Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Raporti i Bankës Botërore: Një rimëkëmbje e pasigurt e Shqipërisë, borxhi rritet 81%

Raporti i Bankës Botërore: Një rimëkëmbje e pasigurt e

Banka Botërore ka publikuar raportin mbi analizën ekonomike e financiare të Shqipërisë ku bën të ditur se Tërmeti i 26 nëntorit të 2019 dhe Pandemia e Covid 19 ka tronditur burimet e ekonomisë shqiptare, duke analizuar me detaje të gjitha treguesit. Sipas BB, rimëkëmbja në 2021 mund të shkojë në 55 por thekson se borxhi mund të arrijë nivelin 81% e PBB-së dhe përcakton me detaje si do të ulen të ardhurat publike nga taksat.

Raporti i Bankës Botërore

Ekonomia e Shqipërisë u godit rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019 e më pas nga pandemia e COVID-19. Në vitin 2020 punësimi dhe PBB-ja pritet të tkurren  ndjeshëm dhe bilancet e jashtme dhe ato fiskale të përkeqësohen.

Autoritetet reaguan me shpejtësi nëpërmjet masave kundër krizës, p.sh., linjave të garantimit të kredisë për bizneset dhe rritjes së transfertave sociale për individët.

Me ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, pritet që në 2021 të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, për shkak të rifillimit të procesit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale.Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike duhet që politikat mbështetëse të balancojnë zbutjen e ndikimit nga pandemia dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.

Zhvillimet e Fundit Ekonomike Ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në 2.2 për qind në 2019 si rezultat i thatësirës që çoi në ulje të prodhimit të energjisë elektrike; dhe më pas nga tërmeti shkatërrues në Nëntor. Por, ndërsa pritej të niste procesi i rindërtimit, pandemia globale COVID-19 çoi në mbylljen e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Mbyllja e bizneseve, reduktimi i  aktiviteteve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan sektorin e prodhimit.

Sezoni turistik – i cili është një nga kontribuuesit kryesor në rritjen ekonomike, ishte i zymtë. Vendimet për konsumin dhe investimet pësuan vonesa për shkak të pasigurisë lidhur me kohëzgjatjen e krizës.

Raporti i Bankës Botërore: Një rimëkëmbje e pasigurt e

Gjatë tremujorit të parë (TM1) të vitit 2020, PBB-ja u kontraktua me 2.5 për qind, investimet u tkurrën me 16.7 për qind, ndërsa konsumi shënoi rritje minimale prej 1.1 për qind. Porositë për eksport filluan të bien ndërsa importet u tkurrën së bashku me kërkesën e brendshme. Deri në fund të 2020-s, PBB-ja e Shqipërisë pritet të kontraktohet me 8.4 për qind.

Rënia e konsumit privat pritet të ketë kontribut negativ prej 5.2 për qind në rritjen ekonomike. Pavarësisht gjithë financimeve të qeverisë për rindërtimin pas tërmetit, investimet pritet të  kontribuojnë me vetëm 0.2 pikë përqindje (pp) në rritje. Së fundmi, eksportet neto pritet të kenë kontribut negativ prej 3.4 për qind në rritjen ekonomike.

Kriza shkaktoi probleme edhe në tregun e punës në Shqipëri; shumë punëtorë kanë marrëveshje informale të cilat janë më të cenueshme nga stresi ekonomik. Për t’iu kundërpërgjigjur krizës, autoritetet shqiptare vendosën subvencionimin e pagave për bizneset më të prekura nga situata, rritën shpenzimet për përkrahje sociale, miratuan një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredive si dhe ofruan garantim të kredive për të lehtësuar aksesin në kapitalin qarkullues.

Megjithatë, shumë punëtorë dhe sipërmarrës informalë në vend ende po vuajnë pasojat e krizës. Punësimi pësoi rënie në të gjithë vendin, duke u ulur me 3.6 për qind në terma vjetorë në TM2. Papunësia u rrit me 0.4 për qind duke arritur në 11.9 për qind, dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës pësoi rënie.

Inflacioni ka qenë nën kufirin e synuar, duke shënuar një vlerë mesatare prej 1.8 për qind në gjysmën e parë (Gj1) e parë të vitit 2020, vetëm 0.3 për qind më i lartë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2019.

NJË RIMËKËMBJE E PASIGURT

Megjithëse inflacioni pësoi rënie në nënkategorinë e karburanteve, kjo nuk ndikoi në çmimet e mallrave të tjera dhe shërbimeve. Megjithatë, me heqjen e disa masave kufizuese në fund të Majit, efektet negative nisën të zbuten.

Inflacioni pritet të reflektojë rënien e kërkesës së brendshme dhe do të vazhdojë të jetë më i ulët se kufiri i synuar edhe gjatë pjesës tjetër të vitit 2020. Politika monetare ka qenë akomoduese, e shoqëruar me ulje të normës bazë të interesit dhe injektime të  likuiditetit në sistemin bankar.

Në përgjigje të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, banka qendrore uli sërish normën bazë të interesit, me 50 pikë bazë, duke arritur një minimum historik prej 0.5 për qind. Ajo hoqi gjithashtu tavanin për huatë afatshkurtra nga banka qendrore me qëllim mbështetjen e amortizatorëve të likuiditetit në sistemin bankar.

Gjithashtu u prezantuan instrumente makro prudenciale, të tilla si zvogëlimi i kërkesës së kapitalit për letrat me vlerë të qeverisë në valutë të huaj, me qëllimin për të shfrytëzuar nivelin e bollshëm të likuiditetit në valutë të huaj në tregun e brendshëm dhe për të kompensuar efektet e paqëndrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare. Me gjithë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit valutor gjatë vitit, kursi i këmbimit mbetet ende fleksibël duke mbrojtur në këtë mënyrë ekonominë shqiptare nga goditjet e jashtme.

Deri në Tremujorin e dytë, monedha vendase ishte mbiçmuar me 1.4 për qind ndaj euros për shkak të rënies së aktivitetit me partnerët tregtarë. Sektori bankar, i cili është i  mirë kapitalizuar dhe likuid, ka ndihmuar në amortizimin e efekteve të krizës. Kredia për sektorin privat u rrit  mesatarisht me 6.8 për qind në terma vjetore gjatë tremujorit të dytë.

Deficiti i llogarisë korente (CAD) pritet të rritet në rreth 11.9 për qind të PBB-së për vitin 2020. Pakësimi i fluksit të turistëve, ulja e porosive të përpunimit të tekstileve si dhe ulja e çmimeve të naftës pritet të çojnë në rënie të eksporteve me 37 për qind. Pozita fiskale e Shqipërisë për vitin 2020 pritet të përkeqësohet me rritjen e parashikuar të deficitit në 8.5 për qind të PBB-së.

Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të ulë raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së nga 25.7 për qind e PBB-së në 2019 në 24.1 për qind. Të dy këta faktorë së bashku, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i lartë fiskal, pritet ta rrisin borxhin publik të Shqipërisë në 81.4 për qind të PBB-së.

Perspektiva Ekonomike dhe Rreziqet

Duke supozuar se pandemia do të vihet nën kontroll deri në fund të vitit, PBB-ja në vitin 2021 parashikohet të rikthehet në rritje me 5 për qind, për shkak të  rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve.

Gjithashtu, vijimi i procesit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti pritet t’i japë hov rritjes  ekonomike, siç ka ndodhur në situata të ngjashme në ekonomitë e tjera në zhvillim. Pas kësaj periudhe, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit. Investimet private dhe ato publike do të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në rritjen ekonomike për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet në infrastrukturë.

Sektori i shërbimeve, kryesisht ato që lidhen me turizmin, dhe sektori i ndërtimit pritet të jenë kontribuuesit kryesorë sektorialë në rritjen ekonomike./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore