Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Bankat kanë 48 miliardë lekë kredi me probleme, pothuajse gjysma janë të humbura

Bankat kanë 48 miliardë lekë kredi me probleme, pothuajse gjysma

Sektori bankar kishte 48 miliardë lekë ose rreth 387 milionë euro kredi me probleme në mesin e këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredive me probleme ngeli pothuajse i pandryshuar gjatë 6-mujorit të parë të vitit, edhe falë pezullimit të kërkesave rregullatore për riklasifikim nga Banka e Shqipërisë; ndërkohë, stoku i kredive të këqija paraqitet në rënie të ndjeshme me 24% krahasuar me një vit më parë.

Rënia vjetore e stokut të kredIve me probleme u ndikua sidomos nga një përshpejtim i fshirjes së kredive të humbura në fund të vitit të kaluar. Kjo u ndikua kryesisht nga ndryshimet rregullative që ulën nga tre vjet në dy vjet maksimumin e kohës së qëndrimit në bilanc të kredive të klasifikuara si të humbura.

Në 12 muajt e fundit, janë fshirë rreth 8.3 miliardë lekë kredi të humbura, të përfaqësuara kryesisht nga kreditë e bizneseve në valutë. Gjithsej, që nga fillimi i procesit të fshirjes, në janar 2015, janë fshirë 65 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shumë është sa 140% e vlerës aktuale të kredive me probleme dhe jep një ide të qartë të ndikimit të madh që fshirjet kanë pasur në pastrimin e portofoleve të sektorit bankar.

Por, shqetësuese është se, megjithë fshirjet intensive, pesha e kredive të humbura në strukturën e kredive me probleme vazhdon të rritet. Në mesin e këtij viti kreditë e humbura përbënin 47.3% të kredive me probleme, nga 45% një vit më parë. Në vlerë, kjo përkthehet në 22.7 miliardë lekë kredi të humbura që qëndrojnë ende në portofolin e bankave. Sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, kredia klasifikohet si e humbur kur huamarrësi nuk ka bërë pagesa për një vit me radhë.

Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme të sektorit bankar zbriti në 8.1%, nga 8.4% që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 11.2% një vit më parë.

Kredia paraqitet më cilësore në segmentin e individëve dhe veçanërisht në segmentin e kredive për blerje banese. Ky ngelet segmenti më cilësor i huasë, me një raport të kredive me probleme në nivelin 4.4%. Ndërkohë, raporti i kredive ngelet më i lartë për bizneset, në kufijtë e 10%. Megjithatë, tendenca e raportit të kredive me probleme është në rënie edhe në këtë segment dhe fshirjet ngelen faktori me ndikimin kryesor./Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore