Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

6000 përfitues nga garancia sovrane/ Rama: Ka mbaruar koha e bujqësisë së mbijetesës dhe i shtetit shpëtimtar

6000 përfitues nga garancia sovrane/ Rama: Ka mbaruar koha e

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në ministrinë e Bujqësisë për fondin e garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekësh.

“Jepet një mesazh domethënës për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re të krijuar që nga vitit 2016, por edhe me këtë tjetër ndërhyrje të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve, duke insistuar në mesazhin se është koha që çdo ditë, ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara. Koha e bujqësisë së mbijetesës, e subvencioneve pa kriter, ka mbaruar. Ka mbaruar edhe koha e bujqësisë së atyre që mbeten në kufijtë e ngastrës së tyre, pasi është e pamundur, sado të garantojë shteti për ata, që të garantohet një e ardhme më e mirë”, tha kryeministri këtë të mërkurë në një takim me fermerët, ku u prezantua garancia sovrane në dispozicion të fermerëve.

Mw tej ai theksoi se "në sektorin e të gjitha punëve të fshatit është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, e sinergjive të reja, e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve, por edhe të ndërveprimi me bankat. Së bashku me BERZH, ne alokuam 180 milionë euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi. Ky mekanizëm hapi rrugën e një qasje në financa për sektorin e agrobiznesit nëpërmjet një linje kredie. Ajo që kemi sot para syve, nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por për të qenë të bindur se kjo është rruga. Janë 72 milionë euro të disbursuara nga ky fond”.

Por Rama theksoi gjithashtu se "koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin. Shteti nuk është shpëtimtari është mbështetës dhe garant në aspektet që lidhen me lirinë e konkurrencës dhe garantimin e mekanizmave të aksesit në financa. Përtej kësaj shpëtimtarët e të ardhmes janë ata që i kanë vërë historitë e suksesit".

Fjala e kryeministrit

Sot është me shumë rëndësi që jemi këtu, së bashku, dhe që nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria, por edhe partnerët tanë jepet një mesazh domethënës për gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re që është krijuar qysh prej 2016, por që me këtë tjetër ndërhyrje të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve apo sipërmarrjes bujqësore, duke insistuar në mesazhin se është koha që çdo ditë, ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor, të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara.

 

Është koha që të gjithë të vetëdijësohen se koha e  bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar.

Ashtu sikundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare, e atyre që mbeten thjeshtë dhe në kufijtë e ngastrës së tyre, pasi është e pamundur sepse sado të bëjë qeveria dhe shteti për ta që të garantohet një e ardhme më e mirë apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga pamja e një mbijetese torturuese.

 

Për këtë arsye, unë dua t’i bashkohem parafolësve për t’u thënë të gjithë atyre që sot, me gjasë, na ndjekin dhe për të përsëritur mesazhin që nga ana jonë do jetë gjithmonë e më këmbëngulëse që në sektorin e bujqësisë, në sektorin e të gjithë punëve të fshatit që lidhet me prodhimin bujqësor, me prodhimin blegtoral, me agrobiznesin, me agroturizmin, është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sinergjive të reja, me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu, beson tek ndërveprimi me bankat.

 

Së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ne alokuam 180milionë euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar financimin e tyre dhe ky mekanizëm praktikisht, hapi rrugën e një qasjeje në financa për sektorin e agrobiznesit, ndërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së riskut të portofolit për institucionet bankare dhe financiare.

Ajo që kemi sot para syve nuk është, siç e tha dhe një prej parafolësve,një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por është një arsye për të qenë plotësisht të bindur se kjo është rruga.

Janë 6mijë përfitues nga Fondi i garancisë dhe 72milionë euro të disbursuara nga ky fond. Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit, ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një tjetër Fond Garancie Sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë.

 

Unë jam shumë i bindur që sot, Shqipëria i ka të gjitha rastet e nevojshme të suksesit, i ka të gjithë shembujt e nevojshëm për të demonstruar, jo më me fjalë, por me vepra, se cila është rruga e të ardhmes në zhvillimin rural të vendit, cila është rruga e të ardhmes në modernizimin e sektorit të prodhimit bujqësor, në modernizimin e sektorit të përpunimit, të agropërpunimit dhe patjetër, në rritjen e eksporteve.

 

Rruga e të ardhmes është rruga e ndjekur jo më nga një, dy, tre aktorë të suksesshëm në bujqësi, por nga qindra që po bëhen mijëra. Na takon ne si qeveri, i takon Ministrisë së Bujqësisë në radhë të parë, që të investohet seriozisht për t’i promovuar këta shembuj në sytë e gjithë të tjerëve që duan të bëjnë sukses në këtë sektor, për të treguar me forcën e veprave të këtyre aktorëve të sistemit që suksesi është i mundur, fitimi i konsiderueshëm, madje, është i mundur dhe rruga e të ardhmes është e mundur. Është e mundur për ata që janë në kushte që duke u bashkuar të prodhojnë dhe të eksportojnë, por është i mundur edhe për ata që në kushte të tjera gjeografike të investojnë në agroturizëm, pa qenë nevoja të bashkohen me të tjerë, për ta sjellë konsumatorin tek dera e shtëpisë.

 

Pjesa që i përket një historie prodhimesh të nxjerra kuturu, të mbjella kuturu, të mbjella nëpër trasta për të dalë nëpër tezga, është një pjesë që i përket të shkuarës dhe prodhimet e kësaj natyre janë të destinuara të mbeten pa shitur, janë të destinuara të hidhen nëpër lumenj, janë të destinuara të dalin nëpër udhëkryqe rrugës për të bllokuar për pak orë rrugët, me idenë që shteti duhet të vijë dhe të bëjë shpëtimtarin.

 

 Koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin, që krijoi iluzionin e shtetit shpëtimtar dhe ndërkohë shteti u bë pengmarrësi dhe burgosësi i kudondodhur i njerëzve dhe i ëndrrave të tyre.

Shteti nuk është shpëtimtari.

Shteti është mbështetës dhe garant në aspekte që lidhen me lirinë e konkurrencës dhe me garantimin e mekanizmave të aksesit në financa.

 

Përtej kësaj shpëtimtarët e të ardhmes janë ata, të cilët i kanë bërë sot që flasim, historitë e suksesit, janë ata të cilët e kanë rritur në mënyrë eksponenciale shifrën e eksportit në peshkim.

 

Sot, industria jonë e peshkimit është një industri serioze dhe eksportet tona në peshkim tregojnë qartësisht transformimin që ka sjellë karakteri sipërmarrës i asaj fushe, që falë një numri, jo shumë të madh, por as të vogël aktorësh të përfshirë, po kthehet në një histori të madhe suksesi.

Nga ana tjetër, edhe eksportet në bujqësi po ashtu, janë qartësisht një provë e mundësive për sukses sepse rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në mënyrë të qëndrueshme. Praktikisht, sot kemi dy pamje të sektorit, një pamje që është fytyra e së ardhmes dhe një pamje që është fytyra e të shkuarës. Çka ne mund dhe duhet dhe do vazhdojmë të bëjmë është që do të nxisim të gjithë atë pjesë njerëzish në sektor, që ka mbetur peng i të shkuarës, që me kurajë, me vullnet, me këmbëngulje, të bashkohen në rrugën e të ardhmes, duke u bashkuar me karvanin e atyre që po bëjnë sukses.

 

Është teorikisht e pamundur që t’i besohet e ardhmja një ngastre të veçuar dhe një pune të vetmuar kur është fjala për prodhim bujqësor, për prodhim blegtoral. Patjetër që një ngastër e veçuar dhe një punë vetmitare mund të bëjë sukses në agroturizëm, por nuk mund të bëjë kurrsesi sukses në prodhim, në grumbullim, në përpunim apo eksportim të produkteve bujqësore.

Ne sot kemi një të dhënë kuptimplotë, besoj unë, ndër disa të tilla. Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte 8 vite më parë. Ky prodhim i shtuar dhe këto eksporte që shtohen janë rezultat i një baze të re të vendosur. Por nga ana tjetër, jemi të gjithë të vetëdijshëm që në atë dyfish toke që punohet, ka ende shumë problematika që lidhen me prapambetjen e që lidhen me zinxhirët e të shkuarës që duhen këputur nga të katërt anët e ka shumë nevojë për sinergji të reja, ka shumë nevojë për inovacion, ka shumë nevojë për teknologji, e kështu me radhë.

Më vjen mirë sot që jemi këtu sëbashku me bankat. E dëgjova me vëmendje përfaqësuesin e sektorit bankar që foli në emër të bankave të nivelit të dytë dhe shpresoj që fjalët e tij të reflektojnë realisht vullnetin e bankave për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj kërkesave të sektorit të bujqësisë dhe të zhvillimit rural, sepse është pa as më të voglin dyshim, një rrugë ku nuk ka të humbur.

Me fondin e garancisë sovrane, kjo rrugë bëhet edhe më e lehtë besoj unë për bankat, por patjetër që në këtë rrugë, duhet mbështetja shumë e fokusuar e Ministrisë së Bujqësisë për të garantuar që bankat të marrin aplikime, të cilat i përmbushin kriteret për t’u marrë në konsideratë, që do të thotë, shumë më tepër informim për fermerët, që do të thotë shumë më tepër asistencë teknike, që do të thotë shumë më tepër investim energjish nga ana jonë për të rritur kapacitetet e dijes sepse në fund të ditës, kudo, por në bujqësi në mënyrë të veçantë, historia e zhvillimit të vendeve tregon se sa e rëndësishme është dija dhe përditësimi i njohurive për të pasur sukses.

Shumë faleminderit të gjithëve për kontributin, është një grup i vogël, por me një peshë shumë të rëndësishme në ecurinë e sektorit dhe edhe një herë tjetër, dua që t’ju lutem në emër të qeverisë shqiptare, të gjitha bankave të nivelit të dytë që të rrisin aktivitetin e tyre për të qenë më proaktive, në raport me sektorin e bujqësisë sepse është një kontribut i rëndësishëm për vendin, është një kontribut i rëndësishëm për njerëzit dhe pa diskutim që mbase në një fazë të parë nuk i ka fitimet që bankat mund të garantojnë nga sektorë të tjerë, por me siguri është një sektor ku pavarësisht masës dhe intensitetit të fitimit, bankat, jo vetëm që nuk do të kenë humbje, por në mënyrë graduale do të kenë një tjetër korsi fitimesh, se në këtë botë, u mor vesh kjo punë, të vetmet që vetëm fitojnë janë bankat.

Shumë faleminderit! 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore