Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Arti

Sot, kur edhe ti, Bert, mbush 80!

Sot, kur edhe ti, Bert, mbush 80!

TI, Robert Ndrenika, duhet ta ndjesh që kjo është një ditë e lumtur për njerëzit e tu të afërt, por edhe më shumë: është një ditë e bukur për admiruesit e tu të panumërt në hapësirat që zenë shqiptarët…

Dhe duhet thënë akoma se është një ditë feste edhe për ne, shokët e paktë të tu, që kemi statusin e rrallë si bashkëstudentë të Shkollës së Lartë Teatrore “Aleksandër Mojsiu, kolegë flokëbardhë, që paçka se të shpërndarë mbi glob, do të hapim shishe tona të verës për të të thënë:

GËZUAR! U BËFSH EDHE 100, BERT!

Vjet po në këtë datë të shkroi dhe uroi Ditlindjen, Viktor Zhusti.

Teksa sot po të shkruaj unë. Të Tetëdhjetat meritojnë një përgjithësim më të madh. Dhe unë vetautorizohem. Dhe e dij se do të kem edhe pëlqimin e tyre, të Viktorit, Vladimir Priftit, Bukuroshe Kokalarit, Ali Begës, Vera Zheit, Mithat Fagut, Vasil Kokosharit, për t’ia bërë këtë urim bashkëstudentit nga i cili ne si shokë prisnim më shumë dhe që nuk zhgënjeu, por arriti majat më të larta të aktrimit dhe u bë një nga artistët më të shquar të skenës dhe ekranit, në historinë e artit kombëtar.

Që nga thellësia e qiejve ku prehen e ndjej se urimit tonë i bashkohen dhe ata, Thomai, Shpëtimi, Antoneta, Sandri, Ademi, Ibrahimi, Xhelali, Kristoja, Tonini.

Këndi më i ndritur i urimeve tona mbaron këtu dhe ky 80 vjetori yt ma bën më të shpenguar vijimin. Dhe me lejën e të gjithëve ftoj të endemi në lëndinat e blerta, ku kujtimet tona bëhen të tëra tok.

Nuk dij sa të përshkënditura i kanë ëndrrat të rinjtë e sotëm, kur shkelin për herë të parë prakun e shkollës së artit, por kujtoj se në vitin e parë ne ecnim përmbi ré. Bile, vlen të thuhet, se ne kurrë nuk kemi qenë artistë “më të lavdishëm” se në muajt e parë të vitit të parë! Ne nuk rrinim dot pa vënë re zilinë, me të cilën na vështronin bashkëmoshatarët, bile qoftë edhe ata që ndiqnin degë të tjera të universitetit. Aq më tepër kur ata mbushnin sallën e teatrit dhe na shquanin neve, edhe më me zili akoma, në skenë, bri aktorëve tanë të famshëm, në episode dramatike të Hamletit, ku ne na angazhonin si figurantë, të veshur me kostume fisnikësh të mesjetës, për të bërë një korale “oooooh!” kur heronjtë ndesheshin me shpata, apo për t’i sjellë me përulësi një gotë ujë Mbretit Klaud.

Natën tjetër moshatarët tanë shquanin me zili kostumet e bukura të malësorëve të veriut dhe brenda atyre kostumeve, ne, djemtë e kursit, që po nisnim rrugën e përjetësisë, si pjesëtarë të gardës së Skënderbeut tek drama e Pitarkës. Paçka se nuk kishim asnjë fjalë më shumë se përsëritja tri herë në kor “na pri, o Gjergj, na pri!”.

Dhe siç e do jeta reale njerëzore, pas vitit të parë, në vitet e mëvonshëm ne shfryheshim dalëngadalë, zbrisnim nga retë, lodheshim me provat, dëshpëroheshim nga qortimet dhe vite më vonë akoma shfrynim, kur na pyesnin me kërshëri, nëse do t’u jepnim profesionin tonë ndonjërit prej fëmijëve.

“Bah, kurrë! Ta dinim kështu…!”

Në këtë lloj shkolle studentët vuajnë që në muajt e parë nga plagët e egra shpirtërore të xhelozisë, vuajnë suksesin e tjetrit, bukurinë e tij fizike, zërin, sharmin. Të gjithë i patëm këto vuajtje, por mund të them pa lëkundje që grupi ynë pati një shoqëri të shëndetshme, një miqësi të frytshme. Unë nuk di të kem parë dhe dëgjuar mes nesh zënka, grindje, përleshje, shkëmbime fjalësh të ashpra. Edhe këtë mund ta shtrij deri në ditën e sotme, teksa po shkruaj këta rreshta. Ne vërtet nuk u bëmë të gjithë aktorë kopertinash, por teatrit dhe filmave u kushtuam tërë zjarrin e pasioneve tona.

Ishte ky një lloj kameratizmi një nga vetitë më të çmuara që prodhuam dhe gëzuam ne, shokët e kursit të Robert Ndrenikës.

Por shoku i klasës, sado shok, nuk mund të mos kishte cmirë zërin e bukur të Zhustit, shqiptimin e tij të pastër e të kthjelltë, gjallërinë e syve të tij, bukurinë mashkullore, që Viktori e ka të patrazuar edhe tani, kur i ka kaluar të shtatëdhjetepesat e jep shënja se do të ruajë jetëgjatësisht pamjen e një plaku të bukur. Ai atëherë ishte më i preferuari i pedagogëve, vajzat kishin dëshirë ta kishin në skenat e tyre të provimeve të fundvitit. Krahasoni se sa pak rëndësi ka kush është më i pashëm dhe flet më rrjedhshëm, përshembull, në fakultetin e inxhinjerisë! Janë cilësi që nuk hyjnë në punë në karrjerën e inxhinjerit, mjekut, apo juristit.

Ndërsa rekuizitat fizike të mashkullit, apo të femrës tek ata që i kushtohen skenës, janë lënda bazë për ndërtimin e jetës, rangut artistik, popullaritetit, magjisë. Ato prodhojnë thirrje admirimi, duartrokitje. Do të pajtoheshe se s’bën me plastikën e mrekullueshme të Shpëtimit Shmilit, me fytyrën ëngjëllore të Bukuroshes, me devotshmërinë studentore të Bërdakut, me zërin e ngjeshur solemn të Verës, e cila ishte folësja kryesore e Radio-Tiranës, me kulturën muzikore të Ali Begës, me temperamentin e Gjyzelit… Që këtej, që nga këto cilësi niste ndarja e roleve të heronjve dhe heroinave.

Kush nuk i ka  përpara syve tiparet e bukura të Robert Ndrenikës tek “Koncerti ‘36”  tek muzikanti Miller në “Intrigë e Dashuri” të Shilerit, apo qoftë edhe tek “Prefekti”!

Mua me ty, Bert, më bashkonin shumë gjëra: të dy ishim banorë të Tiranës, të dy ishim me përbërje politike jo fort të përshtatshme dhe për këtë arsye, që të dy vazhdonim studimet me shpenzimet e prindërve dhe, megjithë trokitjet tona të panumërta nëpër zyra, në katër vitet universitarë, ne mbetëm pa bursë nga shteti. Ne rrinim tok gjithë ditën duke sajuar shaka dhelpërore, por rolet më të mira natyrisht do të shkonin tek ty.

Mua më duhej të zhvilloja zotësi të tjera.

Ne të dy patëm rastësisht edhe një lloj “baxhanakërie”, se në mbyllje të vitit të fundit i zgjodhëm shoqet e zemrës, nga i njëjti kurs, nga ai më i riu, me dy vajza që sapo kishin filluar tek ne vitin e parë.  Dhe lidhëm vërtet jetët tona me to. (Pas vitesh, e ndjera Polikseni, iku e goditur nga një sëmundje e rëndë, që e bëri të vuajë gjatë. Tok me të vuajte dhe ti, shoku ynë i vyer, që edhe në lëngatën e shoqes së shtrenjtë, dhe një shëmbull të rrallë përkushtimi bashkëshortor, duke braktisur për afro tre vjet angazhimet aktoriale).

Po le ta lemë këtë notë të trishtë dhe të rikthehemi aty në vitet e shkollës.

Dhe të nënvizojmë se humori, ishte gjëndja jonë e avulluar.

Ti, përshëmbull pate mjaft komedi në repertorin personal, në përputhje të plotë me parapëlqimet e tua. Nga goja jote rridhnin jo vetëm fraza autorësh, por edhe batuta të mprehta të humorit vetjak. Më kujtohet ajo ditë, kur dekani na mblodhi dhe kërcënoi se do t’u pritej bursa atyre që do të mungonin në mësim, siç ndodhte, kur nga radioja shtetërore, apo nga kinostudioja, vinte ndonjë ofertë joshëse dhe ne braktisnim mësimin. Unë u kujtova dhe në heshtjen e përgjithëshme lëshova një batutë naïve:

“Ne …jemi nja dy vetë, që …nuk kemi bursa!… Që të na priten”

“Çfarë the ti, Kulla?” pyeti dekani.

“Thashë që mua dhe Bert Ndrenikës, nuk na është dhënë bursë… Po i bëjmë përpjekjet, por… E kam fjalën që të…”

Dekani u përtyp si i zënë gafil. Ti nuk e humbe rastin dhe i dhe fund mendimit që nisa unë.

“Ja për këtë ia vlen të përpiqeni dhe ju si dekanat, profesor. Të na jepet bursa edhe ne të dyve. Që të na pritet edhe neve, po të… I bën mirë disiplinës së shkollës, pa jo për gjë!”

Aty, sikundër thashë, jeta e përditshme, daç mësimi, apo daç edhe mbrëmjet në skenë, kur ne përdoreshim në tablotë masive, dukej si e përshkënditur nga humori. Ne na mrekullonin aktorët e vjetër, jo vetëm me rolet para publikut, por edhe me jetën e tyre të dytë, atë të padukshmen. Një herë Prokop Mima pat harruar në kabinë çadrën e shiut dhe të nesërmen e gjeti që komisioni i inventarit ia kishte regjistruar si pronë të teatrit. Dhe për shkaqe burokratike nuk e rimerrte dot çadrën. Kjo u bë gazi i oborrit, aq sa aktorët që pas mbarimit të shfaqjeve, vonoheshin më shumë se të tjerët duke e zgjatur fshirjen e makiazhit, Besim Levonja i këshilloi të shpejtonin se mund të përfshiheshin në inventar dhe nuk do t’u ktheheshin më grave të tyre!

Edhe Bexhet Nelku sillte me bollëk gaz teksa imitonte në mënyrë të përkryer artistët e teatrit. Atij iu dha rasti nga krijimi i një rrethane të artë për një shakaxhi: dy kabinat e nevojtoreve të vetme në korridorin lart, ndodheshin shpesh të zëna nga studentët që ishin shtuar së tepërmi. Kështuqë dekani urdhëroi vajzat dhe djemtë e shkollës të përdornin vetëm kabinat poshtë, në fund të oborrit. Ato lart duhet t’u liheshin vetëm aktorëve dhe administratës. Për këtë u vunë tualeteve kyçet dhe brënda zyrës së dekanit, brenda derës, u var çelësi i WC-së.

I mbani mend aktorët e shquar dhe autoritarë, të imituar nga Bexheti, teksa vinin në zyrën e dekanit e përshëndesnin me buzëqeshje, apo me seriozitet të zotin e zyrës zgjasnin dorën dhe merrnin çelësin që do ta kthenin pas disa minutash.  Nganjëherë komizmi i Nelkut merrte zhvillime marramendëse, sidomos kur fuste në lojë ngutjen e hallexhinjve. Ose, ca më tepër, kur sajonte brenda zyrës së dekanit praninë e ministrit, apo të ndonjë anëtari të Komitetit Qendror. Pastaj, zgjidhte të imitonte Mihal Popin, apo Kadri Roshin, që vinin me ngut për çelësin dhe përshëndesnin me nxitim titullarin e lartë, i cili i vononte me komplimenta dhe lavdërime e ata nuk i priste halli të dëgjonin lavdërimet edhe sikur t’ua dërgonte i madhi i vendit!

Vetë natyra e lëndëve të mjeshtërisë tek ne ishte interesante dhe sillte çaste të gëzueshme, të paharruara. Aq më tepër që ne kishim rast të shijonim edhe sensin e humorit të pedagogëve tanë të rrallë. Ishte përditë e pranishme e qeshura e zhurmshme e Kujtim Spahivoglit, ironia e mprehtë e Mihal Luarasit dhe humori i shtruar i Andon Panos.

Një ditë teksa zhvillonim provat e dramës së Naum Priftit, “Rrethimi i bardhë” me ngjarje të vendosura mes malesh, pedagogu Spahivogli i bënte vërejtje Ibrahim Bërdakut që ulej pranë të fejuarës të trishtuar, të cilën e luante Antoneta Papapavli. Djali nuk e sillte dot vajzën e tij në gaz dhe nuk ia përzente dot trishtimin. E përsëritën disa herë skenën. I pakënaqur pedagogu na dha pak pushim. Pas pushimit Spahivogli u muar përsëri me atë skenë.

“Dëgjo, djalë,” i tha Ibrahimit. “Ajo është e fejuara jote. Ti nuk je fare aktiv. Është njeriu yt më i dashur… Kupton? Afroje në krahët e tua. Pa droje, siç ndodh në jetë. Përkëdhele, more djalë! More, puthe, e kupton? Puthe!”

Ibrahimi i gjorë, një nga djemtë tanë më simpatikë, ishte dhe nga më të drojturit që kishim në kurs. Në atë kohë puthja në skenat dhe filmat tanë nuk e kishte fituar qytetarinë. Ishte, si të thuash, një tabu. Dhe këtë tabu duhej ta thyente djali më “namuzqar” i klasës!

“Natyrisht, Neta, nuk do të të lejojë ta puthësh, nuk do të të lerë deri aty,” nxitoi të saktësonte tek e kuptoi drojën Kujtim Spahivogli. “Por ti nuk ke arsye të mos shkosh drejt buzëve të saj. Hajdeni pra, hypni të dy në skenë!”

Ibrahimi shkoi kokëulur drejt skenës. Neta që ishte ulur pranë nesh vuri shallin në qafë. ti i pëshpërite shoqes tonë: “për hatrin tim, lere të të puthë, Neta!” Ajo qeshi dhe më pa mua. “Dëgjo Bertin!” të mbështeta edhe unë ty, me zë të ulët. Buzëqeshur, Antoneta u ngjit në skenë. U ul në stolin para dekorit që sillte idenë e fjetores së punëtorëve dhe priti të fejuarin. Bimi erdhi, u ul pranë saj dhe i përkëdheli flokët.

“Ç’është ky trishtim, e dashur?!” e pyeti me qortim, sipas tekstit të dramës.

E ngjeshi pranë vetes dhe afroi buzët tek buzët e saj.

Këtë çast po e prisnim të gjithë. Dhe të gjithë neve nuk na u duk aspak çudi, që Ibrahimi ynë e ndërpreu lojën dhe u kthye nga ne që ishim rreth profesorit. Dhe u ankua i zemëruar:

“Po kjo po më le, o profesor!”

E qeshura e Kujtimit buçiti gjatë. Kur e mori vesh intrigën tënde,

të hodhi krahun në qafë dhe gazi i tij u ngrit në kupë të qiellit.

Nuk e fshihte ngrohtësinë për studentët, Kujtimi. Veçanërisht për ty, për talentin më të spikatur që premtonte një të ardhme të ndritur.

Dhe që ti ia mbajte premtimin pedagogut të paharruar.

Edhe një herë, GËZUAR DITLINDJEN BERT NDRENIKA!

Paç shëndet e jetë të gjatë për njerëzit e dashur dhe për skenën dhe ekranin që kanë nevojë për artin tënd!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore