Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Ndryshon buxheti i shtetit/ Ministrja Denaj tregon ndryshimet :1 miliardë lekë shtesë për zgjedhjet e 25 prillit

Ndryshon buxheti i shtetit/ Ministrja Denaj tregon ndryshimet :1 miliardë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend, ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit 2021, ku u shpreh se, ruhen parametrat makro-fiskal.

Sipas ministres, në Aktin e fundit Normativ të Buxhetit të vitit 2020 u mundësua një financim shtesë, në masën 673 milionë lekë, për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: “Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhësve” dhe “Projektin pilot të Votimit dhe Numërimit Elektronik”.

Gjithashtu, në të njëjtin funksion, Këshilli i Ministrave, në rrethana jo tipike për një vit buxhetor të sapo nisur, ndërmori ndryshimin e parë të ligjit të buxhetit 2021. Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me angazhimet dhe shpenzimet, që burojnë prej tyre, sidomos në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor të miratuar së fundmi.

Pikërisht nën këtë fokus, tha Denaj, një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit është dhe angazhimi maksimal për implementimin e projektit madhor me rëndësi sensitive “Identifikimi elektronik i zgjedhësve”.

Ndryshimi tjetër i paraqitur në buxhet është i lidhur me fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, që është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor.

Ndërsa lidhur me ndryshimin në zërin e të ardhurave tatimore, është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 3.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të mësipërme.

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj:

Të nderuar, Me buxhetin e vitit 2021 nisëm një vit të rimëkëmbjes ekonomike për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Me tatimfitimin 0 për gjithë bizneset e vogla, me rritjen e pragut të TVSH-së, ku të gjitha bizneset me qarkullim deri në 10 milionë lekë nuk do të paguajnë TVSH-në, me një pagë minimale të rritur deri në 300 mijë lekë, me investime publike me 7.2% të PBB-së, me ndihmë ekonomike të dyfishuar, kemi kaluar këtu në Kuvend një buxhet shumë të rëndësishëm për ringritjen ekonomike. Gjithashtu, kemi akorduar një fond shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe sot jemi dëshmitarë të nisjes së një vaksinimi në të gjithë qytetet e Shqipërisë, duke synuar jo vetëm ruajtjen e jetës së shqiptarëve, por edhe një perspektivë drejt hapjes së ekonomisë.
Megjithatë ky nuk është vetëm një vit i ringritjes ekonomike, i daljes nga Covid dhe Rindërtimi, por është një vit zgjedhor. Dhe në këtë kohë është shumë e rëndësishme të marrim të gjitha angazhimet tona në përputhje të plotë me detyrimet që dalin nga Kodi i Ri Zgjedhor.

Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, me angazhimet e shpenzimet që burojnë pikërisht në zbatim të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, për të mundësuar një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit dhe si një angazhim maksimal për implementimin e projektit madhor me rendësi sensitive, “identifikimi elektronik i zgjedhësve”. Sjell në vëmendje se puna përgatitore dhe vlerësimi i nevojës për financimin e këtij projekti është përcjellë më vonë sesa momenti i dërgimit të ligjit të buxhetit të vitit 2021në Kuvend.

Konkretisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesa ka ardhur në janar.

Nisur nga rëndësia, kujtoj që KQZ e ka të pamundur financiarisht që këtë projekt kaq të rëndësishëm ta mbulojë me shpenzimet e saj.
Dhe ky Akti Normativ përcakton këtë ndryshim të rëndësishëm duke dhënë orientimet bazë për të mundësuar plotësimin e një ligji zgjedhor të rëndësishëm.

Cilat janë ndryshimet?
-Së pari është akomoduar fondi shtesë prej 2.42 miliardë lekë në programin përkatës të KQZ për financimin e projektit: Identifikimi elektronik i zgjedhësve, për implementimin në zgjedhjet e 25 prillit.

-Lidhur me fondit rezervë të Këshillit të Ministrave

Është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor

-Lidhur me të ardhurat tatimore – Është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 2.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të sipërcituara.

Pandemia nga vuri në sfida vitin e kaluar, në sfida që na mundësuan disa skenarë. Kemi diskutuar në këtë parlament disa nga aktet normative që filluan që në mars, në prill dhe më vonë në korrik.
Dhe të gjithë skenarët tanë nuk materializuan efektin më negativ të parashikuar dhe nga Ministria e Financave.

Vlerësimi që ka rezultuar në raport me të ardhurat ka qenë më optimist sesa parashikimi më i keq dhe njëkohësisht në programin e 2021 sigurisht rritja e të ardhurave është e konsiderueshme, ambicioze, por edhe është realiste.
Prandaj edhe rritja prej 3.42 miliardë lekë amortizohet plotësisht nga kjo perspektivë e vlerësimit të të ardhurave.

Dua të kujtoj sigurisht, që ruhen të pandryshuar të gjithë parametrat makro-fiskalë, duke ruajtur të pandryshuar elementët e borxhit dhe të deficitit. Unë ju ftoj ta miratojmë këtë Akti Normativ dhe të mundësojmë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore