Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Operatorët interubanë ndryshojnë sipas oreksit çmimin e biletave, nuk pyesin as për situatën e pandemisë

Operatorët interubanë ndryshojnë sipas oreksit çmimin e

Nëse udhëton me autobus në linjat interurbane, vëren se çmimet janë rritur në raport me sa paguaje për udhëtimin para pandemisë së koronavirusit.

Pothuajse të gjitha linjat interurbane të jugut dhe veriut, kërkojnë tu paguash një çmim ndryshe nga ç’ke paguar në muajt e parë të këtij viti.

Për shembull. Linja Tiranë-Sarandë një vit më parë në muajt e verës kushtonte 1200 lekë, kurse këtë vit operatorët e kësaj linje kërkonin 1300 lekë për një rrugë vajtjeje. Po kështu dhe linja Tiranë-Korçë nga 500 lekë që ishte bileta në periudhën para pandemisë, tani kushton 600 lekë.

Rritje ka pësuar dhe linja Tiranë-Durrës, ku çmimi i autobusit është barazuar me atë që kërkojnë mjetet informale siç janë furgonat. Nga 130 lekë, sot udhëtarët i duhet të paguajnë 150 lekë.

Po si e justifikojnë operatorët e linjave interurbane këtë gjë?  Gazeta “Shqip” kontaktoi me disa nga operatorët privatë të linjave interurbane. Kujtim Mema nga shoqata e transportit interurban, mohon të ketë ndodhur një rritje e çmimit të biletës. Por, ai thotë se tashmë biletat po shiten sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2007.

“Nëse në periudhën para pandemisë, ne kishim situatë tjetër financiare, kishim bilanc më të mirë, me ndërprerjen e punës për shkak të karantinës ndryshuan gjërat. Rikthimi në punë nuk do të ishte i njëjtë dhe kështu u detyruam të rikthejmë çmimet zyrtare të biletave”, tha për Gazeta “Shqip”, përfaqësuesi i shoqatës së transportit ndërqytetas Kujtim Mema.

Ndërsa një tjetër menaxher i linjave ndërqytetase Eneo Sulejmani thotë se për linjat që ai menaxhon nuk ka asnjë ndryshim të çmimit. Por, ata që e ndjejnë në kurriz këtë ndryshim çmimi sipas situatës me të cilën përballen operatorët urbanë, janë qytetarët që me të drejtë janë ankuar për këto ndryshime.

Nga njëra anë, përfaqësuesit e linjave ndërqytetase ankohen për uljen drastike të numrit të udhëtarëve, ndërsa nga ana tjetër janë qytetarët që prej vitesh kanë paguar një shumë të caktuar për biletën dhe sot ndryshimi u vjen papritur.

Ndërkohë vetë operatorët e transportit interurban ankohen për konkurrencën e pandershme që sipas tyre po lejohet nga vetë pushteti lokal.

“Gjithçka nisi prej tyre. Ata ofronin çmim të ulët dhe ne për të mos mbyllur punën, ofruam një çmim bilete më pak se çfarë ofronin furgonat. Por sot kur jemi në krizë financiare, me autobusë që shkojnë e vijnë pothuajse bosh, jemi të detyruar të rikthejmë çmimet zyrtare”, tha për “Shqip”, Kujtim Mema nga shoqata e Transportit Ndërqytetas.

Po linjat brenda qytetit?

Sipas përfaqësuesit të linjës Kinostudio-Kombinat në Tiranë, situata financiare e tyre nuk është aspak e mirë, por ata nuk kanë kërkuar rritje të çmimit të biletës.

“Ne presim biletën elektronike të premtuar nga Bashkia e Tiranës. Vetëm ajo do ti japë fund abuzimit me biletën si nga fatorinot dhe nga qytetarët, që refuzojnë ta paguajnë”, tha për “Shqip” Ervin Shijaku, menaxher i kësaj linje.

Ajo çfarë vërehet është neglizhenca që pushteti lokal po tregon mbi shërbimin urban ndërqytetas dhe brenda tij. Në një kohë kur shërbimi i ofruar është ende i mangët, me mungesë të mjeteve gjë që sjell për pasojë dyndje në urbane, mungesë të kushteve teknike të autobusave, sidomos ato interurbane që lënë për të dëshiruar, e vetmja gjë që mendohet është fitimi, rikthimi në situatën para pandemisë, gjë e cila duket pothuajse e pamundur, si për të gjithë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore