Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Pasi dërguan 11 mijë komplete mjekësore në Gjermani, “Krienko Jeans”: Gati të realizojmë veshje Antikovid

Pasi dërguan 11 mijë komplete mjekësore në Gjermani,

Në fabrikat e kompanisë “Krienko Jeans” në Fier prodhohen veshje të lehta prej pambuku, por që janë të armatosura rëndë me një teknologji që i bën të papërshkrueshme nga çdo element i lëngshëm qoftë ky edhe virus mikroskopik.

Një proces që i kthen rrobat në mburoja ndaj viruseve dhe baktereve, duke filluar nga veshjet mjekësore deri te ato të pasarelave.

Drejtuesi i “Krienko Jeans”, Krienko Memo, ka thënë për Gazetën Shqip se në fabrikat e kompanisë kanë filluar që të aplikojnë këtë teknologji që i bën veshjet të papërshkueshme nga çdo element i lëngshëm.

“Po presim certifikimin për xhinset dhe jemi gati që sezonin vjeshtë-dimër ta realizojmë me veshje antikovid”, shton Memo.

Madje veshjet mjekësore të prodhuara në fabrikat e kompanisë “Krienko Jeans” ne Fier, kërkohen nga vende si Gjermania për të mbrojtur personelin shëndetësor nga koronavirusi. Ato janë të pambukta 100%, por kur uji derdhet sipër tyre, qëndron si në një enë. Kjo është prova e dukshme me sy të lirë, ndërsa procesi që i kthen copat në antibakteriale, është i një niveli kimik.

Pas dërgesës prej 11 mijë kompletesh drejt porositësve europianë, “Krienko Jeans” prodhoi edhe 300 veshje të tjera, dhuratë për personelin mjekësor të Fierit

“Ne sapo përfunduam dhe dërguam porosinë e një kompanie gjermane për 11.000 komplete. Menduam që të prodhonim edhe 300 komplete me këtë teknologji, dhurate për mjekët e Fierit duke qënë se ata kanë nevojë më shumë se kushdo për masa mbrojtëse”, thotë sipërmarrësi Memo.

Procesi që nis me përbërësit kimikë dhe përfundon me pjekje në furra të posaçme i shndërron copat e ndryshme të tekstileve në mburoja. Një pengesë për virusin korona, por jo për prodhuesit e veshjeve të cilët po i shtojnë ngjyrave dhe stilit të sfilatave edhe këtë trend të ri të padukshëm.

“Shumë kompani mode po zbatojnë këtë teknologji dhe ne mendojmë të bëjmë të njëjtën gjë”, thotë biznesmeni Memo për Gazetën Shqip.

Veshjet antikovid quhen te tilla sepse nuk mbajnë dhe nuk transmetojnë virusin Sars Cov 2, por ato janë efikase ndaj të gjitha llojeve të baktereve dhe viruseve. Një etiketë e re i shtohet asaj të markës, si garanci që copa e përdorur i është nënshtruar këtij transformimi kimik.

Tekniku italian Mikele Venturini thotë se pasi kalojnë në këtë proces, veshjeve iu shtohet edhe etiketa që thotë 'Aquafreesh'. Kjo është një etiketë që siguron se mbi copë është zbatuar teknologjia antibakteriale”.

I pyetur nëse ky është një proces i gjatë, Venturini pohon duke shtuar se: “Trajtimi zgjat në kohë, produktet, solucionet që përdoren janë tepër të shtrenjta, janë produkte italiane të kompanisë Near Kimika dhe rrobat duhet te kalojnë edhe në furrën statike për tu tharë në 140 gradë, për tu polimerizuar për 10 minuta të tjera”.

“Ky është bashkëpunimi im i parë me Shqipërinë, pasi e bëja këtë punë në Itali, jam kontraktuar nga z. Krienko dhe vendosa të punoj me të pasi vizitova disa fabrika të tjera”, tha ai.

Mostrat e “Krienko Jeans” antikovid, janë dërguar për certifkim në Itali për të nisur më pas prodhimi i tyre për sezonin vjeshtë-dimër 2020. Xhinset Krienko janë markë e regjistruar që tregtohen kryesisht në vendet europiane.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore