rimëkëmbjeje në formë V-je”. Rruga e rimëkëmbjes së PBB-së në vende të tjera mund t’i ngjajë më tepër një forme l ose W.
Analiza e revistës The Economist për të dhënat e lëvizshmërisë në kohë reale tregon gjithashtu se sa lehtësisht mund të shkojnë për keq rimëkëmbjet ekonomike, pasi konsumatorët reagojnë ndaj mundësisë së përhapjeve të reja.

Disa vende kanë një punë më të rëndë, sepse prodhimi i tyre ka rënë më shumë që nga shkurti, kur filluan të vendosen karantinat. Askush nuk e di ende me siguri se kush e kaluar krizën më mirë ose më keq. Të dhënat e PBB-së për tremujorin e dytë nuk janë ende në dispozicion, dhe në çdo rast, ka të ngjarë të jenë subjekt i rishikimeve të mëdha me kalimin e kohës, siç ndodh shpesh në periudha rëniesh. Por struktura industriale është një tregues. Sondazhet e aktivitetit ekonomik në Gjermani tregojnë se ajo e ka mbajtur veten më mirë në mes të marsit dhe majit sesa Franca, Italia apo Spanja.

Kjo mund të jetë për shkak të varësisë së madhe në prodhim, ku vazhdimi i prodhimit në kushtet e distancimit social është më i lehtë sesa në sektorin e shërbimeve të shitjes me pakicë ose hotelerisë.
Njësia konsulente, Capital Economics, parashikon që Polonia do të përjetojë tkurrjen më të vogël në Europë në PBB-në e saj këtë vit, pjesërisht për shkak se mbështetet më pak tek turistët e huaj.

 

Bllokimet dhe efekti në ekonomi

Rreptësia e bllokimeve zyrtare dhe ndryshimeve në sjelljen e njerëzve, duket qartë se ka luajtur një rol të madh. Hulumtimet nga Banka Goldman Sachs, zbuluan se rreptësia e bllokimit — për sa i përket forcimit të rregullave zyrtare dhe nivelit të respektimit të distancimit social nga njerëzit — është e lidhur fort me aktivitetin ekonomik.

Sipas kësaj matjeje, Italia kishte bllokimin më të rreptë shumicën e kohës (shiko grafikun 1). Sipas një llogaritjeje të përafërt, PBB-ja e saj për gjysmën e parë të vitit 2020, ka të ngjarë të jetë rreth 10% më e ulët – një goditje e rëndë për një vend që po përjetonte vështirësi edhe para pandemisë. Në të kundërt, PBB-ja e Koresë së Jugut duket se ka gjasa të ulet me vetëm 5%.

Heqja e masave bllokuese tani është duke rritur aktivitetin ekonomik. Megjithatë, ai ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Të dhënat e aktivitetit në kohë reale tregojnë se Amerika dhe Spanja janë të prapambetura, jo vetëm për sa i përket frekuentimit të restoranteve, por edhe të vendeve të punës dhe stacioneve të transportit publik. Vendet e tjera po përparojnë me vrull.

Në fund të qershorit, jeta ekonomike në Danimarkë dhe Norvegji ishte kthyer shumë pranë normalitetit. Shitjet me pakicë në Danimarkë u rritën me më shumë se 6% në maj (krahasuar me një rënie dyshifrore në Britani). Restorantet e Gjermanisë u mbyllën në maj. Por ditët e fundit janë rikthyer në kapacitet të plotë (shiko panelin e majtë të grafikut 2).

 

Një numër faktorësh ndikojnë në nivelin e rimëkëmbjes ekonomike. Njëri prej tyre është gjendja financiare e familjeve. Mbështetja e qeverisë ka pasur ndikim: në vendet ku pagat stimuluese kanë qenë të mëdha dhe janë përqendruar te familjet, njerëzit kanë krijuar rezerva të mëdha parash, të cilat tani mund t’i shpenzojnë. Marrim rastin e Koresë së Jugut. Familjet shpenzuan shpejt mbi 80% të një ndihme urgjente prej 10 trn (0.5% të PBB-së, ose $ 8.4 miliardë).

Si rezultat, ekonomia e saj mund të vuajë më pak se ekonomitë e tjera të mëdha të përparuara. Të ardhurat totale të familjeve në Japoni parashikohet të rriten këtë vit, pjesërisht falë pagesave bujare urgjente nga shteti. Nga ana tjetër, stimuli fiskal në Itali, i cili kishte një borxh të lartë qeveritar edhe para krizës, ka qenë më pak bujar.

 

Lidhja e bllokimeve me ekonominë

Hulumtimet nga Banka Goldman Sachs, zbuluan se rreptësia e bllokimit — për sa i përket forcimit të rregullave zyrtare dhe nivelit të respektimit të distancimit social nga njerëzit — është e lidhur fort me aktivitetin ekonomik.

 

Konsumatorët kanë frikë të shpenzojne

Të gjitha këto nuk vlejnë pa besimin e konsumatorit. Amerikanët kanë mjaft rezerva parash në xhepat e tyre falë ndihmave stimuluese. Por gjithsesi, janë të kujdesshëm. Një sërë provash tregojnë se nëse konsumatorët kanë frikë, atëherë heqja e masave izoluese nuk krijon ndonjë ndryshim të madh në rezultatet ekonomike. Për shembull, një analizë e qarqeve amerikane nga Austan Goolsbee dhe Chad Syverson nga Universiteti i Çikagos, ka zbuluar se një numër më i lartë i vdekjeve nga Covid-19 ndikon në aktivitetin e ulët të konsumatorit.

Kjo duket se vlen edhe në nivelin vendor. Ata që kanë një numër më të vogël vdekjesh nga Covid-19 për çdo një milion njerëz, i janë rikthyer normalitetit në mënyrë më të vendosur, sipas një analize të The Economist, duke përdorur të dhënat nga Google për frekuentimet e dyqaneve me pakicë, vendeve të punës dhe stacioneve të transportit publik.

Besimi i konsumatorit mund të ndikohet edhe nga koha e kaluar nën karantinë. Norvegjisë iu deshën vetëm dhjetë ditë për të përgjysmuar intensitetin e masave izoluese nga niveli kulmor. Megjithatë, shumë vendeve të tjera europiane iu deshën dhjetë javë. Kjo ndoshta shpjegon pse britanikët dhe spanjollët tregohen ende tepër të kujdesshëm.

Shifrat e fundit të lëvizshmërisë tregojnë qartë se sa i brishtë mund të jetë besimi i konsumatorit. Njerëzit në shtetet amerikane, që janë pika të nxehta si Arizona, Florida dhe Nevada, ku virusi po përhapet me shpejtësi, duket se janë bërë më të kujdesshëm (shiko panelin e djathtë të grafikut 2). Një matje me frekuencë të lartë e shpenzimeve të kartave amerikane të kreditit nga banka JPMorgan Chase, e ndali rritjen rreth 21 qershorit – dhe një matëse e shitjeve javore me pakicë mezi është rritur që nga maji.

Çuditërisht, matjet me frekuencë të lartë të tregut të punës tregojnë se punësimi në bizneset e vogla është sërish në rënie. Rreziku i një rënieje të dytë nuk vlen vetëm për Amerikën. Një rënie e madhe në frekuentimet e restoranteve australiane në fillim të korrikut përkoi me një shpërthim të madh të koronavirusit në Viktoria. Derisa virusi të mposhtet, vetëm një gjë mund të thuhet me siguri për rimëkëmbjen: ajo do të ndryshojë formë./Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore