Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Politika e re fiskale, 640 milionë euro taksa shtesë deri më 2026

Politika e re fiskale, 640 milionë euro taksa shtesë deri më 2026

Strategjia e re fiskale e qeverisë 2022-2026, synon të rrisë të ardhurat buxhetore me 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), 60% e të cilave, ose 640 milionë euro do sigurohen  duke rritur tarifat dhe taksat, duke hequr përjashtimet dhe pragjet e TVSH-së, akcizës, Tatimfitimit, rritja e taksës së pronës dhe pjesa tjetër nga lufta ndaj informalitetit. Parashikohen të rikthehen tatimet fikse dhe ato mbi xhiron në bizneset e vogla dhe të vendoset TVSH mbi banesat e reja. Të vetëpunësuarit do të paguajnë TAP. Të gjitha ndryshimet fiskale e parashikuara në katër vitet në vijim dhe që kanë dalë për konsultim me grupet e interesit.

Në mes të një vale rritjeje çmimesh, që do të nxitet edhe më tej nga sulmet ruse në Ukrainë, qeveria shqiptare ka bërë gati një strategji që synon të rrisë barrën fiskale në horizontin afatmesëm për individët, bizneset dhe do të heqë të gjithë stimujt në formën e përjashtimeve tatimore të dhëna ndër vite për ekonominë.

Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) 2022-2026 ka marrë formë përfundimtare dhe është në proces konsultimi me biznesin. Reforma synon rritjen e të ardhurave të buxhetit me rreth 2.55% të PBB-së për një periudhë 5-vjeçare, 2022-2026, nga të cilat 1.31% do të gjenerohen nga ndryshimet në politikat tatimore dhe 1.24% e PBB-së nga përmirësimi i elementeve të administrimit tatimor dhe doganor.

Të ardhurat e synuara do të duhet të përballojnë shpenzime buxhetore në nivelin 32% të PBB-së.

Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.

Të ardhurat shtesë të synuara nga ndryshimet tatimore janë përllogaritur nga Ministria e Financave në nivelin e rreth 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), nga të cilat 78 miliardë lekë (640 milionë euro) do të jenë nga ndryshimi i tarifave dhe heqja e pragjeve dhe 54 miliardë lekë, nga lufta ndaj informalitetit. Gjatë periudhës 2023-2026, të ardhurat shtesë do të merren nga katër drejtime;

1-Të ardhura shtesë nga Tatimet indirekte (tatimet mbi konsumin). Këto të ardhura do të sigurohen kryesisht nga heqja e përjashtimeve nga TVSH të kategorive të caktuara të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, që sipas Ministrisë së Financave kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin ishin dizajnuar.

Ky grup ndryshimesh parashikon aplikimin e TVSH në ndërtesat e reja, heqjen e përjashtimeve nga TVSH për shërbimet në sektorin e shëndetësisë, arsimit, TIK, industrisë financiare, turizmit etj. Gjithashtu do të hiqen pragjet e akcizës.

2- Të ardhura shtesë nga tatimet mbi të ardhurat për periudhën 2022 – 2026. Këto të ardhura do të sigurohen nga ndryshime në sistemin ligjor që prekin tatimet direkte, të tilla si heqja e tarifave preferenciale sektoriale, ndryshimi i skemës së taksimit të bizneseve të caktuara etj.

Bizneset e vogla me xhiro 1 milion lekë në vit do të paguajnë një tatim fiks 25 mijë lekë në vit. Ndërsa bizneset me xhiro 1-8 milionë lekë në vit do të paguajnë një tatim mbi xhiron që do të jetë 2-4% në vit. Të vetëpunësuarit do të përfshihen në TAP.

3- Të ardhura shtesë nga taksat e pasurisë së paluajtshme. Këto të ardhura do të sigurohen nëpërmjet rishikimit të sistemit tatimor mbi këto pasuri, rritjes së eficiencës së Kadastrës Fiskale, si dhe rishikimit të përjashtimeve të shumta nga këto taksa, përfshirë edhe rishikimin e tarifës së taksës për kategori të caktuara rezidenciale apo disponim të pasurive rezidenciale të dyta dhe të treta.

4- Të ardhura shtesë nga strategjia dhe reformat fiskale që do të ndërmerren dhe që lidhen me miradministrimin fiskal.

Qeveria synon që në pesë vitet në vijim të kalohet nga stimujt e bazuar në tarifat tatimore të reduktuara, në stimujt e bazuar te shpenzimet. Do të merren në konsideratë incentivat tatimore në fushën e kërkim-zhvillimit (R&D), nëpërmjet njohjes së shumëfishtë të tyre, si shpenzime biznesi, si një formë stimulimi ndaj kompanive, për përfitimet shoqërore që vijnë nga inovacioni. Ndërkohë që stimujt tatimorë të R&D mund të jenë efektivë në stimulimin e investimeve të biznesit në kërkim-zhvillim.

Financat publike

Gati një shekull më parë, Joseph Schumpeter shkroi: “Shpirti i një populli, niveli i tij kulturor, struktura e tij shoqërore… të gjitha këto dhe më shumë janë shkruar në historinë e tij fiskale…. Financat publike janë një nga pikat më të mira ku mund të fillohet për të investiguar një shoqëri.”

REFORMA NË TVSH, SI DO TË HIQEN PËRJASHTIMET

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është burim kryesor dhe mjaft i rëndësishëm në strukturën e të ardhurave tatimore, duke siguruar rreth 8.7% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Shqipëria aplikon TVSH me bazë të gjerë, me normë standarde 20% dhe normë të reduktuar 6%.

Asistenca Teknike e FMN-së, por edhe sugjerimet dhe konkluzionet e Bankës Botërore dhe strukturave të Bashkimit Europian, kanë theksuar në diagnozat e tyre se në ligjin për TVSH–në, gjatë viteve të fundit është rritur numri i përjashtimeve për mallra apo shërbime të ndryshme, si dhe janë rritur furnizimet që trajtohen me shkallë të reduktuar.

Nëse do të supozonim se çdo mall dhe shërbim i furnizuar në Republikën e Shqipërisë do të ngarkohej me TVSH, sipas normës standarde 20%, rezulton se humbja e të ardhurave tatimore për shkak të përjashtimeve/normave të reduktuara të TVSH-së të parashikuara në legjislacion, llogaritet në rreth 4,7-4,8% e PBB-së, ose rreth 80 miliardë lekë, e cila përbën rreth 50% të shumës së arkëtuar në TVSH.

Gjysma e TVSH-së teorike që duhet të arkëtohet në buxhetin e shtetit, “humbet” për shkak të përjashtimeve/tarifave të reduktuara që janë miratuar me ligj.

Ministria e Financave ka analizuar se, reduktimet e tarifave në tatimet e konsumit, apo edhe përjashtimet nga tatimi të tyre, nuk shkojnë plotësisht në favor të konsumatorit, qytetarit, për të cilin janë krijuar, por “përfitohen” nga sipërmarrjet në zinxhirin e transaksioneve ku kalon malli ose shërbimi.

Shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore, rikthim në TVSH të plotë

Shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore të furnizuara nga sektori privat kanë qenë herë të përjashtuara dhe herë të taksueshme në këto 24 vite të implementimit të TVSH-së. Furnizimi i shërbimeve shëndetësore nga sektori privat ka qenë fillimisht i përjashtuar.

Më vonë, pas vitit 2010, për këtë shërbim aplikohej TVSH 10% dhe nga janari 2014 trajtohet përsëri si furnizim i përjashtuar nga TVSH. Ndërkohë, edhe furnizimi i shërbimeve edukative-arsimore nga sektori privat ka qenë fillimisht furnizim i përjashtuar, më pas, u trajtua si furnizim i tatueshëm me shkallë tatimore 20%, dhe nga viti 2013 e në vazhdim, trajtohet si furnizim i përjashtuar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të analizojë ndikimin e këtyre përjashtimeve, përfitimet reale të konsumatorëve, marzhin e fitimit të realizuar nga operatorët ekonomikë privatë dhe do të propozojë ndryshimet e nevojshme, nëse do shihet e arsyeshme, ndryshime, të cilat do të mund të implementohen në një periudhë afatmesme 3-4-vjeçare.

Shërbimet financiare, në fokus heqja e përjashtimit 

Shërbimet financiare të bankave dhe institucioneve të tjera financiare do të jenë objekt i analizës nga strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim që në periudhë afatmesme, të rishikohet skema e taksimit të tyre ose në formën e “tarifës së transaksionit”, ose në formën e TVSH-së me tarifë të reduktuar apo atë standarde.

Skema e taksimit, që mund të aplikohet, do të jetë në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë, sqaroi Ministria e Financave. Në vitet e fundit, është diskutuar gjerësisht taksimi i transaksioneve financiare bankare. Në fakt, deri tani, Direktiva 2006/112/CE e Këshillit “Mbi sistemin e përbashkët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, e ndryshuar, i trajton shërbimet financiare si furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja.

Ndërkohë, në kontekstin global, janë diskutuar edhe opsione për vendosjen e një takse të dedikuar në përqindje mbi transaksionet bankare. Të dhënat e deklaruara nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, tregojnë se 40-45% e të ardhurave të biznesit bankar sigurohen nga shërbimet financiare, ndërkohë që vetëm 55-60% e të ardhurave sigurohen nga veprimtaria kryesore bankare-kredidhënia.

Sigurimi i jo-jetës ka qenë në skemën e TVSH-së deri në vitin 2014. Nga 1 janari 2015 u trajtua si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, në përputhje me direktivën e BE-së. Njëkohësisht, bazuar në përvojën ndërkombëtare, mbi tarifat e sigurimit u aplikua “taksa e primit të sigurimit” në masën 3% deri në vitin 2016, dhe më pas 10 %.

FMN sugjeron që sigurimi i jo-jetës, të futet në skemën e TVSH-së me tarifë standarde 20%. Futja në skemën e TVSH-së do të shoqërohet me heqjen e “taksës së primit të sigurimit”. Këto ndryshime do analizohen të lidhura me pasojat e tyre mbi konsumatorin dhe kategoritë e sigurimeve dhe nëse shihet oportune, përmirësimi i skemës së taksimit, mund të implementohet në periudhë afatmesme.

Shitja e banesave të reja, skemë për TVSH-20%

Sipas strategjisë, ligji aktual e ka përjashtuar aplikimin e TVSH-së për shitjen e banesave. TVSH-ja aplikohet në procesin e ndërtimit të tyre nga subjektet ndërtuese, ndërkohë që shitja prej ndërtuesve është furnizim i përjashtuar. Trajtimi si furnizim i përjashtuar ka pasur parasysh përballimin e çmimeve të shitjes së apartamenteve nga publiku, pasi aplikimi i TVSH-së do t’i rriste çmimin e shitjes. Kjo politikë është ndjekur nga viti 1996 e në vijim.

Ministria e Financave parashikon në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026, që do të aplikohet futja e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale.

Arben Dervishi, sekretari i Shoqatës të Ndërtuesve tha se futja e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale do të rrisë kostot e ndërtimit, për rrjedhojë edhe shtrenjtimin e çmimeve.

“Shoqata e Ndërtuesve nuk është konsultuar ende për këto ndryshime, por vendosja e TVSH-së te shitja e apartamenteve është kundërshtuar edhe në të kaluarën, pasi rrit kostot e ndërtimit. Në përfundim të objektit kostoja e shtuar e ndërtimit do të paguhet nga blerësi. Ndërtuesit janë të ngarkuar me shumë taksa.

Për zhvillimin e një ndërtimi fillimisht paguhet 1% të çmimit kur kryen aplikimin e lejes, 8% në momentin e marrjes të lejes, 3% taksë për të pastrehët, si dhe 40-45% arrijnë pagesat e truallit. Në disa raste pagesat për pronarin e tokës (kur është i vetëm) arrijnë edhe 50 deri 60%. Nëse do të shtohet edhe TVSh-ja në shitjen e apartamenteve do të këtë rritje të lartë të kostove.

Politika e re fiskale, 640 milionë euro taksa shtesë deri më 2026

Turizmi, parashikohet të  hiqet norma e reduktuar 6%

Ministria e Financave do të bëjë një analizë të ndikimit të deritanishëm dhe politikës së ardhshme në lidhje me furnizimin e mallrave/shërbimeve për të cilat aplikohet tarifa e reduktuar 6% e TVSH-së. Ligji shqiptar i TVSH-së, parashikon aplikimin e normës së reduktuar 6% të TVSH-së për një sërë furnizimesh, si në sektorin e turizmit dhe aktivitete sportive.

Ministria e Financave do të analizojë ndikimin e tyre në rritjen e qarkullimit sektorial dhe përfitimeve të tjera që ka pasur ekonomia shqiptare dhe konsumatori dhe më pas do të vlerësojë nëse secila nga këto incentiva e ka përmbushur qëllimin për të cilën ishte krijuar.

Por ajo garantoi se do të trajtohen si furnizime të përjashtuara, ato lloj furnizimesh, të cilat lejohen të trajtohen si të tilla nga Direktiva 2006/112/CE e Këshillit.

Gjithashtu do të rishikohet lista e përjashtimeve nga TVSH në import, me synimin e heqjes së përjashtimeve të panevojshme.

Në kushtet kur skema e rimbursimit të TVSH-së nga viti 2020 e në vijim funksionon brenda kornizave dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin për rimbursimet, disa përjashtime në import, të cilat ishin akorduar 10 apo 15 vite më parë, për shkak të problematikës dhe vonesave në rimbursimin e TVSH-së për investitorët e mëdhenj, nuk ka arsye objektive të vazhdojnë më tej.

Ministria e Financave raportoi se fillimisht do të hiqen përjashtimet nga TVSH-ja të cilat nuk janë në përputhje me Direktivën e TVSH-së.

Do të eliminohet tarifa zero e TVSH-së për furnizimet e shërbimeve që kryejnë nënkontraktorët e fasonit për kontraktorin kryesor-eksportues, dhe aplikimi nga ata i tarifës standarde 20%.

Aplikimi i tarifës zero për furnizimin e shërbimeve të ofruara nga nënkontraktorët e industrisë fason, për kontraktorët kryesorë eksportues filloi të aplikohet në janar 2019. Qëllimi i aplikimit të tarifës zero ishte lehtësimi i kontraktorit kryesor nga stoku i TVSH-së së rimbursueshme, që vonohej të kthehej nga administrata tatimore.

Më pas do të reduktohet numri i “zonave të lira”, “magazinave fiskale” dhe regjimeve doganore pezulluese, me qëllim monitorimin më të mirë të lëvizjes së mallrave dhe zbatimin e masave shtrënguese.

Legjislacioni tatimor/doganor shqiptar përjashton tatimpaguesit që veprojnë në zona të veçanta nga tatimet/taksat indirekte dhe/ose nga detyrimet doganore. Zona të veçanta konsiderohen “magazinat e lira” sipas konceptit të Kodit të vjetër Doganor, “zonat e lira” sipas konceptit të Kodit të ri Doganor, “magazinat fiskale”, dhe “zonat e zhvillimit teknologjik”.

Duke filluar në vitin 2025 do të rishikohen procedurat e akordimit të incentivave për zonat e veçanta, me synim reduktimin e numrit të tyre.

Shqyrtohet pragu i TVSH-së për profesionet e lira 

Ministria e Financave analizoi se, heqja e pragut të regjistrimit dhe futja në skemën e TVSH-së të profesioneve të lira dhe furnizimit të shërbimeve të akomodimit, është bërë me qëllim aplikimin e një pragu të vetëm të TVSH-së.

Por brenda grupit të profesioneve të lira ka aktivitete të cilat deformohen nga pragu unik, dhe këto janë ato lloj veprimtarish, tarifat e shërbimit të të cilave përcaktohen nga organet shtetërore të tilla si shërbimi i noterisë, ai i përmbarimit, etj.

Nëse për profesionet e tjera të lira, tarifat e shërbimit janë të liberalizuara sipas kërkesës dhe ofertës, për shërbime të tilla si noteria apo përmbarimi, pragu i TVSH-së krijon konkurrencë jo të drejtë, pasi mbi tarifën e përcaktuar nga organi shtetëror, subjektet e regjistruara në TVSH do të ngarkojnë tatimin, ndërsa subjektet jashtë skemës së TVSH-së nuk ngarkojnë 20% tatim mbi tarifën e shërbimit. Për këtë arsye, shihet më oportune që të rishikohet pragu për këto kategori shërbimesh me qëllim garantimin e konkurrencës së drejtë që nuk ndikohet nga taksat

AKCIZA, HIQEN PRAGJET

Shqipëria aplikon një grup gjithëpërfshirës të akcizave, të cilat janë të harmonizuara me direktivën e BE-së. Akciza zë rreth 11% të të ardhurave tatimore.

Rreth 55% e të ardhurave nga akciza vijnë nga nënproduktet e naftës, 35% nga nënproduktet e duhanit dhe pjesa e mbetur prej 10% nga kategoritë e tjera të mallrave të akcizueshme. Aplikohet akcizë specifike mbi produktet, ndërkohë që në ligj ka një kalendar rritje të paracaktuar deri në vitin 2021 për nivelin e akcizës së duhanit.

Duke qenë se ligji akcizës ka parashikuar tarifa specifike për mallrat e akcizueshme, qeveria vendosi të indeksojë nivelin e akcizës me inflacionin një herë në dy vjet me ndryshimet që u bënë në paketën fiskale të këtij viti.

 Ndryshimet e synuara 

Unifikimi i nivelit të akcizës për produktet verë dhe birrë, nëpërmjet eliminimit të diferencës në nivelin e akcizës, ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe prodhuesve të mëdhenj.

Akciza e birrës për prodhuesit e vegjël, të cilët prodhojnë më pak se 200 mijë hl në vit është gati sa gjysma e akcizës që aplikohet për prodhuesit e mëdhenj, të cilët prodhojnë mbi 200 mijë hl në vit. Ndërsa akciza e verës për prodhuesit e vegjël është rreth një e treta e normës së rregullt të akcizës që zbatohet për prodhuesit e mëdhenj. Shkalla e diferencuar do rë synohet të hiqet duke filluar nga viti 2022 për verën dhe në vitin 2023 për birrën.

-Do të synohet ulje e sasisë së pataksuar me akciza të pijeve alkoolike që përdoren për vetëkonsum.

-Synohet heqja e përjashtimeve dhe vendosja e ngarkesës fiskale për karburantet me destinacion anijet dhe jahtet që përdoren për qëllime private luksi. Vendosja e një ngarkese fiskale për këtë destinacion nisi që këtë vit, po u zbatua pjesërisht.

-Gjithashtu indeksimi automatik i akcizës me inflacionin çdo dy vite hyri në fuqi këtë vit.

-Qeveria do të miratojë një kalendar të ri për rritjen graduale të akcizës për cigaret deri në vitin 2026. Parashikohet një rritje vjetore me 2 lekë/ml për nikotinën e lëngshme, si dhe një rritje vjetore me 500 lekë/kg për nikotinën me qese, duhanin me ngrohje dhe shisha, nargjile. Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth +750 milionë lekë. Për këtë qëllim, duke filluar nga viti 2022, është miratuar një skedul i ri për rritjen e nivelit të akcizës së cigareve dhe duhanit.

-Duke filluar nga viti 2022, mbi tarifat specifike të akcizës për mallra të ndryshme, do aplikohet çdo dy vjet rritja në vlerë absolute që merr në konsideratë rritjen e indeksit të çmimeve në përqindje të dy viteve paraardhëse.

-Eliminim në industri të caktuara i përjashtimeve dhe rimbursimit nga taksat e qarkullimit dhe karbonit, si dhe nga akciza, dhe zëvendësimi i tyre me subvencionime direkte.

– Unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për çdo destinacion përdorimi. Unifikimi i akcizës për “Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike” për të gjitha destinacionet e përdorimit të tij në nivelin 6 lekë/litër. Aktualisht, niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë/litri, nëse ai përdoret si lëndë djegëse për automjetet, dhe 0 lekë/litër për sasinë që përdoret nga konsumatorët e tjerë për çdo qëllim. Unifikimi i akcizës në nivelin 6 lekë/litri do fillojë të zbatohet në 6-mujorin e dytë të vitit 2022.

TARIFAT, TAKSAT KOMBËTARE DHE ATO MJEDISORE, NDRYSHIMET E SYNUARA

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Bankën Botërore do ndërmarrë në vitin 2022 studimin për analizimin, krahasimin, ndryshimin dhe adresimin e taksave të ambientit, duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare, si dhe në strategjitë e miratuara nga Qeveria në lidhje me ruajtjen e mjedisit.

Gjithashtu, përmirësimet në sistemin e taksave kombëtare synojnë të sjellin kontribut pozitiv në të ardhurat e buxhetit. Për këtë qëllim, masat e mëposhtme konsiderohen si të rëndësishme për t’u ndërmarrë:

-Rritje e nivelit të taksës së plastikës, taksim i ambalazheve të aluminit dhe inkurajim i riciklimit të tyre nëpërmjet mekanizmit të rimbursimit. Mbështetje për regjimin e taksave mjedisore nëpërmjet udhëzimeve mbështetëse.

Do të vlerësohet rritja e taksës mbi plastikën (kryesisht për ambalazhet plastike), si dhe vendosja e një takse mbi ambalazhet prej alumini, skema këto që nxisin riciklimin e tyre me anë të mekanizmit të rimbursimit. Dyfishimi i masës së taksës së plastikës, si dhe vendosja e një takse për ambalazhet e aluminit, pritet të gjenerojnë rritje të ardhurash me rreth 0.13% të PBB-së në vit. Këto ndryshime do të mund të aplikohen, duke filluar në vitin 2023.

UNIFIKOHET TATIMI MBI FITIMIN 

Strategjia e re fiskale e qeverisë synon të unifikojë normat tatimore dhe t’i sjellë pragjet në një nivel, por në atë më të lartin të aplikuar deri më tani.

Reforma synon unifikimin e normës tatimore të tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset. Sipas skemës aktuale të taksimit, tarifat tatimore që aplikohen për taksimin e të ardhurave të biznesit janë 0% për tatimpaguesit me të ardhura vjetore 0-14 milionë lekë dhe 15% për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë.

Teorikisht, sistemet që përmbajnë disa norma tatimore, krijojnë hapësira për shmangie dhe është e njohur tendenca e tatimpaguesve për të përfituar nga regjimet e taksimit me norma më të ulëta.

Struktura e operatorëve ekonomikë në Shqipëri është e tillë ku pjesa dërrmuese e tatimpaguesve bëjnë pjesë në grupet me të ardhura shumë të ulëta apo të ulëta.

Numri total i tatimpaguesve biznese të regjistruara aktive është 123,446 nga të cilët: Tatimpagues me të ardhura 0-5 milionë, 94,279, ose 76.4% e totalit; Tatimpagues me të ardhura 5-8 milionë, 4,035, ose 3.3% e totalit; Tatimpagues me të ardhura 8-14 milionë, 13,948, ose 11.3% e totalit; Tatimpagues me të ardhura mbi 14 milionë, 11,186 ose 9% e totalit. 91% e totalit të bizneseve që operojnë në Shqipëri deklarojnë të ardhura deri në 14 milionë lekë.

Kjo politikë që u ndërmor nga qeveria në vitin 2021 kishte qëllim për të mbështetur rimëkëmbjen nga pandemia Covid-19, por në afat të mesëm, norma e tatimit mbi fitimin do të unifikohet për të gjitha bizneset.

Politika e re fiskale, 640 milionë euro taksa shtesë deri më 2026

Sektorët që do të përjashtohen nga tatimfitimi i reduktuar

Ministria e Financave do të rishikojë efektivitetin e përjashtimeve, tarifave të reduktuara dhe atyre preferenciale të tatimit mbi fitimin për industri dhe sektorë specifikë. Në të ardhmen do të synohet që të ketë unifikim në një normë të vetme standarde të tatimit mbi fitimin korporativ. Tatimi mbi fitimin të funksionojë me një normë të vetme tatimore, për të gjithë tatimpaguesit, pa asnjë diferencim sektorial.

Aktualisht tatohen me normë të reduktuar shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, fondet vullnetare të pensionit, të administruara nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit vullnetar dhe strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”.

Përjashtimi aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se tre vjet nga marrja e statusit special. Për shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, bëhet fjalë për ato kompani të cilat subvencionohen nga qendra e kinematografisë, pra nga fonde të buxhetit të shtetit. Incentiva mund të hiqet në terma afatmesëm.

Ministria e Financave pohoi se në lidhje me fondet vullnetare të pensionit, nuk duhet hequr përjashtimi nga tatimi, pasi sipas ligjit në fuqi, taksohen të ardhurat nga pensioni, kur përfitohen të ardhurat si pension. Nëse këto fonde do të taksohen në momentin e investimit (duke hequr incentivën-tatimin 0%), duhet të përjashtohen në momentin e përfitimeve, sikurse zbatohet përjashtimi edhe nga skema e detyrueshme.

Incentiva 0% tatim për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, ka synuar thithjen e investimeve të huaja serioze në industrinë e turizmit, duke e parë këtë industri si faktor shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të nevojshme për turizmin dhe rritjen e shërbimeve dhe të punësimit.

Subjekte që synohet të përjashtohen nga norma të reduktuara të tatimit mbi fitimin 

Aktualisht aplikohet normë e reduktuar 5% për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet në prodhimin/zhvillimin e software-ve. Kjo incentivë u argumentua me nxitjen e shërbimeve të eksportit të produkteve IT (prodhim software, bazë të dhënash, mirëmbajtje në distancë, etj.) nga kompanitë shqiptare të IT, për klientë jashtë territorit shqiptar dhe numrin e lartë të specialistëve të diplomuar në IT, që mund të punojnë në kompani shqiptare për klientë të huaj dhe që duhet të stimulohen me nivel të lartë page, me qëllim mosrrjedhjen e trurit jashtë vendit.

Pra u synua mbajtja e specialistëve të kualifikuar në vend, duke i stimuluar me paga më të larta, ndërkohë që shteti reduktoi për këto kompani barrën fiskale të tatimit mbi fitimin nga 15% në 5%. Treguesit financiarë të vitit 2020 tregojnë se përfitimi i kompanive të IT e lidhur me këtë tarifë të reduktuar tatimore ka qenë 245 milionë lekë.

Ministria e Financave referon se, kjo incentivë do të rishikohet në lidhje me efektin e saj në rritjen e shërbimeve dhe punësim, me qëllim përcaktimin e afatit të aplikimit të saj dhe aplikimit të normës standarde të tatimit.

Do të rishikohet norma e reduktuar 5% për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor incentiva ka synuar kooperimin e fermerëve në fushën e bujqësisë. Incentiva hyri në fuqi në vitin 2019 dhe nuk ka gjasa që, për këtë periudhë të shkurtër, të ketë prodhuar ndonjë rezultat pozitiv në lidhje me qëllimin e saj, pohon Ministria e Financave. Nuk ka pasur efekte negative në buxhet, apo humbje të ardhurash tatimore, pasi numri i operatorëve në këtë fushë ka qenë i papërfillshëm si para, ashtu edhe pas miratimit të incentivës. Qeveria planifikon që kjo incentivë të rishikohet në një periudhë afatmesme.

Do të rishikohet norma e reduktuar 5% për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Incentiva ka synuar nxitjen e investimeve në agroturizëm.

Është miratuar me efekt nga janari 2019. Për shkak të rëndësisë që ka sektori i turizmit në Shqipëri dhe me qëllim nxitjen e investimeve të tilla në zonat rurale të vendit, incentiva duhet të vazhdojë sipas kushteve dhe afateve të parashikuara në ligj.

Normë e reduktuar 5% për subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive. Incentiva ka synuar thithjen e investimeve dhe kapitalit të huaj. Është miratuar me efekt nga janari 2020 dhe ende nuk ka tregues të matshëm të efekteve të saj.

TAKSË FIKSE 25 MIJË LEKË PËR BIZNESET ME XHIRO DERI NË 1 MLN LEKË 

Reforma fiskale që qeveria synon të ndërmarrë në periudhën afatmesme 2022-2026 synon të heqë të gjithë stimujt e dhënë nga përjashtimet fiskale ndaj biznesit dhe gjithashtu të përfshijë në taksim biznesin e vogël.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Financave, njoftoi se bizneset e vogla do të trajtohen me një skemë të thjeshtë, me prag të ulët të të ardhurave dhe me kërkesa më të thjeshtuara të mbajtjes së regjistrimeve. Në këtë kuadër për bizneset me të ardhura deri në 1 milion lekë, mund të aplikohet pagesë vjetore fikse tatimi (p.sh. 25.000 lekë).

Me këto masa qeveria mori në konsideratë rekomandimin e FMN-së për taksimin e biznesit të vogël me një tarifë vjetore fikse, e aplikuar më parë gjatë viteve 2000.

Tatim mbi xhiron 2-4% për bizneset me xhiro 1-8 mln lekë

Tatimpaguesit, të cilët aktualisht janë të përjashtuar nga tatimi nëse kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, nuk paguajnë tatim mbi fitimin neto. Në strategjinë fiskale sugjerohet që për tatimpaguesit me të ardhura deri 8 milionë lekë në vit, të prezantohet një regjim tatimor i thjeshtuar bazuar në aplikimin e një tarife 2-4% mbi të ardhurat bruto dhe jo të taksohen mbi fitimin neto.

Qeveria pret t’i zbatojë këto dy masa pas tre vitesh. Strategjia e re fiskale do të revizionojnë skemën e taksimit të bizneseve me të ardhura të ulëta, duke aplikuar skema të thjeshta taksimi me kuotë fikse dhe me përqindje mbi të ardhurat bruto të biznesit.

TË VETËPUNËSIMIT DO TË PAGUAJNË TAP

Që nga viti që vjen, qeveria do të marrë në konsideratë përfshirjen e profesionistëve të vetëpunësuar në sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale. Paketa fiskale 2022-2026 synon që nga viti 2023, individët e vetëpunësuar që veprojnë brenda profesioneve të lira ose të licencuara, duhet të futen në regjimin e tatimit mbi të ardhurat personale.

Sipas Ministrisë së Financave, individët e vetëpunësuar, për qëllime të të ardhurave të tatueshme nën tatimin mbi të ardhurat personale, mund t’u lejohet të zbresin një shpenzim maksimal të vlerësuar, për shembull, 10-20% nga të ardhurat.

Skema e taksimit të të ardhurave personale të tyre, pasi të jetë zbritur një shumë shpenzimesh të lejueshme, mund të jetë:

1- Sipas skemës së taksimit të të punësuarve;

2- Me përqindje mbi të ardhurat neto pas zbritjes së një shume shpenzimesh të supozuara.

Rishikohet dhe rriten taksat dhe tarifat për pasuritë e paluajtshme

Strategjia e re fiskale merr në konsideratë rishikimin e përjashtimeve nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbën burim kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësitë tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera.

Plani i ri fiskal synon rritje progresive të normës së taksës mbi pasuritë e paluajtshme ndërtesa. Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së.

Kalendari vjetor i ndryshimit të taksave dhe tatimeve 2023-2026

Në vitin 2023 rishikohen: 

¬ politikat fiskale përjashtuese dhe me tarifa të reduktuara të tatimit mbi fitimin korporativ;

¬ politikat fiskale të taksimit të profesioneve të lira, profesioneve të rregulluara dhe furnizuesve me shërbime.

 Në vitin 2024 rishikohen:

¬ politikat fiskale përjashtuese nga TVSH të furnizimit të disa lloj shërbimeve nga sektori privat;

¬ politikat fiskale të taksimit progresiv dhe shtrirjen e progresivitetit jo vetëm mbi pagat, por mbi të ardhurat globale të individëve me të ardhura të larta dhe nga shumë burime.

 Në vitin 2025 rishikohen:

¬ politikat fiskale në lidhje me taksat ambientale;

¬ politikat fiskale në lidhje me unifikimin e nivelit të akcizës për disa produkte akcize.

Në vitin 2026 rishikohen: 

¬ politikat fiskale në lidhje me tarifat tatimore dhe përjashtimet nga tatimi mbi pasurinë;

¬ politikat fiskale në lidhje me taksimin e bizneseve të vogla;

¬ politikat fiskale në lidhje me unifikimin e shkallës së tatimit mbi fitimin korporativ;

¬ politikat fiskale në lidhje me pragun e TVSH-së

BURIMI: MONITOR

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore