Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Arti

Si e njofta Martin Camajn

Si e njofta Martin Camajn

Studimi i Auron Tares në të cilin thekson se shkrimtarët e njohur, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë qenë agjentë të shërbimeve të huaja ka ngjallur mjaft debate në opinionin publik, madje është shoqëruar me reagimet e personaliteteve të letërsisë dhe historisë.

Vetë autori, Auron Tare ka reaguar pas qëndrimeve të disa personaliteteve, teksa ka thënë se ai është përgjegjësi i vetëm për autenticitetin e materialit që ka botuar.

“Per Dosjet e Sigurimit te Shtetit te Deklasifikuara dëshiroj t’ju bej me dije se ndodhen ne Fondin e AIDSSH. Duke pare reagimin e madh mbi Dosjet e Martin Camaj dhe Koliqit do te doja t’ju bej me dije se me interesimin e një studiuesi qe ka shkruar per nje kohe te gjate për çështjet e historisë se Luftes se Dyte Boterore dhe te Pas Luftes jam paraqitur ne Autoritetin AIDSSH shpesh here ku me nje korrektësi me jane vene ne dispozicion për njohje një seri Dosjesh per te cilat kam qene i interesuar, nder te tjera Dosja e Teme Sejkos, “Grupit Çam” Komiteti Shqipëria e Lire, Dosja Camaj e kështu me radhë”, thekson ai.

Tare thekson në reagim në Facebook se "Dosja e Martin Camajt eshte miratuar ndërsa Dosja e Koliqit ende është ne përpunim. Ne shkrimin tim te botuar para disa ditësh kam shfrytëzuar te gjithë materialin e konsultuar paraprakisht ne këto Dosje dhe materiali i Dosjes sipas rregullit është hedhur ne CD për tu tërhequr prej meje".

"Nga AIDSSH sipas rregullit jam njoftuar përpara 10 ditesh për tu paraqitur per marrjen e materialit. Jam paraqitur sot për ta marre dhe per ta pasur ne koleksionin tim ku ndodhet edhe materiali i mbledhur me pare. Për çdo informacion te mëtejshëm mund te me kontaktoni direkt. Per autenticitetin e materialit te botuar jam përgjegjës publik. Ne se ndokush pretendon se ne këto materiale ka shtrembërimi apo material jo te vërtete përgjegjësia bie mbi mua”, thekson Tare.

Për këtë ka pasur edhe një reagim nga Enkelejda Shkreli (Shamku), ish-deputetja e PS-së. "Meqë është diskutu fort arratia e Martin Camajt, po sjell këtu poshtë përshkrimin e gjallë të atyre netëve, dhënë nga At Daniel Gjeçaj (shkruan me pseudonim Pal Dukagjini). Dhe po ia le lexuesit ta ndjejë e ta gjykojë. Sa i takon Martinit dhe Sigurimit, unë sigurohem t’i besoj bashkëudhëtarit të tij Padër Danielit, e jo dosjeve të përpiluara nga duar të fajshme", shkruan Shamku. Më poshtë shkrimi dhe historia e arratisjes e rrëfyer nga Daniel Gjeçaj.

Si e njofta Martin Camajn

Nga At Daniel Gjeçaj

Të parën herë e takova në Rrogam të Thethit në gusht të vjetit 1948, kur unë bashkohesha me çetën e komitëve kundra komunizmit të Enver Hoxhës. Jetojshin me krye në gërshanë, tue pritë çdo ditë dekën. Kishin nevojë për një atë shpirtnuer. Ma propozuen këtë detyrë mue, që e shifshe mirëfilli se së shpejti do të pësojshe fatin e sivëllazënve, të pushkatuem te zalli i Kirit. Si mora lejen prej të parëve, e bekimin prej Tringës, pranova e u bashkova me ta, me mendimin se kisha për të kalue një kohë të gjatë maleve e pyjeve, tue krye një detyrë, të cilën në kohë normale, nuk kisha mujtë as me e përfëtyrue. Profesori-kaçak; Frati-komitë. Do të më duhej me çue meshë shpellave, me i prî rruzares pyjeve, tue e ndërpré tash e parë për shkak të rrezikut të rrethimit; me rrëfye njerëz të ngrimë në armë, me kungue djelmoça, që bâheshin gati për jetën tjetër, me vojue të varruem për dekë në lule të moshës. Grupi, të cilit i shtohesha unë, përbahej prej 36 vetëve, ndër të cilët shumica të armatosun, të kursyem prej Nikë Sokolit e kapidan Gjon Destanishës.

Flejshim ndër ledina, buzë vijave të ujit, gjithnjë me roje, ditë-natë. Ushqeheshim, në rasën ma të mirën, me bukë e djathë, që na e bijshin malësorët. Unë ndeja pak, vetëm katër dit, për shkak të rrethanave që u krijuen. Po të tjerët jetuen kështu mâ se katër vjet e, si më diftojshnin, mërrijtën me hangër deri pluhun sharre në vend të bukës, që shpesh edhe u mungoi, sepse kush e binte, e bânte ketë me rrezik kreje, e jo vetëm për veti. Rrezikonte me u zhdukë prej faqes së dheut me fis e me farë.

Grupit të vogël të kapidan Gjon Destanishës i përkiste Martini, një djalë krejt i rí, ish-student i gimnazit-licé të jezuitëve të Shkodrës e aspirant apostolin i të bijve të Shën Injacit. I temalas me fis, mësues ndër fshate të Veriut mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës e prandej edhe të shkollave e të seminareve të Françeskanëve e të Jezuitëve, Martini kishte rá në lidhje me kapidan Gjon Destanishën e me të nipin e tij Lazër Palin, të cilët tashmâ kishin katër vjet që jetojshin në mal, pa iu dorëzue komunizmit. Ndoq këta, pra edhe kur këta dy vendosën me u bashkue me çetën e Nikë Sokolit, i cili kishte mbledhë rreth vetit, përposë shokëve të vet të padám, Zef Zogun e Shpend Sadikun e edhe bajraktarin e Shalës, Prelë Markun, kryetarin e djelmnisë së Shalës, Sadik Markun me vëllá, Marash Kolën, Vat Marashin prej Shoshit etj. Martini ishte i vetmi që kishte pregatitje shkollore të mesme. Sadoqë i ri, këtij i silleshin për çkado lypte njohunia ditunore.

Nuk ishte fort i gojës e prejsé ndodhej në një shoqní të panjoftun, ku s'gjente shokët e vet as të krahit të vet, rrinte mâ fort i vetmuem e plot mendime. Mbante krahin e Gjon Destanishës, të cilin e kishte ndjekë në arratí. Me mue nuk njihej, prandaj as me u shoqnue fort, s'shoqnohej. Kishte mâ të shkuem me fra Pashkun, i cili në grup paraqiste Savonarolën në gojë e Shën Gjon Kapestranin në luftë për lirí. Si françeskan ky kishte për armë vetëm kryqin e rruzaren të bâme me një spagë të gjatë me aq neje, sa janë shêjet e kokrrave të uratëve. Kishte grupin e vet të uratëve dhe me ta mblidhej për gjithë nadje e mbramje e lutej. Martini, megjithësé i edukuem ndër jezuit, rrallë e gati kurr merrte pjesë me grupin e uratës. Duket se koha e shkurtë e mësuesisë ndër male, e kishte ndërrue diametralisht jetën e të riut në drejtimin e fesë. Gjithnjë Martini s'ishte as kje kurr anmik i deklaruem i katoliçizmit as i moralit kristian.

Në diskutimin, që u çil në ditë të para të malit se a duhej të sulmoheshin apo jo autoritetet komanduese të komunistave në Dukagjin, Martini ndoq përherë mendimin e Gjon Destanishës që mos të damtohej populli me akisione të tilla të pamjaftueshme për me trandë qeverinë e kuqe të Tiranës. Lajme të vazhdueshme, që na vijshin se qeveria e Enver Hoxhës pregatiste forcat speciale të sigurimit për të në rrethue, e shterngojshin grupin me marrë vendimin e premë për kalimin në Jugosllavi.

U çuem më një anë të errët, përpara se të delte hana. Rruga, e pa rrugë, kalonte nëpër pyllë, gjithkund në të përpjetë. Në fillim s'shihej kurrgja; mbrapa sytë mësohesin me daulle ndonjë send. Për né, të pamësuem në mal, ishte me ecë në terr të verbët, mâ tepër tue prekë me dorë e me shkop, se sa tue pâ se ku po vejshim kambën. Gjithnjë ata të malit, koçakët me përvojë të gjatë, na përcillshin e na drejtojshin pak a shumë të kapun dora-dorës. Dikur, ndoshta dy orë para mjesnatet, nisi me dalë hana si qêthë, përherë e ma e shndritshme. Majet e maleve të thepisuna e të bardha, shkamb i gjallë, dukeshin në tanë madhninë e vet kristaline, si të veshuna me argjend. Hijet e luginave e shpatet në kapt bâheshin ma të dêta e qitshnin në pahj trajtat e relievet një mijë formash me një sfond qiellet tejet të kaltër, ku hyjt zbeheshin në dritë, sa mâ fort çohej hana në udhëtim të vet.

Kalojshim nëpër shtigje e brija, nëpër rrgalla e zallina, nëpër shkambij e qeta ku vetëm dhitë e egra gjejnë banim e kullosë. Mbarsim, simbas porosisë së luftarëve të lirisë, të cilët malin e kishin shtëpinë e vet, anët nën hije. Qellimi ishte që të mos shiheshim prej rojeve të cilat mund të gjindeshin ndër maje e qafa të kufinit. Aq mâ fort porositeshim na, të pamësuemët në mal, mos të rrëzojshim gur as mos shkaktojshim dyndje zallit, që mujte me bâ zhurmë; zhurmë e cila, në qetësinë e natës e në jehonën e shkëmbit, zmadhohet e bâhet ushtimë orteku.

Dikur, mbas orëve të rrugës të parrugë, herë shkambijve, herë zallit, herë thik në teposhtë e herë thik në të përpjetë, ku kamba doras, ku tue u mbajt për rrajça çetinash të thyeme prej boret e ortigjeve, u kapëm në qafën e kufinit, simbas udhëzimeve që na epshin mâ të mësuemët në bjeshkët e kësaj krahine. Një shteg i parrahun, por që të bânte me kalue prej njanës anë, në faqe tjetër të malit, në të cilën mujte njeriu me u kacavjerrë në teposhtë, tue u përshkue nëpër një zall të imtë, të formuem ndër shekuj prej grimcimit të shkambijve gëlqerorë nga bora e akulli, që në atë naltësí s'mungojshin gati kurr.

Sigurisht s'ishte koha me vrojtë bukuritë, as veçantitët përherë tërhjekëse të maleve tona të vrashta e përherë të virgjra. Po të bâjshin aq shumë për vedi, sa me harrue ku ishe, prej kah ishe nisë e ku po shkojshe me mbarue. Ishte një çast takimi me bukurinë, me naltësitë. Martini mâ vonë i thadroi në art këto çaste tmerrësisht madhështore. Fryt i këtij takimi me hanin, rrethue prej telash ferrc, asht poezia "Telat me thepa nën hanë", e cila ndoshta-ndoshta nuk kishte për t'u kuptue si duhet, pa këtë kornizë:

S'mund ta harroj hanin mbi krye
kur ishte nji rrotull e rrezikshme
hekuri së kuqun. Preksha eshtrat
e shpatullave të mia, të ngurta
e trimnohesha.
Telat me thepa, kufini i botës:
përtej njerzija ishte e veshun
e pa tundime në shpirt,
këndej na lákur para njani tjetrit.
Npër parzmat e hollë tejshiheshin
përmbrencat; për të parën herë diktova
se edhe zemrat ishin ngjyra-ngjyra.
Hana ecte kadalë mbi krye:
astronomët rreth telash e vrejshin
me turbi të gjata në dorë.

Këtë mendonte atë çast poeti, ndërsá kujdesi i atyne që na përcjellshin e na drejtojshin ishte frika e takimit me roje të kufinit, për të cilat s'kishim njoftësí as se sa ishin, as me ç'mjete luftarake ishin të pajisun. Ndoshta edhe ata kishin turbi të gjata të dorë. për me pá hyjt. E me i vrá!
Gjithnjë na ishim pregatitë për ndeshje me armë. Po thom na, edhe pse shumica jonë ishte e parmatosun e ndër né kishte grá e vajza (tri grá e dy vajza). Të armatosunt me pushkë, mitraloza e bomba doret ishin jo mâ shumë se 10. Sigurisht për zemër, përvojë e trimní vlejshin mâ tepër se një batalion ushtarësh.

S'dojshim me rá në pushkë, mbasi qellimi ynë ishte me kalue në Jugosllaví e prej andej - mendofshim na gabimisht - me nisë kryengritjen, të ndihmuem prej jugosllavëve të Titos, kundra komunizmit enverian, me të cilin Titoja ishte prishë pak kohë përpara. Na sa po i afroheshim vijës së kufinit, ku rreziku mërrinte kulmin, njani prej miqve të mi mâ të ngushtë m'u afrue e më tha me zâ të ultë në vesh: "Pater, mos kij frikë, në kjoftë se na kapin, fishekun e parë e kam për ty! E di se nuk mundesh me mbytë vedin se je meshtár; ashtu si e di se bâ me të kapë, kanë me të shkye kortár-kortár. Mâ mirë plumbi em, Pater, se në pastë pasë ndonjë herë plumbi i dekës mbrendë dashtëni, njëky emi sigurisht ka mâ fort dashtëní se dekë."
E ndërsa isha ndërmjet plumbit të kuqve e të mikut, tashmâ e kishim kalue kufinin, tue hy në një tokë, ku s'na priste liria, por të gjitha të zezat.

Pal Dukagjini
Romë, qershor 2002

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore