Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Qeveria rishpërndan fondin e dytë të garancisë sovrane sipas bankave

Qeveria rishpërndan fondin e dytë të garancisë sovrane sipas

Qeveria shqiptare ka rishpërndarë fondin për garantimin e huave të biznesit për rimëkëmbjen e aktivitetit të tyre nga pasojat e krizës së Covid-19. Në maj të vitit të kaluar, ndarja e shumës së garancisë prej 15 miliardë lekësh ishte bërë në përpjesëtim me peshën që secila bankë zotëronte në tregun e kredisë.

Por, për shkak të përdorimit me ritme të ndryshme nga bankat të këtij instrumenti, qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime në shumat e alokuara, duke i rritur për bankat që e kanë shfrytëzuar të gjithë limitin e përcaktuar në vendimin e parë dhe duke i ulur për bankat që nuk i kishin përdorur shumat e përcaktuara për to.

Sipas vendimit të ri, banka që do të marrë pjesën më të madhe nga linja e garancisë bëhet Raiffeisen Bank, me 3.9 miliardë lekë, e ndjekur nga Banka OTP Albania me 2.2 miliardë lekë, Credins me 1.5 miliardë lekë, Tirana Bank me 1.25 miliardë lekë dhe Intesa Sanpaolo me 1.2 miliardë lekë.

Krahasuar me ndarjen fillestare të linjës së garancisë, pjesa e Raiffeisen është rritur me më shumë se dy herë, me dy miliardë lekë më shumë, pjesa e OTP është rritur me 900 milionë lekë, ajo e Credins është pakësuar me 500 milionë lekë, pjesa e Tirana Bank është rritur me 650 milionë lekë dhe pjesa e Intesa Sanpaolo është rritur me 300 milionë lekë. Për bankën më të madhe në vend, BKT, linja e garancisë është ulur nga 1.9 miliardë lekë në 700 milionë lekë.

Skema e dytë e mbështetjes së biznesit me kredi të garantuar nga qeveria u miratua në maj 2020 dhe fillimisht kishte afat fundin e vitit të kaluar, por në janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë atë deri në 30 qershor 2021. Sipas regjistrit të borxhit dhe garancive të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2020, nga skema e dytë e garancisë sovrane ishin përdorur më pak se 4.6 miliardë lekë.

Shuma e përdorur pothuajse është dyfishuar në tremujorin e katërt 2020, por ajo ishte ende larg shfrytëzimit të limitit të plotë prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare. Sipas disa të dhënave paralele prej Shoqatës Shqiptare të Bankave, deri në fund të vitit 2020 nga kjo skemë përfituan pak më shumë se 300 biznese, për një shumë totale kredie prej rreth 9 miliardë lekësh.

Skema parashikonte garantimin e vetëm 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta merrte përsipër vetë banka kredituese. Për këtë arsye, përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër./Monitor.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore