Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

DPT: 70% e subjekteve janë fiskalizuar; 82% e biznesit të vogël është pajisur me certifikatë elektronike

DPT: 70% e subjekteve janë fiskalizuar; 82% e biznesit të vogël

Procesi i fiskalizimit që nisi fillimisht nga 1 janari 2021 zbatimin për transaksionet mes enteve publike po shkon drejt fundit.

Në total sipas të dhënave të përditësuara të DPT për “Monitor” prej datës 1 Janar 2021 deri me 18 Maj 2022 janë fiskalizuar 70% e totalit të bizneseve aktive. Nga 118,953 që është totali i bizneseve aktive sipas të dhënave të tatimeve 83,202  prej tyre rezultojnë të fiskalizuar.

Rreth 1 muaj para përfundimit të periudhës pa penalite, rreth 82% e bizneseve të vogla janë të pajisur me certifikatë elektronike për fiskalizimin. Në total nga 1 janar 2021 deri më 18 maj 2022 janë 74,647  tatimpagues të vegjël aktivë të pajisur me certifikatë fiskalizimi nga 92,000 që është totali i biznesit të vogël aktiv. Nga nisja e fiskalizimit deri tani janë lëshuar 339 mln fatura të fiskalizuara.

Për subjektet e vogla afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin përfundon më 30 qershor 2022. Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ në ligjin “Për procedurat tatimore”. Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë  furnizimin me ujë për konsumatorët finalë,  si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

Faza e parë e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike. Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin papara në dorë mes bizneseve.

Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë nga 1 shtatori i vitit të kaluar 92,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë.

Deri në fund të vitit të kaluar u realizua gjysma e procesit. Ndërveprimi me bizneset që nuk ishin të pajisur me certifikatë elektronike ishte i pamundur, sipas ekspertëve pasi nuk njihet TVSH-ja e zbritshme. Nga kontabilistë më herët është ngritur edhe shqetësimi i plotësimit të librave të shitjeve në e-filing dhe hedhja e tyre manualisht në sistemin e fiskalizmit.

Ndërsa nga 1 korrik 2022, librat e shitjes/blerjes dhe deklarata e TVSH-së do të plotësohen automatikisht, sipas të dhënave të sistemit të fiskalizimit. Për muajt prill-qershor tatimpaguesve po u ofrohet nga tatimet një hapësirë e dedikuar për të raportuar çdo problematikë, që kanë hasur gjatë dorëzimeve manuale në e-filing, me qëllim zgjidhjen e çdo problematike dhe përmirësimin e shërbimit.

Dorëzimi i deklaratës së TVSH-së apo librave të shitjes dhe blerjes do të vijojë të kryhet nëpërmjet llogarive në e-filing deri më 30 qershor. Kontabilistët paralajmërojnë se pas kësaj periudhe shumë biznese do të hasin vështirësi, për shkak të pamundësisë për kryerjen e korrigjimeve në sistemin e fiskalizuar. /Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore