Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Ndikimi i pandemisë në Kosovë, bizneset, në gjendje të vështirë

Ndikimi i pandemisë në Kosovë, bizneset, në gjendje të

Kosova është mbyllur sërish. Rritja e rasteve me COVID-19 në muajt e fundit ka nxitur marrjen e vendimit për mbylljen e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Vendimi është kritikuar ashpër nga pronarët e bizneseve dhe njohësit e ekonomisë.

Ndërsa Oda e Afarizmit të Kosovës ka nxjerrë një hulumtim ku ka treguar se çfarë ndikimi ka pasur pandemia në ekonomi. “Nga të dhënat e mbledhura në terren ka rezultuar se gjendja e bizneseve në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë”, shkruhet në hulumtimin e bërë nga Oda e Afarizmit për ndikimin e pandemisë në ekonomi dhe pasojat e krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Në hulumtim tregohet se nga dëmet e shkaktuara nga pandemia, gjendja e bizneseve është e vështirë dhe rezulton se bizneset kanë pësuar humbje gjatë gjithë kësaj kohe.

“27% e të anketuarve në biznese deklarojnë se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht keq, ndërsa 40% deklaruan se pandemia COVID-19 ka ndikuar keq. 59% e bizneseve deklaruan se kanë mbyllur bizneset për 3 muaj. 8% deklaruan se bizneset nuk janë mbyllur asnjëherë në pandemi. Sektori më i prekur në këtë kohë ishte gastronomia me 66%, ndërsa rritje të qarkullimit patën sektorët siç janë barnatoret dhe marketet ushqimore”.

Gjatë pandemisë ka pasur rënie të punësimit në të gjithë bizneset. Në këtë hulumtim është theksuar se 27% e bizneseve kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht keq, ndërsa 59.9% se e kishin mbyllur biznesin e tyre për 3 muaj.

“Në pyetjen drejtuar përfaqësueseve se si pandemia COVID-19 ndikoi përgjithësisht në të bërit biznes, 27% deklaruan se ka ndikuar jashtëzakonisht keq, 23% se ka ndikuar shumë keq, 40% deklaruan se ka ndikuar keq, 7% kanë thënë se nuk ka ndikuar asgjë dhe vetëm 3% deklaruan se pandemia ndikoi pozitivisht në të bërit biznes.

Deklarimet e bizneseve lidhur me kohën sa kanë qëndruar të mbyllura bizneset ishin të ndryshme. 59.9% deklaruan se e kishin mbyllur biznesin e tyre për 3 muaj, 27.2% deklaruan se biznesin e kanë pasur të mbyllur për 1 muaj, 3.6% deklaruan se ishin të mbyllura për 6 muaj, 1.6% thanë se ishin të mbyllura për më shumë se 6 muaj, ndërsa 8% theksuan se nuk janë mbyllur asnjëherë pasi aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar nga shtëpia. Përfaqësuesit e bizneseve, gjegjësisht 44% e të intervistuarve, deklaruan se e kanë reduktuar numrin e punëtorëve nga 1 deri në 5 punëtorë,; 51.1% thanë se kanë arritur disi ta ruajnë numrin e tyre, 4% thanë se e kanë reduktuar numrin e punëtorëve nga 5 deri në 10 punëtorë, kurse 1% kanë thënë se e kanë reduktuar numrin nga 20 deri në 30 persona”.

Rreth 60 mijë vende pune janë humbur

Gjatë kësaj periudhe kohore që i referohet hulumtimi rezulton se nuk ka pasur ngritje të numrit të punëtorëve përderisa niveli i papunësisë ka shënuar rritje, dhe nga kjo situatë kanë humbur punën rreth 60 mijë.

“Kësisoj 81.6% deklaruan se nuk e kanë rritur numrin e punëtorëve, 14.8% kanë thënë se e kanë rritur numrin e punëtorëve nga 1 deri në 5 punëtorë, 2.4% deklaruan se e kanë rritur numrin e punëtorëve nga 5 deri në 10 punëtorë, 0.8% thanë se nuk kanë pasur rritje dhe vetëm 0.4% deklaruan se kanë pasur rritje nga 20 deri në 30 punëtorë…

Realisht mund të konsiderojmë se rënia ose humbja e vendeve të punës nga punëtorët shkon rreth 60 mijë vende pune, gjë që tregon edhe për gjendjen e vështirë të ekonomike, e cila është krijuar në vend. Kemi pasur edhe raste të bizneseve, të cilat kanë falimentuar dhe janë mbyllur dhe ato të cilat kanë vazhduar të mbijetojnë, kanë një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe shumë vështirë janë duke ia dalë gjatë gjithë kësaj pandemie dhe mungesës së ndihmës nga shteti”.

Nga hulumtimi rezulton se ulja e të hyrave vjetore të bizneseve krahasuar me të njëjtën periudhë referuese të vitit të kaluar rezulton të jetë prej më të ndryshmeve. 9.5% e bizneseve thanë se të ardhurat ranë me 10%; 10.7% thanë se janë ulur të hyrat 20%, 25.1% deklaruan se të hyrat e tyre janë ulur me 30%, 12.8% thanë se iu janë ulur të hyrat me 40%, 28.4% thanë se kanë pasur ulje të të hyrave vjetore mbi 50%, ndërsa vetëm 13.5% deklaruan se nuk janë ulur të hyrat e tyre.

Bizneset me shumicë deklaruan se nuk kanë pasur rritje të të ardhurave vjetore. Nga hulumtimi rezulton se 70.1% nuk kanë pasur rritje të të hyrave, 16% thanë se kanë pasur rritje me 10%, 5.6% thanë se kanë pasur rritje me 20%, 4.3% thanë se kanë pasur rritje me 30%, 2.2% deklaruan se kanë pasur rritje me 40% dhe vetëm 1.7% deklaruan se kanë pasur rritje mbi 50%.

Ndihma e dhënë nga shteti në përgjithësi është konsideruar si e vonuar dhe e varfër nga 76% e të intervistuarve, 18% e të intervistuarve e kanë konsideruar këtë ndihmë paksa të vonuar, por të duhurën dhe vetëm 6% kanë thënë se kjo ndihmë ishte me kohë dhe e duhura.

Sektorët më të dëmtuar, sipas këtij hulumtimi, rezultojnë të jenë gastronomia me 66.4%, tregtia me shumicë 9.3%, tregtia me pakicë 7.5%, prodhimi me 15.6%, ndërsa të tjerat përbëjnë 0.9%.

Ndër sektorët që përfituan më shumë nga gjendja me pandemi rezultojnë barnatoret dhe marketet ushqimore me 70.8%, ndjekur nga tregtia me shumicë 10%, prodhimtaria me 8%, tregtia me pakicë 9.2% dhe gastronomia dhe ndërtimtaria me 1.9%.

Rekomandimet e OAK-ut për partitë politike, institucionin, si dhe Qeverinë e vendit janë që të ndërmerren masa konkrete nga shteti për të siguruar ndihmë për bizneset në kapërcimin e situatës, veçanërisht ato që janë ose kanë qenë shumë afër falimentimit.

Shteti ndihmon veç në qira dhe paga

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se do të ketë përkrahje financiare për sektorët të cilët preken nga masat e reja anti-COVID. Murati ka thënë se plani është që bizneset e prekura të mbështeten në pagesën e qirasë dhe në pagat e punëtorëve.

“Bizneset i kemi siguruar se mbështetja nuk do të mungojë. Deri në hartimin e masave konkrete, të cilat do t’i publikojmë gjatë ditëve në vijim. Ideja kryesore është që të mbështeten qiratë, pra shpenzimet fikse, si dhe pagat e punëtorëve. Synimi ynë do të jetë të ruhet shëndeti ekonomik, por pikë së pari të ruhen edhe vendet e punës, sepse ato vende pune sigurojnë familje të tëra”.

Ministri i Financave njoftoi se momentalisht nuk do të ketë pako të rimëkëmbjes, por ndihmë financiare për bizneset e prekura nga masat, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga e mërkura e kësaj jave.

“Nuk po flasim për një pako të rimëkëmbjes meqenëse jemi në një situatë emergjente dhe ideja është të marrim kundërveprime për ata sektorë që ndikohen nga masat. Për çdo veprim që merret në aspektin shëndetësor, të merret edhe një kundërveprim në aspektin financiar, që të ruhet shëndeti i ekonomisë. Sa i përket pakos së rimëkëmbjes, ajo do të vijë dhe do të ketë përfshirje shumë më të gjerë, duhet të shikohet edhe më afatgjatë”.

Premtimin për hartimin e një pakoje të tillë financiare e ka dhënë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai ka thënë se ndihmë do të ketë për të gjitha kategoritë në të cilat do të preken nga këto masa. “Ministria e Financave është duke punuar në një pako financiare për të ndihmuar të gjitha kategoritë që është e nevojshme”, ka thënë Vitia. Bizneset e prekura nga mbyllja janë ndihmuar edhe më herët nëpërmjet Pakove Financiare.

Pas mbylljes në fillim të pandemisë, u ndanë nga 170 euro për punëtorët, ndërsa subvencionimi i qirasë ishte deri në 50% të vlerës për mikro-ndërmarrjet, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Komuniteti i Biznesit, kundër masave

Mbyllja dhe masat e marra nga Qeveria e Kosovës janë kundërshtuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i kësaj Ode, Berat Rukiqi, ka thënë se pa vaksinim masiv, nuk ka kthim në normalitet e as rimëkëmbje ekonomik.

“Nëse nuk ka mbështetje financiare për bizneset dhe plan të qartë se çfarë do të bëhet pas 11 ditësh të kufizimeve, bizneset do të rrisin rezistencën në zbatimin e çdo mase anti-COVID. Pa vaksinim masiv, nuk ka kthim në normalitet e as rimëkëmbje ekonomik” . Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka konsideruar masat e reja joracionale dhe të dëmshme për ekonominë e Kosovës.

I pari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se masat e reja do të shkaktojnë humbje të mëdha tek operatorët ekonomikë.

“Aleanca Kosovare e Biznesit vlerëson se qeveria e vendit duhet të kujdeset qoftë për shëndetin publik, edhe për mirëqenien sociale dhe ekonomike. Në kuadër të kësaj, sot ajo do të tentojë që të marrë një vendim, i cili do të kufizojë lëvizjet dhe punën e disa sektorëve, gjë që do të dëmtojë rëndë ekonominë, edhe ashtu të dëmtuar, të ngarkuar me humbje të njëpasnjëshme qoftë nga COVID-i, apo edhe nga mosmbështetja e institucioneve shtetërore të Kosovës. Mbylljen e paralajmëruar prej 12 ditësh ne si AKB e vlerësojmë joracionale, të paanalizuar ekonomikisht mirë dhe të pambuluar, humbjet të cilat do t’i kenë operatorët e ndryshëm ekonomikë e që janë të lidhur me ta. Në shumë vende është bërë kufizimi dhe mbylljet, por kanë pasur shumë arsye dhe mbështetje nga institucionet shtetërore, sektorët dhe operatorët ekonomikë të ndryshëm”.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkoi nga institucionet e Kosovës që asnjë kufizim apo mbyllje totale të bizneseve, të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare.

“Ky vendim i shpejtë është i dëmshëm për bizneset dhe qeveria, e cila tashmë është konsoliduar dhe në përbërje të plotë do të duhet që me urgjencë të ketë takime dhe të bëjë analiza për efektet dhe kundërefektet që do t’i marrë një vendim, në këtë rast gastronomisë, për mbyllje dhe përkrahje financiare paraprake dhe pastaj vendim për mbyllje. Këto vendime që janë marrë më herët në këtë mënyrë e kanë dëmtuar shumë biznesin”, ka thënë Krasniqi.

Gastronomia konsiderohet sektori më i dëmtuar nga vendimet e qeverisë për masa izoluese apo kufizuese, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, në mars të vitit 2020. Për këtë qëllim, qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, në muajin janar të këtij viti, ka ndarë 3 milionë euro, shumë kjo që ende nuk ka nisur të shpërndahet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, në territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 20 mijë biznese në sektorin e gastronomisë. Bizneset në vazhdimësi janë ankuar se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar shumë pak biznesin që të kalojë krizën financiare që iu ka shkaktuar pandemia COVID-19 .

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka shpërndarë për sektorin privat vetëm 22 milionë euro. Kjo shpërndarje është bërë nga fondi 222 milionë eurosh, në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Gjatë periudhës së fundit, në Kosovë ka pasur rritje të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus./Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore